Arbëri

Dy kontrata, 2 milionë euro më shumë për një aneks klinike

qkuk

Foto - Ilustrim

Foto: Driton Paçarada

Për ndërtimin e aneksit të përbashkët të Klinikës së Nefrologjisë dhe Hemato-Onkologjisë, QKUK-ja e ka ndërprerë kontratën prej rreth 2.8 milionë eurosh, të nënshkruar në janarin e 2021-s. Në njoftimin e ri për kontratë, vlera e parashikuar e kontratës është 4.7 milionë euro, apo 64 për qind më e shtrenjtë sesa ajo paraprake. Ndonëse plani projektues nuk ka ndryshuar, veç çmimit, është zgjatur edhe afati i përfundimit të punimeve

Afro 2 milionë euro më shumë do t’i kushtojë Qendrës Klinike Universitare (QKUK) ndërtimi i aneksit të përbashkët të Klinikës së Nefrologjisë dhe të Hemato-Onkologjisë, pas shkëputjes së kontratës paraprake dhe lidhjes së një të reje për realizimin e punimeve.

Muajin e shkuar, ky institucion ka shpallur tender të ri për ndërtimin e aneksit, për të cilin në janarin e 2021-s janë kontraktuar tri kompani, në vlerë prej 2.8 milionë eurosh. Në tenderin e ri, për projektin e njëjtë parashihet një kosto prej 4.7 milionë eurosh.

Në QKUK e kanë arsyetuar koston e re me rritjen e çmimit të materialit ndërtimor.

“Për shkak të ngritjes së çmimeve të materialeve ndërtimore, me kërkesë të operatorit ekonomik, kontrata është ndërprerë, në pajtim me nenin 17.1 të kushteve të veçanta të kontratës. Ndërsa është ndërprerë sipas nenit 42.1 të kushteve të përgjithshme të kontratës. I njëjti aktivitet i prokurimit është ritenderuar më 13.03.2023, ndërsa hapja e ofertave do të bëhet më 05.05.2023”, është thënë në përgjigjen e shërbimit tekniko-administrativ dhe zyrës së prokurimit në QKUK.

Kostoja del të jetë dyfish më e lartë po qe se për referencë merret ndryshimi i çmimeve të ndërtimit brenda dy vjetësh. Të dhënat e Agjencisë së Statistikave tregojnë se për dy vjet, indeksi i kostos së ndërtimit ka shënuar rritje për rreth 33 për qind. E kostoja e re për ndërtimin e aneksit të Klinikave do të jetë 70 për qind më e shtrenjtë.

Në QKUK kanë arsyetuar tri kompanitë - “Olti Trasing”, “Beni Dona” dhe “Sinani-Ing” – rreth shkëputjes së kontratës, e cila i obligonte ato që ta finalizonin objektin në fillim të vitit të 2024. Në përgjigjen e parë dhënë në pyetjet e KOHËS lidhur me çështjen, nga QKUK-ja kanë thënë se shkëputja e kontratës është bazuar në nenin 17.1 të kushteve të veçanta të kontratës. Por, ky nen flet vetëm për nisjen e punimeve dhe jo për shkëputjen e kontratës.

“Data e fillimit do të jetë data: Kur ju njofton menaxheri i kontratës për fillimin e punimeve”, thuhet në nenin 17.1 të kushteve të veçanta. Ndërsa neni 42.1 i kushteve të përgjithshme të kontratës, të cilin Shërbimi Spitalor Klinik e Universitar (SHSKUK) e ka bashkëngjitur si arsyeje në pjesën e dytë të përgjigjeve për KOHËN, thuhet se palët do të bëjnë përpjekje për t’i zgjidhur mosmarrëveshjet në mënyrë paqësore.

“Palët do t’i bëjnë të gjitha përpjekjet për të zgjidhur në mënyrë miqësore të gjitha mosmarrëveshjet që mund të ndodhin ndërmjet tyre. Sapo të shfaqet ndonjë mosmarrëveshje, palët do ta lajmërojnë njëra-tjetrën me shkrim për pozitën e tyre në mosmarrëveshje dhe për ndonjë zgjidhje që ata konsiderojnë se është e mundshme. Nëse cilado palë e sheh të dobishme, palët do të takohen dhe të mundohen ta zgjedhin mosmarrëveshjen. Pala do t’i përgjigjet kërkesës për zgjidhje miqësore brenda 15 ditësh pas kërkesës. Periudha maksimale që jepet për arritjen e kësaj zgjidhjeje do të jetë 30 ditë, nga fillimi i procedurës. Nëse përpjekja për të arritur zgjidhje miqësore dështon ose nëse pala dështon të përgjigjet me kohë ndaj kërkesave për zgjidhje, të dy palët do të jenë të lira të vazhdojnë në fazën e ardhshme të procedurës së zgjidhjes së mosmarrëveshjes, duke e lajmëruar tjetrën”, thuhet në nenin 42.1, i cili flet për zgjidhjen miqësore të mosmarrëveshjes.

Dy nga kompanitë e kontraktuara, ajo “Beni Dona” dhe “Olti Traising”, kanë pronarë të njëjtë. Nga këto kompani nuk kanë ofruar arsye për shkëputjen e kontratës, me justifikimin se zyrtarja e prokurimit gjendet në pushim të lehonisë.
“Lidhur me pyetjet tuaja, lidhur me ndërtimin e aneksit të përbashkët për klinikat e Nefrologjisë dhe Hemato-Onkologjisë, ju njoftojmë se zyrtarja përgjegjëse e zyrës së prokurimit, si person kompetent për dhënien e këtyre përgjigjeve, si dhe informatave të tjera lidhur me rastin, gjendet në pushim të lehonisë, andaj ju sugjerojmë që lidhur me këtë çështje t’i drejtoheni autoritetit kontraktuese – QKUK në Prishtinë”, është thënë në përgjigjen e këtyre dy kompanive.

E, në kompaninë “Sinani-Ing” kanë thënë se përgjigje në pyetjet e KOHËS do të japin nëpërmjet postës elektronike, porse këtë nuk e kanë bërë as pas mbi dhjetë ditësh.

Ndërtimi i aneksit, bazuar në dinamikën e punimeve të parapara në kontratën e parë, do të duhej të përurohej vitin e ardhshëm porse punimet nuk kanë nisur ende.

Në QKUK kanë thënë se vonesa në nisjen e punëve është shkaktuar si pasojë e mospajisjes në kohë me leje ndërtimore. QKUK-ja nuk pati siguruar leje ndërtimi nga Komuna e Prishtinës në kohën kur e ka firmosur kontratën e parë.

“Problematika e parcelës (mospajisjes me leje ndërtimore), në të cilën është dashur të ndërtohet objekti, mungesa e kufijve të jashtëm të parcelës në formën digjitale. Definimi i kufijve të parcelës ka shkaktuar vonesë për fillimin e punimeve. Është shpallur tenderi për përcaktim kufiri të jashtëm të parcelës, ku do të ndërtohet objekti i spitalit nga kompani të licencuara gjeodezike”, kanë thënë në SHSKUK.

E nga Komuna e Prishtinës i kanë ofruar KOHËS një kopje të lejes, e cila është lëshuar tek në korrikun e vitit 2022.

Bazuar në tenderin e ri për këtë projekt, krahas vlerës më të lartë prej afro 2 milionë eurosh, parashihet që edhe finalizimi i punimeve të mos bëhet shpejt. Në kontratën e parë saktësohej periudha prej 3 vjetësh, ndërsa tenderi i ri e rrit edhe për një vit tjetër kryerjen e punimeve.