Lipjan, 10 janar - Dy familje nga fshati Babush të Komunës së Lipjanit po ankohen se Gjykata Themelore në Prishtinë, Dega në Lipjan, ka shqiptuar një dënim të ulët ndaj shoferit të një autobusi, i cili rreth tre vjet më parë kishte goditur disa vetura afër një pompe të karburanteve në këtë fshat, duke lënë të vdekur dy persona dhe disa të lënduar . Ndërkaq të lënduarit e këtyre familjeve në këtë aksident deri tash nuk kanë marrë asnjë kompensim nga organet kompetente, madje institucionet publike i kanë vlerësuar se kanë marrë vetëm lëndime të lehta trupore. Ndërkaq Gjykata Themelore në Prishtinë, Dega në Lipjan, më 27 nëntor të 2020-s ka dënuar shoferin e autobusit (E.J. ) me një vit e 2 muaj burgim për vepër penale, shkaktim i rrezikut në komunikacion.
Izjavere Azemi, bashkëshortja e të ndjerit Muhamedalisë, ka thënë se ishte pjesë e këtij aksidenti dhe për disa minuta ishte pa vetëdije. Ajo ka kritikuar Gjykatën Themelore në Lipjan për një vendim të ulët ndaj shoferit të autobusit (E.J. ) i cili me shpejtësi të madhe e kishte shtypur veturën e tyre në një pompë të karburanteve. ”Shqetësimet janë të mëdha rreth këtij vendimi, i cili është shumë i ulët. Ne ua kemi lënë drejtësisë, por nuk jemi të kënaqur sepse kemi humbur anëtarin e familjes, kanë mbetur fëmijët pa prind. Asnjëherë nuk më ka thirrur Gjykata, andaj nuk e di se ku janë bazuar ata për ta marrë një vendim kaq të ulët për një shofer i cili ka zhvilluar një shpejtësi të madhe duke rrezikuar edhe shumë persona të tjerë”, është ankuar Azemi. Ajo shpjegon se më 28 maj të vitit 2018, autobusi i një kompanie e kishte goditur veturën e tyre duke e shtypur për muri në një pompë të karburanteve. “Kur më ka dalë vetëdija e kom pa burrin e vdekur në vend, djalin e axhës së burrit ashtu mbrapa. Deri në Prishtinë ka mbërri me shenja jete, por edhe ai vdiq, unë kam qenë e lënduar shumë, tash i kam pasojat tepër të mëdha, jam në depresion, kam probleme me unaza të qafës”, ka thënë ajo.
Ndërkaq Bashkim Azemi, vëllai i të ndjerit Besnikut, ka thënë se me tri vetura ishin nisur të afërmit e tyre për të shkuar në Prishtinë për ngushëllime tek disa të afërm, ndërkohë në dalje të fshatit të tyre një autobus i kishte goditur të gjithë. “Gjykata Themelore në Prishtinë, Dega në Lipjan, ka marrë një vendim të prerë ndaj shoferit të atij autobusi me një kohëzgjatje prej rreth një viti. Kjo neve na shqetëson shumë, sepse dy humbje të jetës së djemve të ri në një aksident dhe të dënohet një person me 12 muaj, kjo është fatalitet për të gjithë popullin e Kosovës. Nëse kështu do të vazhdojmë, aksidentet nuk do të ndalen asnjëherë”, ka thënë Azemi. Ai ka shtuar se vëllai i tij 32-vjeçar ka lënë dy fëmijë të vegjël, ndërkohë institucionet publike nuk e kanë përkrahur familjen. “Edhe unë isha pjesë e këtij aksidenti, sepse kemi qenë tri vetura të të afërmve duke shkuar në Prishtinë për ngushëllime, andaj ne të tjerët kemi marrë lëndime mjaft të rënda trupore, por institucionet publike i kanë vlerësuar si lëndime të lehta. Kemi bërë ankesë në Gjykatën e Apelit kundër këtij aktgjykimi, andaj kërkojmë që të merren parasysh shqetësimet tona”, ka thënë ai.
Në anën tjetër, Gjykata Themelore në Prishtinë, Dega në Lipjan, nuk u është përgjigjur pyetjeve të KOHËS lidhur me këtë çështje.
Ndërkaq në aktgjykimin e këtij institucioni, midis të tjerash, thuhet se i pandehuri (E.J) ka shkaktuar vepër penale rrezikim i trafikut publik nga neni 378. Ndërkaq, dënohet me burgim prej 1 vit e 2 muaj, i cili ekzekutohet pas plotfuqishmërisë së aktgjykimit dhe po ashtu do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim. “I pandehuri obligohet që në emër të shpenzimeve të procedurës penale kësaj gjykate, për ekspertizë të komunikacionit shumën t’ia paguajë kësaj gjykate në vlerë prej 40.88 eurosh dhe për ekspertizë ligjore për paushall gjyqësor shumën prej 20 euro, si dhe shumën prej 30 euro në fondin mbrojtës të viktimave. Këto në afat prej 15 ditësh pas plotfuqishmërisë së aktgjykimit, nën kërcënimin e përmbarimit të dhunshëm”, thuhet, midis të tjerash, në aktgjykim.