Ish-këshilltari politik i ish-komandantit suprem të NATO-s, Wesley Clark, diplomati John Stewart Duncan tha se UÇK-ja kishte përbërje heterogjene dhe se persona të ndryshëm për motive të ndryshme kishin marrë armët për motive të ndryshme.
“Përbërja e aktorëve kryesorë, personave kryesorë, veçanërisht kur filloi të përshkallëzohet spastrimi etnik, kishte disa shtresa; kishte persona që kanë qenë ushtarë në armatën jugosllave, juristë, mjekë, gazetarë, të tjerë që iu ishin keqtrajtuar familjet. Motivi tyre për të rrëmbyer armët ishte i ndryshëm ndonjëherë”, tha Duncan, i cili po dëshmon në Dhomat e Specializuara në Hagë, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Ai tha se kishte edhe gra në UÇK, disa prej të cilave edhe ishin të mbijetuara të dhunës seksuale.
“Që të abuzohet seksualisht një grua shqiptare është e tmerrshme. Duhet të kemi parasysh që ne e themi shoqëri myslimane, por nuk është shoqëri aq myslimane. Shqiptarët më kanë thënë që në fakt ata janë myslimanë që bëjnë kryqin kur kalojnë para Kishës. Nuk është shoqëri islamike në kuptimin e mirëfilltë të fjalës siç kuptohet në Lindjen e Mesme. Çështja e nderit është e rëndësishme për shqiptarët dhe që të çnderohet një grua në atë mënyrë është e papranueshme”, tha Duncan.
Sipas Duncan, shqiptarët e Kosovës e kishin kod të sjelljes Kanunin, i cili e ka bazën tek besimi dhe besa, e që është dokument i mesjetës.
Ai tregoi se shqiptarët e Kosovës ishin viktimë e aparteidit dhe spastrimit etnik të regjimit të Sllobodan Millosheviqit.
“Shqiptarët e Kosovës kanë qenë pjesë e një aparteidi gjatë kohës së Millosheviqit. Kanë qenë të përjashtuar nga pjesëmarrja në qeverisje, shërbime publike dhe gradualisht e gjithë kjo solli spatrimin etnik që e kemi parë të gjithë”, tha ai.
