Në episodin e 28-të të podcastit PIKË me publicistin Veton Surroi, i ftuar është eksperti i arsimit, Dukagjin Pupovci.

Surroi: Sistemi paralel arsimor ishte akt mbijetese – e dinim se do të binte cilësia, por s’kishim alternativë

2 o. më parë / 19 tet 2025 20:50
Veton Surroi

Në një bisedë me ekspertin e arsimit Dukagjin Pupovci, në kuadër të podcastit PIKË, publicisti Veton Surroi ka ndarë nga afër përjetimet dhe diskutimet strategjike të lidershipit politik të fundviteve ’80 lidhur me krijimin e sistemit paralel arsimor në Kosovë, si përgjigje ndaj represionit serb dhe dëbimit të shqiptarëve nga institucionet arsimore.

Surroi ka thënë se çështja e arsimit ishte një prej vendimeve më të rëndësishme strategjike që u trajtua në Këshillin Koordinues të Partive Politike të Kosovës, të udhëhequr nga Ibrahim Rugova, ndërsa arsimin e kishte marrë si fushë përgjegjësie Fehmi Agani.

“Fehmi Agani insistonte që arsimi duhej ruajtur me çdo kusht. Ai thoshte: shkolla nuk është objekt, por sistem – nëse i ruajmë nxënësit dhe mësimdhënësit, ruajmë arsimin”, rrëfeu Surroi.

Ai shpjegoi se vetë kishte qenë për një qasje më të ashpër, për të mbrojtur fizikisht shkollat nga uzurpimi, përmes mobilizimit të prindërve dhe nxënësve. Por ky opsion ishte braktisur për shkak të frikës nga represioni serb.

“Pas precedentit me gazin helmues në Podujevë, udhëheqja kishte frikë se Serbia do të përdorte dhunë të madhe në rast të mobilizimit masiv”, kujton Surroi.

Në mungesë të mundësisë për rezistencë fizike, u përqafua modeli i “universiteteve fluturuese”, një ide e huazuar nga lëvizja Solidarnosc në Poloni. Ky model u adaptua për të vazhduar arsimin në kushte shtëpiake, duke ruajtur kontingjentin arsimor dhe simbolikën e qëndresës.

Surroi shtoi se lidershipi ishte i vetëdijshëm se cilësia e arsimit do të binte ndjeshëm, por në atë kohë, kjo ishte një çështje mbijetese kolektive, jo thjesht arsimore.

 

Pupovci: Shumë shkolla duhet të mbyllen për të ruajtur cilësinë

2 o. më parë / 19 tet 2025 20:37
Dukagjin Pupovci

Në një bashkëbisedim në podcastin PIKË me publicistin Veton Surroi, eksperti i arsimit Dukagjin Pupovci ka ngritur shqetësimin për rënien drastike të numrit të nxënësve në sistemin arsimor të Kosovës, duke theksuar se kjo ka krijuar një situatë alarmante me shumë shkolla të vogla dhe klasa të kombinuara me vetëm disa nxënës.

“Në dhjetë vjetët e fundit kemi një tkurrje demografike të ndjeshme, ku numri i nxënësve në arsimin parauniversitar është zvogëluar për rreth 25%. Si pasojë, kemi shumë shkolla të vogla, ku mësojnë dy apo tre nxënës në klasë – shpesh kushërinj mes veti – dhe mësimi zhvillohet në klasa të kombinuara”, ka thënë Pupovci.

Ai theksoi se edhe pse Ministria e Arsimit ka një politikë për adresimin e shkollave të vogla, ajo nuk është zbatuar në praktikë. Sipas Pupovcit, arsyet kryesore janë politike, pasi komunat shpesh hezitojnë të mbyllin shkolla për shkak të frikës nga humbja e votave.

“Ka komuna që e dinë që mbyllja e shkollës është vendimi i drejtë për të siguruar cilësi, por nuk e bëjnë publikisht sepse nuk u leverdis politikisht. Edhe kur janë vetëm pesë-gjashtë nxënës, njerëzit nuk pajtohen me mbylljen, sepse dikush nga familja u punon aty, ose thjesht s’e duan fshatin pa shkollë”, shtoi ai.

Pupovci theksoi se racionalizimi i rrjetit të shkollave është i domosdoshëm dhe do të ndihmonte jo vetëm në përmirësimin e cilësisë, por edhe në menaxhimin më efikas të sistemit arsimor.

“Nxënësit kanë nevojë për një mjedis social me një numër optimal në klasë, ku të mësojnë së bashku dhe të zhvillojnë aftësitë e tyre në mënyrë normale. Vetëm kështu mund të garantojmë cilësi në arsim”, përfundoi Pupovci.
 

Pupovci për PISA-n: Problemi s’është te politikat arsimore, por te zbatimi i tyre

3 o. më parë / 19 tet 2025 20:08
Dukagjin Pupovci

Në një bashkëbisedim me publicistin Veton Surroi në podcastin PIKË, eksperti i arsimit Dukagjin Pupovci ka thënë se dështimi i Kosovës në testin ndërkombëtar PISA nuk është rezultat i mungesës së politikave arsimore, por i moszbatimit të tyre dhe mungesës së angazhimit real për arsim cilësor.
Pupovci theksoi se periudha e viteve të ’90-ta dhe funksionimi i sistemit paralel ka lënë gjurmë në cilësinë e arsimit, por gjithashtu u shpreh se paslufta është dashur të sjellë një qasje më serioze ndaj arsimit si bazë e konkurrueshmërisë së vendit në rajon dhe më gjerë.

“Pas luftës nuk e kemi vlerësuar sa duhet rëndësinë e arsimit. Nuk është vetëm çështje financash, por edhe e angazhimit konkret dhe punës nëpër shkolla”, deklaroi Pupovci.

I pyetur nga Surroi nëse dështimi në PISA është pasojë e mungesës së një vizioni politik për arsim, Pupovci mohoi kategorikisht, duke shtuar se Kosova ka pasur strategji të mirëfillta që nga viti 2002, por ato rrallëherë janë zbatuar.

“Nuk është që nuk kemi pasur politika. Problemi ka qenë gjithmonë te moszbatimi i tyre. Strategjitë janë bërë, por nuk janë çuar as deri në gjysmë”, ka thënë Pupovci.

Në diskutim, Surroi ngriti shqetësimin për kapjen politike dhe financiare të arsimit, duke e quajtur këtë sektor të shndërruar në një "fabrikë suxhuku", ku interesi për fitim ka tejkaluar çdo shqetësim për cilësi.
Pupovci nuk e mohoi ndikimin e interesave financiare në arsimin e lartë, veçanërisht në institucionet private të themeluara pas vitit 2005, por shtoi se sfida e cilësisë është e pranishme edhe në disa universitete publike.

“Ka bindje në opinion që disa universitete private funksionojnë për profit, por cilësia lë për të dëshiruar edhe në disa institucione publike”, shtoi ai.