Arbëri

Drejtoria e Financave në Prizren shpalos hollësitë e vendimit për faljen e borxheve të bizneseve

Rreth 6 mijë biznese në Komunën e Prizrenit parashihet të përfitojnë nga një vendim i Kuvendit të Komunës për faljen e obligimeve në emër të taksës komunale për biznese. Ndërkohë një numër më i vogël i bizneseve do të përfitojnë falje të borxheve në emër të taksës për shfrytëzimin e pronës komunale dhe hapësirave publike.

Drejtoresha për Financa në Komunën e Prizrenit, Leonora Çerreti të mërkurën ka shpjeguar se në bazë të vendimit të miratuar nga KK-ja në nëntor të vitit të shkuar parashihet lirimi i një pjese të konsiderueshme të obligimeve që janë mbledhur në vitet e shkuara. “Duke pas parasysh periudhën e pandemisë kemi menduar që është koha më e përshtatshme për një vendim të tillë”, ka thënë ajo.

Çerreti ka bërë të ditur se me nenin 1 të këtij vendimi falen borxhet e krijuara për taksa komunale për të gjitha bizneset e regjistruara në Komunën e Prizrenit, për periudhën prej vitit 2001 deri në vitin 2013. Sipas saj, me nenin 2, për të gjitha bizneset e regjistruara në Komunën e Prizrenit falet borxhi prej vitit 2014 deri në vitin 2019 për 70 për qind, me kusht që obliguesit pjesën tjetër të borxhit prej 30 për qind ta shlyejnë deri me 30 qershor 2021, ndërkohë që për bizneset që e kanë ndërprerë veprimtarinë afariste falet borxhi për këtë periudhë 5 vjeçare. Gjithashtu ka shtuar se me nenin 3, për të gjithë shfrytëzuesit e pronës komunale dhe hapësirës publike, falet borxhi për periudhën prej vitit 2001 deri në vitin 2019 për 60 për qind, me kusht që obliguesit pjesën tjetër të borxhit prej 40 për qind ta shlyejnë deri me 30 qershor 2021.

Pjesa më e madhe e obligimeve që falen sipas saj kanë të bëjnë me taksën komunale për biznese.

“Në Drejtorinë e Financave është Zyra për Biznese dhe ngarkesa e vetme është ajo e taksës për zhvillimin e veprimtarisë afariste, ku është pjesa më e madhe e obligimeve të llogarive të arkëtueshme. Pra kemi 8 milionë obligime, ku sipas këtij vendimi, 4 milionë falen automatikisht, sipas nenit 1 të vendimit deri në vitin 2013; kurse 70 për qind falen nga viti 2014 deri në vitin 2019, apo 2.5 milionë euro derisa pjesa e mbetur që duhet të paguhet nga bizneset është 1 milionë euro”, ka deklaruar ajo, duke shtuar më tej se rreth 6 mijë biznese do të përfitojnë nga kjo falje e borxheve.

Përfitime me kusht që të paguhen një pjesë e obligimeve parashihen edhe për borxhlinjtë tjerë.

“Te Drejtoria e Administratës i kemi lokalet, ku gjithsejtë janë 171 përfitues. Vlera totale e obligimit arrin 553 mijë euro, kurse falen 332 mijë euro me kusht që 200 mijë euro të paguhen”, ka pohuar Çerreti.

Zyrtarja e lartë komunale ka sqaruar se tek Drejtoria e Shërbimeve Publike në pjesën e autoparkingjeve janë 15 përfitues, dhe se vlera totale e obligimeve sillet 53 mijë euro, ku 32 mijë euro falen me kusht që 21 mijë euro duhet të paguhen deri në fund të qershorit. Pastaj te barakat janë 30 përfitues, ku vlera totale e obligimeve është 34 mijë euro, ku pjesa e faljes është 20 mijë euro me kusht që 14 mijë euro të paguhen. Çerreti ka shtuar se në kategorinë e tregjeve janë 8 përfitues, ku obligimi është 180 mijë euro dhe vlera e faljes është rreth 100 mijë euro, me ç`rast vlera që duhet të paguhet është 73 mijë euro. Sipas saj te reklamat janë 4 përfitues, ku vlera totale arrin 18 mijë euro, kurse falen 10 mijë euro dhe 7 mijë euro duhet të paguhen.

Çerreti ka njoftuar se te Drejtoria e Urbanizmit obligimet e bizneseve për vendosjen e tavolinave në hapësira publike është 102 mijë euro, prej të cilave 61 mijë euro falen me kusht që të paguhen 40 mijë euro.

“Afati për përfitim nga ky vendim është afër, pra i kemi edhe 3 muaj, deri me 30 qershor”, ka thënë ajo, duke ftuar bizneset që të lajmërohen në administratën komunale për të marrë informata më të hollësishme rreth kësaj çështjeje.

“Obliguesit që nuk i respektojnë këto afate, së pari do të fillojmë me ndërprerjen e shërbimeve komunale dhe pastaj me procedura gjyqësore përkatësisht përmbarimore”, është shprehur ajo.

Sipas raportit financiar të vitit 2020, obligimet e palëve ndaj Komunës së Prizrenit kapin shumën prej 23 milionë eurove.