Arbëri

Drejtoria e Arsimit në Shtime kontrakton katër kompani transportuese për bartjen e nxënësve

Komuna e Shtimes ka marrë vendim për zgjidhjen e problemit të udhëtimit për një pjesë të nxënësve të cilët jetojnë në distancë prej rreth 4 kilometra nga objekti shkollor.

Janë ndarë gjithsej 22 mijë e 440 euro për bartjen e një pjese të nxënësve që jetojnë në distancë prej rreth 4 kilometrave nga objektet shkollore. Janë kontraktuar katër kompani transportuese.

Nga kjo mbështetje kanë përfituar nxënësit në SHFMU “Bajram Curri” në Petrovë, pastaj disa në SHFMU Abdullah Shabani” në Carralevë dhe në SHFMU “Idris Ajeti” në fshatin Pjetershticë.

“Në vitin e ri shkollor 2022/2023, për vijimin e shkollimit të nxënësve nga muaji shtator e deri në qershor të 2023 nga këto institucione shkollore janë kontraktuar katër firma transportuese me vlerë të përgjithshme prej 22 mijë e 440 euro”, ka thënë drejtori për Arsim në Komunën e Shtimes, Lulzim Sahiti nëpërmjet një shkrese të enjten.

Sipas tij, drejtoria komunale në bashkëpunim me institucionet edukativo-arsimore të komunës kanë bërë edhe organizimin e Olimpiadës Matematikore Komunale në të cilën janë angazhuar mësimdhënësit e lëndëve të matematikës.

“Po ashtu për vitin shkollor 2022/2023 DKA në bashkëpunim me shoqatën kosovare të Fizikës në muajin janar do të organizojnë garën shkollore të fizikës për nxënësit e klasave IX,X,XI dhe XII, pastaj më 11.2.2023 do të mbahet gara komunale e Fizikës p dhe nxënësit që do të përzgjidhen për Garën Shtetërore të Fizikës, do ta sfidojnë dijen e tyre më 20 shkurt 2023 në Departamentin e Fizikës në Fakultetin e Shkencave Matematikore-Natyrore në Prishtinë”, ka thënë më tej Sahiti, duke shtuar se gara komunale e diturisë është planifikuar të mbahej në fillim të muajit maj.