Arbëri

Drejtorët e shkollave në Ferizaj kritikojnë rregulloren e re të komunës

Komuna e Ferizajt ka përgatitur një rregullore të re për sistemin e arsimit pas ndryshimeve që kanë dalë nga udhëzimet e reja administrative të Ministrisë së Arsimit. Dokumenti i komunës është kritikuar nga drejtorët e shkollave. Ata kanë kërkuar përmirësime dhe që të jetë në përputhje me ligjet në fuqi

Drejtues të shkollave kanë kundërshtuar rregulloren e re për sektorin e arsimit që po përgatitet nga Komuna e Ferizajt dhe e cila synon ngritjen e cilësisë në procesin edukativo-arsimor, përcaktimin e rregullave për organizimin e punës, të drejtat dhe detyrat e organeve vendimmarrëse të personelit udhëheqës të shkollave, mësimdhënësve e të tjera.

Drejtuesit e shkollave kërkojnë të përmirësohet në shumë pika kjo rregullore, pasi, sipas tyre, ka paqartësi dhe mospërputhje me udhëzimet administrative.

“Në qoftë se Këshilli Drejtues i shkollës është organi më i lartë në këtë rregullore, ndërkohë që udhëzimi administrativ, i cili po ashtu është në diskutim publik nga Ministria e Arsimit e delegon drejtoreshën që është struktura e parë. Ne deri më tani kemi dhënë llogaridhënie te këshilli drejtues, por në momentin që hyn në fuqi ky udhëzim atëherë çka do të ndodhë me një votim për këtë rregullore në Ferizaj”, ka thënë drejtoresha e shkollës “Ramadan Rexhepi”, Arta Tahiri.

“Rreth pushimeve mendoj se duhet të jetë autonomi e shkollës sepse pushimi i gjatë të mos mbetet vetëm 10 minuta sepse shkollat me numër të madh të nxënësve kanë nevojë për një pushim më të gjatë. Në shkollën ku jam unë nuk ka mundësi që brenda 10 minutave të bëhen ndërrimet dhe të hyjnë dhe dalin nga 700 nxënës dhe të nisë mësimi , kështu që duhet të jetë një tolerancë këtu”, ka thënë drejtori i shkollës “Gjon Serreçi”, Nazmi Hoda.

Milazim Dërguti, sekretar i shkollës së mesme “Faik Konica”, ka thënë se shkollat duhet të gjenerojnë të hyra vetjake në mënyra të ndryshme me qëllim që ato të shpenzohen për mallra dhe shërbime.

“Në shkollën tonë punon një grua së cilës burri i është vrarë në luftë. Ajo ditë më parë më tha se gjokerin për pastrim e kam blerë me paratë e mia. Kjo është keq dhe shumë shqetësuese, sepse asnjë cent nuk e kanë drejtorët e shkollave”, ka thënë Milazim Derguti, sekretar i shkollës “Faik Konica”.

Kryetari i Këshillit të Prindërve për rajonin e Ferizajt, Visar Islami, kërkoi që me rregullore të re, prindërit të shihen si partner nëpër këshillat drejtuese të shkollave.

E Afrim Llabjani, drejtor i Arsimit në Komunën e Ferizajt, tha se sugjerimet e drejtorëve do të inkorporohen në rregulloren.

“Ky diskutim ishte mjaft i frytshëm, ku ne morëm shumë informacione, sugjerime, kërkesa dhe ndryshime të cilat duhet t’i bëjmë në rregullore, ku do ta bëjmë përmes grupit punues”, ka thënë Llabjani.

Rregullorja pritet të miratohet nga kuvendarët në mbledhjen e radhës.