Arbëri

Drejtorët e më shumë se 10 shkollave në Shtime, të gatshëm për nisje të mësimit

Në Komunën e Shtimes është rritur trysnia për hapjen e shkollave. Prindërit e nxënësve të një shkolle kanë firmosur një peticion për këtë, ndërkaq është formuar edhe “Aktivi i drejtorëve të shkollave”, me qëllimin për ta nisur sa më shpejt mësimin. Sipas drejtuesit të këtij grupi, më shumë se 10 drejtorë janë të gatshëm t’ua hapin dyert shkollave.

Prindërit e nxënësve të shkollës fillore “Lasgush Poradeci” në fshatin Rashincë të Shtimes, kanë nënshkruar një peticion, nëpërmjet të cilit i kërkuan komunës që të organizojë procesin mësimor.

Ata u ankuan se fëmijët po humbin shumë ditë të mësimit, andaj kërkuan që të gjenden mundësitë e negociatave ndërmjet sindikatës dhe Qeverisë, pa i dëmtuar të drejtat e fëmijëve.

Sahit Canolli, banor i Rashincës, argumenton pse duhet hapur shkollat.

“Arsyeja e peticionit është që sindikata së bashku me Qeverinë ta gjejnë një kompromis dhe sa më parë të fillon procesi mësimor dhe të mos humbin fëmijët, sepse kaloj një kohë mjaft e gjatë dhe kjo duhet të ndërpritet nga ana e sindikatës, por edhe Qeverisë”, ka thënë ai.

E një banor tjetër thotë se më nuk ka kuptim që greva të vazhdojë.

“Le të fillojë puna. Protestat edhe nëse vazhdojnë, negociatat edhe nëse vazhdojnë ndërmjet sindikalistëve dhe Qeverisë, duhet të kenë parasysh edhe Qeveria të marrë masa për ta subvencionon punën e mësimdhënësve”, ka thënë Murat Rushiti, banor i po të njëjtit fshat.

Në Komunën e Shtimes është formuar “Aktivi i drejtorëve të shkollave”, me qëllimin për ta organizuar nisjen e procesit mësimor.

Kryesuesi i këtij grupi, Rexhep Hasani, ka thënë se më shumë se drejtorët e më shumë se shkollave tashmë janë pajtuar për ta nisur mësimin

“Ne e kemi formuar një Aktiv të drejtorëve të shkollave dhe kemi marrë pëlqimin e së cilit duke u deklaruar që greva tashmë ka humbur legjitimitetin dhe është stërzgjatur. Po mendojmë që sa më parë të hapen shkollat dhe fëmijëve t’u jepet mundësia që të shkollohen”, ka thënë ai.

Edhe autoritetet komunale presin që mësimi të fillojë sa më parë.

“Ne si drejtori e Arsimit kemi apeluar te të gjithë mësimdhënësit, prindërit dhe nxënësit që të gjejnë një gjuhë të përbashkët dhe të fillojë procesi arsimor pasi që janë duke u shkelur të drejtat e fëmijëve. Ata nuk janë fajtorë për çështjen e pagave të askujt”, ka thënë Lulzim Sahiti, drejtor i Arsimit në Komunën e Shtimes. Përderisa Sindikata e Arsimit dhe Qeveria nuk kanë gjetur një zgjidhje, është rritur presioni në shoqëri për hapjen e shkollave.