SHSKUK-ja ka vazhduar ndalimin e mediave për të xhiruar në mbledhjet e bordit drejtues. Në mbledhjen e së enjtes, drejtorë klinikash ngritën shqetësime për kushtet e rënda dhe mungesën e investimeve, por drejtori i përgjithshëm i SHSKUK-së u largua pa i dëgjuar ankesat
Institucioni i vetëm i kujdesit terciar shëndetësor, e që financohet nga buxheti i shtetit, vazhdon t’i ikë transparencës ndaj publikut.
Për në orën 10 të paradites u caktua mbledhja e 79-të e bordit drejtues të SHSKUK-së. Meqë në këto mbledhje çështjet që diskutohen janë gjithmonë në interes të publikut, një ditë më parë KOHA ka dorëzuar kërkesë për të lejuar edhe xhirimin me kamerë.
Por me urdhër të bordit, hyrja e ekipit të KOHËS me kamerë u ndalua që në korridor.
“Kamera nuk lejohet. Urdhër prej Fahredinit, bisedo me Fahredinin, për çfarë arsye nuk e di, veç më ka thënë që pa kamerë”, ka thënë një pjesëtar i kompanisë që siguron hapësirat e SHSKUK-së.
Edhe pse në bord diskutohen vendime dhe çështje që prekin drejtpërdrejt jetën e pacientëve, bordi insistoi se xhirime nuk duhet të bëhen në mbledhje.
“Në një sistem shëndetësor publik me qytetarin në qendër, proceset zhvillimore kërkojnë kohën e duhur për t’u finalizuar dhe shpesh përmbajtja ka peshë më të madhe se forma. Asnjë element vizual nuk ka vlerë më shumë se jeta që shpëtohet çdo ditë falë punës së profesionistëve tanë. Për këtë arsye, prezenca juaj që nga fillimi i punës së këtij bordi do të ishte e mirëpritur, ndërsa kërkesa e paraqitur në këtë fazë nuk mund të konsiderohet as e arsyeshme dhe as e domosdoshme”, thuhet në përgjigjen e bordit drejtues të SHSKUK-së.
E në këtë mbledhje drejtorë të klinikave të ndryshme adresuan shqetësimet për kushtet e rënda infrastrukturore si dhe për mungesë investimesh.
Drejtori i Klinikës së Dermatologjisë, Enver Krasniqi, listoi disa nga nevojat elementare.
“Databaza për ofrimin e shërbimeve ambulantore te ne nuk ekziston. Te ne ende merren të dhënat me dorë. Furnizimi me pajisje mjekësore të domosdoshme, kemi bërë kërkesa me dhjetëra herë, jo veç tash dhe nuk kemi marre përkrahje”, është ankuar Krasniqi. “Nuk ka dhomë të veçantë për trajtimin e pacienteve, pacienti nuk ka intimitet me rastin e marrjes së terapisë lokale. Më vjen keq ta them por përpara shumë vjetësh ka qenë infrastruktura shumë, shumë më e mirë se tash. Të kemi përkrahje se deri tash nuk kemi pasë, jo për mu po për pacientin”.
Për sfida foli edhe drejtoresha e Klinikës së Infektives, Vera Ndrejaj.
“Në Klinikën Infektive nuk është bërë investim në infrastrukturë, me përjashtim që ka ardhë oksigjeni qendror në kohën e pandemisë. Në infrastrukturë Klinika e Infektives është më së keqi dhe për ta ilustruar me një shembull shumë të vogël: Në repartin C, pacientët po ankohen se ne me këso pllaka i kemi tavanet dhe në pothuajse në secilën dhomë mungon një, dy dhe ai është rrezik permanent për t’iu rënë pacientëve përmbi kokë dhe pikë”, ka thënë Ndrejaj. “Pra, si infrastrukturë, Klinika Infektive është shumë keq”.
Por ankesat dhe shqetësimet e drejtorëve të klinikave nuk i dëgjoi drejtori i përgjithshëm i SHSKUK-së, Elvir Azizi, i cili lëshoi sallën e mbledhjeve menjëherë pas raportimit të tij para anëtarëve të bordit.
E gjatë kohës sa ai ishte i pranishëm, anëtari Dren Boshnjaku kërkoi sqarime se pse investimet e bëra nuk kanë reflektuar në zvogëlimin e listave të pritjes.
Ndërkaq, raportim në mbledhjen e ardhshme për të gjitha listat, kërkoi kryesuesja e bordit, Tetore Olloni.