Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Dramë e re me aktorë të vjetër

TE gjithe akteret politike

Foto: Driton Paçarada

Presidentja aktuale, Vjosa Osmani, mëngjesin e së premtes ka nxjerrë dekretin për shpërndarjen e Kuvendit, disa orë pasi institucioni legjislativ ka nisur procedurat për zgjedhjen e presidentit të ri. Vendimi i Osmanit është mirëprit nga partitë opozitare të cilat e kanë takuar atë në konsultimet për caktimin e datës së zgjedhjeve të parakohshme, por jo edhe nga Lëvizja Vetëvendosje. Subjekti që drejton Qeverinë, dekretin e saj e ka quajtur antikushtetues dhe e ka dërguar për interpretim në Gjykatën Kushtetuese. Jokushtetues atë e kanë vlerësuar edhe njohës të çështjeve juridike e politike

Pas dështimit të zgjedhjes së presidentit në seancën e jashtëzakonshme të enjten vonë, presidentja Vjosa Osmani e nxori mëngjesin e së premtes dekretin për shpërndarjen e Kuvendit.

Nëpërmjet një konference shtypi, Osmani tha se moszgjedhja e presidentit të ri deri në mesnatën e 5 marsit e ka shtyrë vendin drejt zgjedhjeve të reja.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Ky dështim, ajo tha se ka qenë i kalkuluar dhe i ideuar mirë nga njerëz, të cilët i quajti të papërgjegjshëm.

“Natyrisht që qytetarët nuk kanë dashur zgjedhje. Këtë situatë e ka krijuar dështimi i Kuvendit për të kryer detyrën e tyre kushtetuese. Askush nuk do të duhej të dëshironte një cikël tjetër politik, sidomos në këtë moment kur vendi ka nevojë për stabilitet. Por, këtu e sollën vendin njerëz të papërgjegjshëm e me qëllime të rrezikshme”, ka arsyetuar Osmani.

Me nxjerrjen e dekretit për shpërndarjen e Kuvendit, Osmani tha se e ka kryer detyrimin e saj kushtetues dhe se për këtë është mbështetur në nenet 82 dhe 86 të Kushtetutës. Neni 82 cek se një nga rastet kur Kuvendi mund të shpërndahet është nëse brenda afatit prej 60 ditësh, nga dita e fillimit të procedurës së zgjedhjes, nuk zgjidhet presidenti. E ai 86 specifikon se zgjedhja e presidentit duhet të bëhet jo më vonë se 30 ditë para përfundimit të mandatit të presidentit aktual.

Osmani theksoi po ashtu se rasti i dërguar në Gjykatën Kushtetuese nga Lëvizja Vetëvendosje nuk paraqet pengesë për shpërndarjen e Kuvendit.

“Edhe nëse dikush e dërgon këtë dekret në Gjykatën Kushtetuese, unë do të përballem qartë në mbrojtje të këtij akti, në mbrojtje të këtij dekreti i cili është detyrim”, është shprehur ajo.

E tek foli për zgjedhjet e reja, Osmani ngriti dilema për tentim të zvarritjes së tyre.

“Pyetja që duhet bërë nuk është nëse do të ketë zgjedhje. Pyetja e vetme është sa do të kenë sukses disa që t’i zvarrisin ato. Pra, pyetja e vetme është kur është data e zgjedhjeve. Qytetarët nuk kanë nevojë për vonesa të reja. Kanë nevojë që të dëgjohet qartë zëri i tyre. Ata kanë nevojë po ashtu për qartësi. Kanë nevojë për institucione që funksionojnë e jo që janë në funksion të zvarritjes. Kanë nevojë për një politikë që nuk frikësohet nga përgjegjësia”.

LVV-ja e quan kundërkushtetues dekretin e Osmanit

Foto: Driton Paçarada/KOHA

I menjëhershëm ka qenë reagimi i Lëvizjes Vetëvendosje. Ky subjekt politik e ka dërguar në Gjykatën Kushtetuese dekretin e presidentes Osmani. Në një konferencë për media, në Vetëvendosje kanë thënë se vendimi i presidentes për ta shpallur të përfunduar mandatin e Kuvendit është arbitrar dhe në kundërshtim me Kushtetutën.

Në kërkesën e saj drejtuar Kushtetueses, ashtu si në atë parapraken të dërguar mbrëmë në mesnatë, Vetëvendosje ka kërkuar caktimin e masës së përkohshme për t’i kufizuar efektet dhe pasojat nga vendimi i presidentes.

“Jemi dëshmitar që shpërndarja e Kuvendit sot paraqet një akt të paprecedent, i cili bie ndesh me rendin tonë kushtetues dhe ne do t’i drejtohemi Gjykatës Kushtetuese për këtë. Nuk ka asnjë arsye se pse duhej të ndodhte një akti i tillë sot në mëngjes”, ka deklaruar Arbërie Nagavci, shefe e Grupit Parlamentar të LVV-së.

Në Vetëvendosje insistojnë se kanë afat edhe 59 ditë që ta zgjedhin presidentin, duke iu referuar nenit 82 të Kushtetutës, i cili flet për shpërndarjen e Kuvendit.

Ky nen thotë se Kuvendi shpërndahet nëse brenda afatit prej 60 ditësh nga dita e fillimit të procedurës së zgjedhjes nuk zgjidhet presidenti i Republikës së Kosovës.

“Sot jemi në ditën e parë të afatit 60-ditor. Ende pa u bërë 24 orë, edhe 59 ditë procedurë që Kuvendi të përpiqet që ta zgjedhë presidentin e Republikës, ne kemi dekretin për shpërndarje të Kuvendit”, ka theksuar deputeti i LVV-së, Adnan Rrustemi.

Jokushtetues vendimin e Osmanit e ka vlerësuar edhe kryeministri Albin Kurti.

Ai e ka cituar nenin 86 të Kushtetutës që thotë se Kuvendi shpërndahet nëse asnjëri kandidat nuk i mbërrin 61 vota në rundin e tretë.

“Ne nuk kemi mbërritur ende atje, dy kandidatë ishin mbrëmë, Glauk Konjufca dhe Fatmire Mulhaxha-Kollçaku, mirëpo nuk u konsumua as rundi i parë lëre më i treti”, ka thënë Kurti.

Sipas tij shpërndarja e Kuvendit do të bëhej vetëm nëse ishte dështuar rundi i tretë. Ai përmend edhe nenin 82 i cili përcakton afatin 60 ditor për zgjedhjen e presidentit nga dita kur ka nisur procedura e që sipas tij i njëjti mbyllet me 5 maj, e jo më 5 mars.

“Ka afat 60-ditor për t’u zgjedhur presidenti dhe ne kemi qenë në sallën e Kuvendit vetëm 30 minuta”, tha Kurti.

Ish-kryetari i Kushtetueses: Veprimet e Osmanit përligjin rrënimin e rendit kushtetues

Në linjë me LVV-në dhe liderin e saj sa i përket kushtetueshmërisë së dekretit janë deklaruar edhe njohës të çështjeve juridike e politike.

Enver Hasani, profesor i së drejtës dhe marrëdhënieve ndërkombëtare dhe ish-kryetar i Gjykatës Kushtetuese vlerëson se presidentja është përzierë në kompetencat e Kuvendit.

“Nëse dekreti kontestohet në Gjykatë, sigurisht që anulohet, sepse është jokushtetues fund e krye. Në këtë rast, presidentja Osmani i ka uzurpuar kompetencat e Kuvendit të Kosovës. Askush nga jashtë, asnjë organ nga jashtë nuk mund ta shpërndajë në mënyrë autonome Kuvendin e Kosovës, përveç vetë Kuvendit, në rast të dështimit të tij për të realizuar vullnetin e sovranit”, ka theksuar Hasani.

E, publicisti Veton Surroi e ka quajtur të nxituar dekretin për shpërndarjen e Kuvendit, pa i lënë kohë Gjykatës Kushtetuese ta trajtojë kërkesën e LVV-së për masën e përkohshme për pezullimin e afatit kushtetues për zgjedhjen e presidentit që e dërgoi të enjten në mesnatë.

“Gjykata Kushtetuese nuk kishte as obligim dhe as mundësi reale të mblidhej gjatë natës për të dhënë një qëndrim paraprak mbi kërkesën e parashtruar nga Lëvizja Vetëvendosje, qoftë për pranueshmërinë e saj apo për mundësinë e vendosjes së një mase të përkohshme. Megjithatë, dekreti për shpërndarjen e Kuvendit mund të kishte pritur së paku përfundimin e orarit të punës së Gjykatës. Në këtë mënyrë, vendimi mori pamjen e një akti të nxituar”, ka deklaruar Surroi.

Opozita diskuton me Osmanin për datat e zgjedhjeve, LVV-ja nuk shkon në takimin konsultativ

Foto: Driton Paçarada/KOHA

Pas nënshkrimit të dekretit për shpërndarjen e Kuvendit, presidentja Vjosa Osmani nuk ka vonuar shumë dhe i ka mbledhur në takim partitë politike për ta caktuar datën e zgjedhjeve të reja të parakohshme.

Në takim nuk i shkoi kryetari i Lëvizje Vetëvendosje, pasi ky subjekt e ka konstestuar vendimin për shpërndarje të Kuvendit në Gjykatën Kushtetuese.

Gjatë mbledhjes, 5, 12 dhe 19 prilli u përmendën si data të mundshme për mbajtjen e zgjedhjeve.

E pas saj, kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, tha se presidentja veproi në përputhje me Kushtetutën, ndërsa shtoi se përgjegjësia për situatën e krijuar i takon Vetëvendosjes, si partia më e madhe.

Ai e shprehu gatishmërinë e PDK-së për zgjedhje, ndonëse ato i quajti të panevojshme.

“Zgjedhjet janë totalisht të panevojshme, janë të lodhshme edhe për qytetarët e Kosovës, janë të kushtueshme edhe për reformat dhe të gjitha zhvillimet e tjera, përtej që e kanë edhe një kosto financiare. Por, asnjë parti politike nuk ka mundur t’i japë vendit president, në përjashtim partia fituese. Gjithë bashkë ne nuk kemi mundur të zgjedhim presidentin. Lëvizja Vetëvendosje me cilëndo prej subjekteve politike ka mundur t’i japë vendit president”, ka deklaruar Hamza.

Edhe kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, u shpreh i gatshëm për zgjedhje në cilëndo datë që presidentja e cakton organizimin e tyre.

“Kurdo që presidentja vlerëson për afatin kushtetues të rregullt brenda parashikimeve kushtetuese”, ka thënë Abdixhiku.

E, kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, e kritikoi mospjesëmarrjen e Kurtit në takim, tek tha se ftesave të tij deri tash opozita u është përgjigjur pozitivisht. E për subjektin e tij tha se po tallet me procese kushtetuese.

“Askush nuk i ka faj Vetëvendosjes për sjelljen e tyre dhe për ato që ja kanë sjellë vendit. Kjo situatë që ka ardhur është rezultat i tyre edhe ata është dashur që të vijnë në këtë takim dhe t’i thonë pikëpamjet e tyre qofshin të kundërta. Sa i përket datat, janë opsion datat prej 5, 12 dhe 19 prill, mund të ketë edhe data tjera varësisht prej zhvillimeve. Ne nuk kemi një datë të preferuar sepse e kuptojmë se tash jemi në autopilot nuk ka më askush kompetenca përpos Kushtetutës”, ka theksuar Haradinaj.

Në takim, pos Vetëvendosjes, nuk mori pjesë as Lista Serbe dhe disa përfaqësues të subjekteve politike nga grupi multietnik.

Për konsultimet e partive politike me presidenten për çështjen e caktimit të datës së zgjedhjeve ka reaguar ish-kryetari i Kushtetueses, Enver Hasani. Sipas tij ato janë “fiktive dhe jokushtetuese”, dhe kanë për qëllim të përligjin rrënimin e rendit kushtetues, për shkak të uzurpimit të kompetencave nga ana e zonjës Osmani.

Qartësi nga Kushtetuesja për zhvillimet e fundit institucionale ka kërkuar Instituti Demokratik i Kosovës. Në një reagim të premten, KDI-ja ka shprehur keqardhje për mungesën e përgjegjësisë politike dhe institucionale për arritjen e një marrëveshjeje për çështje të rëndësishme.  

KDI-ja thekson se situata aktuale mund të prodhojë pasoja të pakthyeshme dhe për këtë arsye i bën thirrje Gjykatës Kushtetuese që, në përputhje me rolin e saj si gardiane e rendit kushtetues, të përdorë mekanizmat proceduralë për trajtim të përshpejtuar dhe të ofrojë interpretim të qartë kushtetues para zhvillimit të procesit zgjedhor.

Ndërkombëtarët shprehin keqardhje për zhvillimet e fundit

Për t’i dhënë zgjidhje kësaj situate kanë bërë thirrje në Ambasadën e Italisë dhe të Gjermanisë.

Ambasada gjermane ka thënë se e mbështet Kosovën në rrugën drejt integrimit euroatlantik, porse për këtë duhen institucione plotësisht të konstituuara dhe të qëndrueshme.

E ajo e Italisë ka thënë se shpreson që të gjendet një zgjidhje e shpejtë dhe konstruktive që e tejkalon ngërçin aktual.

Edhe Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë ka thënë se po i përcjell me keqardhje zhvillimet e fundit politike në Kosovë.

“Po i vëzhgojmë me keqardhje zhvillimet e fundit. Tani po presim vendimin e Gjykatës Kushtetuese”, thuhet në përgjigjen e Zyrës së BE-së.

Krerët e partive politike në Kosovë janë takuar disa herë në ditët e fundit në përpjekje për të arritur deri te një figurë konsensuale për president, mirëpo nuk është arritur asgjë.

Presidentja Osmani e pati bërë të ditur se synon edhe një mandat si presidente, mirëpo emrin e saj nuk e ka propozuar askush në Kuvend, madje as Lëvizja Vetëvendosje e cila kishte vota të mjaftueshme për t’i kandiduar dy figura për këtë pozitë.

LVV i ka 57 ulëse në Kuvend ndërsa për të kandiduar një figurë nevojiteshin 30 nënshkrime.

Partia ka thënë në orët e vona të 4 marsit se i ka ofruar Osmanit 30 nënshkrime, mirëpo që ajo nuk ka pranuar. Më vonë Presidenca ka thënë se këto pretendime janë gënjeshtra.

Në rritje e sipër të paqartësive, Osmani i ka nisur në pasditen e 5 marsit disa amendamente për shqyrtim në Kuvend që presidenti i Kosovës të zgjidhet me votë nga populli dhe jo nga Kuvendi.

Në konferencën për media të 6 shkurtit, ajo ka thënë se ato amendamente nuk do të kishin asnjë efekt për zgjedhjen e presidentit që do të duhej të zgjidhej deri mbrëmë.

“Arsyeja është e thjeshtë, vetë amendamentet parashohin që procedura për zgjedhjen e presidentit drejtpërdrejt nga populli duhet të fillojnë gjashtë muaj para përfundimit të mandatit të presidentit aktual”.

Ato amendamente janë hartuar mbi një dekadë më parë dhe e kanë marrë dritën e gjelbër të Gjykatës Kushtetuese, mirëpo nuk janë jetësuar kurrë.

Vota të mjaftueshme për miratimin e tyre nuk ka pasur as më 5 mars.

Lexo përditësimet tjera
Vjosa Osmani - Arberie Nagavci Adnan Rrustemi

Osmani dekreton shpërndarjen e Kuvendit, VV-ja e çon në Kushtetuese