Kryesia e Kuvendit ka caktuar seancë plenare për ditën e premte, por pikat e rendit të ditës do të caktohen në seancën plenare pasi për këtë nuk u gjet kompromis në këtë mbledhje. Pushteti e opozita nuk arritën pajtueshmëri lidhur me kërkesën e PDK-së që rezoluta për njohjen e viktimave të luftës të jetë pikë e parë e rendit të ditës
As për rendin e ditës të seancës së radhës së Kuvendit, përfaqësuesit e partive politike nuk kanë gjetur kompromis të mërkurën.
Mbledhja e Kryesisë përfundoi pa u dakorduar për këtë. Shkak u bë mospajtimi se në cilën pikë të rendit të ditës të përfshihet rezoluta e Partisë Demokratike (PDK) për mbrojtjen e viktimave dhe për të vërtetën historike të luftës.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoShefja e Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Arbërie Nagavci, tha se kanë caktuar dy deputetë që të marrin pjesë në hartimin e rezolutës, dhe u shpreh se parimisht e përkrahin atë.
“Nuk kemi asnjë problem me një rezolutë e cila do të adresonte gjenocidin e kryer nga Serbia në Kosovë, nuk kemi asnjë problem me një rezolutë e cila do të siguronte, gjegjësisht, krijonte të gjitha parakushtet për trajtimin në mënyrën më të drejtë të mundshme në aspektin institucional të të gjitha masakrave, besojmë që tashmë ndoshta jemi vonë për të adresuar një çështje të tillë. Por nuk jemi të interesuar, as të gatshëm që tema që janë me interes shtetëror dhe kombëtar dhe që do të duhej të paraqisnin unitetin e të gjithë neve të trajtohen si tema parciale e individuale”, ka thënë Nagavci.
Dështimin e miratimit të rendit të ditës, nënkryetarja e Kuvendit nga radhët e PDK-së, Vlora Çitaku, e cilësoi si diçka të paprecedent në historinë e legjislativit.
Ajo tha se janë të interesuar që për rezolutën të ketë konsensus të plotë e u arsyetua se insistimi që kjo pikë të jetë e para në rend të ditës është shkaku i rëndësisë së saj.
“Pati një rezistencë, për mua, të paarsyeshme dhe të pashpjegueshme nga ana e përfaqësuesve të Lëvizjes Vetëvendosje që kjo pikë të trajtohet si pikë e parë e rendit të ditës dhe miratimi i rendit të ditës tani i mbeti seancës. Ne nuk do të heqim dorë nga miratimi i rezolutës, do të punojmë me të gjitha grupet parlamentare që Kuvendit t’ia prezantojmë një rezolutë sikurse do të kërkojmë nga seanca ta trajtojë si pikë të parë të rendit të ditës”, ka thënë Çitaku. “Kujtesë nuk është vetëm e kaluara, kujtesa është identitet, kujtesa është themeli mbi të cilin ndërtohen institucionet dhe shteti”.
Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, tha se për shkak të dështimit të kryesisë, rendi i ditës duhet të miratohet në seancën plenare. Lidhur me rezolutën, Haxhiu deklaroi se ka propozuar që kurdo që kjo pikë të jetë e gatshme, të sillet në Kuvend dhe të trajtohet.
“Nuk pati dakordim, sepse kishte një grup parlamentar siç ishte PDK-ja që insistonte që kjo të jetë pikë e parë dhe në anën tjetër nga LVV-ja që kjo të radhitet në fund të rendit të ditës. Unë propozova që kurdo që grupi që mblidhet e përfundon punën, të vijë në seancën dhe ne në çfarëdo pike që jemi e trajtojmë dhe nëse ka dakordancë e votojmë. Sot sërish kishte diskutime të njëjta dhe si rrjedhojë nuk u miratua rendi i ditës”, ka thënë Haxhiu.
Përfaqësuesi i AAK-së, Besnik Tahiri, theksoi se e mbështet propozimin e PDK-së që rezoluta të jetë si pikë e parë e rendit të ditës.
“Në seancën e së premtes janë katër marrëveshje ndërkombëtare. Pati një debat të gjerë rreth rezolutës së propozuar nga PDK-ja. Grupi parlamentar i AAK-së e mbështet që rezoluta të jetë si pikë e parë... Së fundmi ajo që mund të them është që i gjithë debati në kryesi po ndërlidhet me debatin që ndërlidhet me procesin zgjedhor. Shpresoj që kjo tejkalohet dhe të votojmë marrëveshje ndërkombëtare që janë në interes të vendit dhe të qytetarëve”, ka thënë Tahiri.
E Jehona Lushaku-Sadriu, shefe e Grupit Parlamentar të LDK-së, tha se e mbështesin rezolutën, por janë fleksibilë sa i përket renditjes së saj në pikat e rendit të ditës.
Në seancën plenare të javës së kaluar, për shkak se kjo rezolutë nuk u fut si pikë e parë e rendit të ditës, deputetët e PDK-së e lëshuan sallën.
Gjatë seancës të së premtes është caktuar të miratohen 4 marrëveshje ndërkombëtare, për të cilat nuk pati kuorum të hidhen në votim në seancën e javës që shkoi.