Shërbimi Spitalor Klinik e Universitar nuk i ka ndarë ende pajisjet ndihmëse për personat e paralizuar, të blera shumë më shtrenjtë sesa që janë në treg. Shoqata “Handikos” ka kërkuar sqarime për vonesën, teksa në SHSKUK kanë thënë se dorëzimi do të nisë javën e ardhshme
Zotimin për dorëzimin e pajisjeve për personat e paralizuar, të cilin Shërbimi Spitalor Klinik e Universitar (SHSKUK) e pati dhënë në mes të muajit shtator, e ka përsëritur edhe këtë të premte.
Edhe pse kanë kaluar gati katër muaj që nga hapja e aplikimit për përfituesit, SHSKUK-ja ende nuk i ka shpërndarë 4 mijë e 250 pajisjet ndihmëse për personat paraplegjikë dhe tetraplegjikë.
Më 14 shtator, KOHA ka raportuar se këto pajisje vazhdojnë të qëndrojnë në bodrum dhe SHSKUK-ja në përgjigje pati paralajmëruar se shpërndarja do të niste prej 15 shtatorit.
Tek të premten ka reaguar shoqata “Handikos”, e cila e ka cilësuar procesin si të zvarritur dhe të shoqëruar me paqartësi.
“Handikosi” vlerëson se këto pengesa dhe zvarritje përbëjnë diskriminim dhe shkelje të të drejtave të personave me aftësi të kufizuara, duke rënduar më tej situatën e tyre socio-ekonomike dhe shëndetësore. U bëjmë thirrje institucioneve përgjegjëse që urgjentisht të sqarojnë publikisht se ku qëndron procesi, pse pajisjet ende nuk po arrijnë te personat që kanë nevojë për to”, kanë thënë në këtë organizatë.
Në këtë shoqatë kanë ngritur shqetësim edhe rreth procesit të vlerësimit të komisionit vlerësues.
“Shqetësimi më i madh mbetet te fakti që komisioni vlerësues nuk ka asnjë mjet vlerësues për marrjen e përmasave të personave se çfarë pajisjesh duhet të kenë, nuk kanë njohuri mbi llojet, nuk i kanë parë pajisjet dhe nuk njohin funksionalitetin apo mënyrën e përdorimit, përshtatjes dhe montimit të tyre, përpos posedimit të një liste të shkruar të pajisjeve nga menaxhmenti i SHSKUK-së. Ndonëse në bazë të Udhëzimit Administrativ nuk përcaktohen kompetenca të tilla”, kanë thënë në “Handikos”.
E në SHSKUK kanë theksuar se shpërndarja e pajisjeve do të nisë në fillim të javës së ardhshme.
“Montimi i pajisjeve do të kryhet nga profesionistë të fushës përkatëse, ndërsa një pjesë e tyre do të montohen edhe në shtëpitë e përfituesve, me qëllim të garantimit të përdorimit sa më efikas dhe të sigurt të tyre. Sipas planit të veprimit, të gjithë aplikuesit që kanë kaluar vlerësimin e komisionit do të pajisen me pajisjet ndihmëse dhe nuk ka nevojë të kenë shqetësime për këtë proces”, kanë thënë në SHSKUK.
KOHA ka raportuar për shqetësimet e ngritura nga përfaqësues rajonalë të shoqatës “Handikos” lidhur me procedurat burokratike për përfitimin e pajisjeve. Bazuar në to, një person në karrocë duhet të shkojë së paku tri herë në SHSKUK.
Sipas të dhënave të siguruara gati tri javë më parë nga SHSKUK-ja, numri i aplikacioneve është i ulët. Për 4 mijë e 250 pajisje, deri në këtë kohë janë pranuar gjithsej 109 aplikime.
Procesi i aplikimit është hapur nga SHSKUK-ja në qershor, një muaj pas raportimit të KOHËS se pajisjet në vlerë gati 6.5 milionë euro nuk janë shpërndarë as një vit pas kontraktimit.
Nëpërmjet këtij procesi prokurimi, SHSKUK-ja ka blerë pajisje me çmim shumë më të lartë se që lejohet me Udhëzim Administrativ. Një bastun i thjeshtë, i cili në tregun online kushton nga 3 deri në 6 euro, është blerë për 98 euro. Ky çmim është dyfish më i lartë sesa çmimi maksimal i përcaktuar me udhëzim administrativ dhe 16 herë më i shtrenjtë sesa mund të porositet online.
Pas raportimit, Bordi Drejtues i SHSKUK-së ka kërkuar auditim të procesit të prokurimit për pajisjet, por rezultatet nuk janë publikuar deri tash.
Në fund të 2023-tës ka hyrë në fuqi udhëzimi administrativ për caktimin e listës, llojeve dhe pajisjeve ndihmëse që ofrohen falas për personat paraplegjikë dhe tetraplegjikë, e të cilët shërbejnë për lëvizje, parandalim dhe asistim. Institucion zbatues i këtij udhëzimi administrativ është SHSKUK-ja, e që, sipas këtij udhëzimi obligohet t’i zhvillojë edhe procedurat për aplikuesit. Në udhëzim administrativ parashihet furnizimi i personave me aftësi të kufizuara me produkte të ndryshme, përfshirë karroca speciale për fëmijë, karroca elektrike, karroca tualeti, lloje të ndryshme të patericave, tavolina ushqimi, ashensorë elektrikë për pacientë, shtretër elektrikë, jastëkë dhe dyshekë antidekubitues.