Arbëri

Doktrina e “persona non grata” e pazbatueshme për personelin e UNMIK-ut

Vendimmarrja e fundit e Qeverisë për ta shpallur “non grata” zyrtarin rus që punonte në UMMIK po konsiderohet të jetë bërë në shkelje të rregullave dhe komunikimit diplomatik. Sipas juristëve, Qeveria është dashur ta ketë parasysh bazën mbi të cilën operon stafi i UNMIK-ut në Kosovë, para se ta shpallë të padëshirueshëm një zyrtar të saj

Juristët kanë identifikuar mosnjohje të rregullave diplomatike nga ana e Qeverisë në rastin e dëbimit të zyrtarit rus që punonte për llogari të UNMIK-ut.

Profesori i së drejtës ndërkombëtare, Enver Hasani, thotë se në të gjitha rastet kur një shtet sovran shpall “non grata” një person që ka statusin e diplomatit duhet të lajmërohet shteti nëse është fjala për të ose për organizata ndërkombëtare në shtetin që operon.

“Ky është rregull themelor. Në rastin konkret duhet pasur parasysh se KFOR-i, UNMIK-u, OSBE-ja dhe një pjesë e organizatave ndërkombëtare në të cilat Kosova nuk është anëtare e tyre, ato operojnë sipas rregullave të tjera, përkatësisht sipas Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Kjo rezolutë shërben si bazë juridike për prezencën e KFOR-it, OSBE-së dhe misionit të EULEX-it, megjithëse aty ka një marrëveshje bilaterale që e zbaton atë. Por në instancë të fundit, sa u përket imuniteteve dhe privilegjeve, në fund vlen Rezoluta 1244.

Kësisoj, sipas Hasanit, reagimi i UNMIK-ut është i drejtë për dy arsye.

“E para, që është dashur të lajmërohej gjithsesi, dhe e dyta, shpallja ‘non grata’ është e paobjekt për shkak se vepron sipas Rezolutës 1244. Prezenca e KFOR-it dhe UNMIK-ut është 100 për qind mbi këtë bazë. Me këtë vendim Kosova në imazhin e saj ndërkombëtar del keq që nuk i njeh rregullat themelore të komunikimit diplomatik”, ka theksuar Hasani.

Kombet e Bashkuara reaguan pasi një zyrtar rus i UNMIK-ut u shpall person “non grata” nga Qeveria e Kosovës.

Nga zyra e sekretarit të përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara thanë se vendimi nuk është i ligjshëm dhe se nuk është kontaktuar asnjë anëtar i UNMIK-ut në lidhje me këtë çështje.

Sipas tyre, doktrina e “persona non grata” nuk është e zbatueshme për personelin e Kombeve të Bashkuara, as nuk parashikohet në rregulloret e UNMIK.

“Jemi vënë në dijeni për shpalljen ‘persona non granata’ të një anëtari të stafit të Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, UNMIK-ut. Nuk është pranuar asnjë komunikim te Misioni nga autoritetet e Kosovës sa i përket këtij njoftimi. Doktrina e ‘persona non grata’ nuk është e zbatueshme për personelin e Kombeve të Bashkuara dhe nuk është e parashikuar sipas Rregullores së UNMIK-ut 2000/47 (mbi statusin, privilegjet dhe imunitetet e KFOR-it, UNMIK-ut dhe personelit të tyre në Kosovë)”, thuhet në reagimin e Stephane Dujarric, zëdhënës i sekretarit të përgjithshëm të OKB-së.

“Çdo shqetësim në lidhje me një anëtar të personelit të UNMIK-ut duhet t’i adresohet udhëheqjes së misionit në mënyrë që UNMIK-u ta trajtojë këtë çështje në përputhje me statusin, privilegjet dhe imunitetin e UNMIK-ut dhe personelit të tij. UNMIK-u dhe selia e OKB-së po marrin masa adekuate për të garantuar sigurinë e stafit në fjalë dhe po merren me autoritetet relevante në këtë çështje”.

Me kërkesë të kryeministrit shefja e diplomacisë, Donika Gërvalla, më 31 dhjetor nxori vendimin për shpalljen “non-grata” të zyrtarit rus të UNMIK-ut, ku si arsye u përmend veprimtaria e tij të dëmshme, e cila ka cenuar sigurinë kombëtare.

Qeveria nuk ka ofruar sqarime nëse paraprakisht e kanë njoftuar UNMIKU-un përkitazi me veprimtarinë e zyrtarit rus.

“Institucionet e Republikës së Kosovës mbeten të vendosura në betejën kundër ndikimit malinj të Federatës Ruse dhe përfaqësuesve e satelitëve të saj në rajon, të cilët synojnë të minojnë arritjet e Kosovës dhe të partnerëve tanë, e në radhë të parë të SHBA-së, NATO-s dhe BE-së. Republika e Kosovës do të vazhdojë të bashkëpunojë edhe më ngushtë me aleatët e saj ndërkombëtarë, e sidomos me ata amerikanë, evropianë dhe me NATO-n, për të penguar çdo përpjekje destabilizuese të Federatës Ruse në rajonin tonë”, thuhet në njoftimin e ministres Gërvalla.

Sipas saj, përcaktimi dhe rruga e Republikës së Kosovës drejt anëtarësimit në NATO, BE dhe më pas edhe në OKB janë të pakthyeshme.

“Qytetarët e Republikës së Kosovës i sigurojmë se institucionet do të mbeten çdo ditë vigjilente dhe të vendosura në mbrojtje të sigurisë dhe rendit kushtetues të vendit tonë, sa herë që të jetë e nevojshme”, shkruan më tej në njoftim.

Megjithëse është reduktuar dukshëm në staf dhe kompetenca, UNMIK-u vazhdon ta ushtrojë funksionin në Kosovë duke u mbështetur në Rezolutën 1244 të Kombeve të Bashkuara.

Sipas Konventës së Vjenës, doktrina “persona non grata” aplikohet në marrëdhëniet diplomatike mes shteteve.

“Shteti pritës mundet në çdo kohë dhe pa pasur nevojë të shpjegojë vendimin e tij të njoftojë shtetin dërgues se kreu i misionit ose çdo anëtar i personelit diplomatik të misionit është persona ‘non grata’. Në çdo rast të tillë shteti dërgues, sipas rastit, ose do të tërheqë personin në fjalë, ose do të përfundojë funksionet e tij me misionin. Një person mund të shpallet ‘non grata’ ose i papranueshëm përpara se të mbërrijë në territorin e shtetit pritës”, thotë neni 9 i Konventës.

Ky nuk është rasti i parë që Kosova dëbon diplomatët rusë.

Tetorin e vitit të kaluar presidentja Vjosa Osmani urdhëroi dëbimin edhe të dy rusëve tjerë rusë duke akuzuar Moskën për aktivitete “destabilizuese”. Ata ishin pjesë e Zyrës Ndërlidhëse të Rusisë, e cila ishte hapur në vitin 2005 nga ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov.

Sipas presidentes, diplomatët rusë me aktivitetin e tyre kanë cenuar sigurinë kombëtare dhe rendin kushtetues.

Vendimi kishte nxitur reagimin e Moskës zyrtare nëpërmjet Ambasadës në Beograd. Sipas tyre, “asnjë vendim i Prishtinës nuk ka fuqi ligjore për Rusinë.

"Ne nuk e njohim pavarësinë e Kosovës, prandaj nuk e njohim qeverinë e tyre apo strukturat e tjera. Asnjë vendim i Prishtinës nuk ka fuqi ligjore për ne”, thuhej në reagimin e Ambasadës së Rusisë.

Një reagim të ngjashëm si ndaj Kosovës, Kombet e Bashkuara e kishin bërë edhe ndaj Somalisë në vitin 2019. Ky shtet e kishte shpallur “non grata” përfaqësuesin special të sekretarit të përgjithshëm për Somali dhe shefin e Misionit të Asistencës së Kombeve të Bashkuara në Somali, Nicholas Haysom.