Dogana e Kosovës ka njoftuar se gjatë muajit tetor ka identifikuar një numër të konsiderueshëm të rasteve të kundërvajtjeve doganore pas kontrolleve që kanë zhvilluar nëpër pikat kufitare të vendit.
Në këto operacione sipas Doganës janë zbuluar mallra të padeklaruara, të fshehura apo të shoqëruara me dokumentacion të pasaktë, me qëllim shmangien e detyrimeve ligjore.
Sipas njoftimit të doganës, rastet përfshijnë mallra nga kategori të ndryshme si:
- Produkte tekstili, veshje dhe aksesorë mode, përfshirë produkte të dyshuara si të falsifikuara
- Produkte farmaceutike, kozmetike dhe mjete për ndërhyrje estetike, pa certifikim dhe dokumentacion të përshtatshëm për import
- Pajisje elektronike dhe mjete pune, si dhe pajisje teknologjike të ndryshme, të cilat nuk ishin të deklaruara në mënyrë të rregullt gjatë hyrjes në territorin e Kosovës
- Produkte ushqimore dhe të konsumit të përditshëm, si mish i përpunuar, vaj, bombola gazi dhe suplemente ushqimore në sasi të konsiderueshme
- Mjete monetare në sasi mbi kufirin e lejuar ligjërisht
- Lëndë narkotike, duhan dhe municion për armë të ndryshme, të gjetura në rrethana të dyshimta gjatë kontrolleve të thelluara
Sipas Doganës vlera e përgjithshme e mallrave të ndaluara arrin shuma të larta, ndërsa ndaj personave të përfshirë janë iniciuar procedurat përkatëse administrative.