Qeveria e Kosovës nuk ka bërë investime të mjaftueshme në shërbime digjitale, përfshirë edhe në rritjen e transparencës, ka thënë Arianit Dobroshi, kryetar i Bordit ekzekutiv në Organizatën për promovimin e softuerit të lirë (FLOSSK), e cila përmes programit “TechCamp” ka mbështetur shtatë organizata të shoqërisë civile në krijimin e projekteve që kanë të bëjnë me luftimin e korrupsionit, transparencën dhe llogaridhënien përmes përdorimit të teknologjisë informative.
Në intervistën për gazetën “Koha Ditore”, Dobroshi ka thënë se institucionet publike do të duhej që në mënyrë proaktive të publikonin informacionet publike, duke filluar nga publikimi i kontratave. Edhe pse, sipas tij, këtë vit ka pasur hapje të kontratave nga ana e disa komunave në nivel lokal, një gjë e tillë nuk ka ndodhur edhe në nivelin qendror.
Në intervistë ai flet se si institucionet përmes uebfaqeve ekzistuese do të mundë të ofronin qasje bazike në të dhëna.
KD: Cilat janë fushat ku ofrohen zgjidhje teknologjike, e të cilat do të ndikonin në zbulimin e keqpërdorimeve potenciale dhe abuzive?
Dobroshi: Fushat ku zhvillohen zgjidhjet teknologjike janë antikorrupsioni, transparenca dhe qasja në shërbime më të mira publike. Këto janë të ndërlidhura - një element mund të adresojë më shumë se një fushë. Te transparenca është një shembull shumë i mirë ai i buxhetit që e ka zhvilluar Instituti GAP dhe e ka adoptuar para pak jave Ministria e Financave. Tek shërbimet publike e kemi platformën “ndreqe.com”, e cila mundëson komunat që të marrin raportime të problemeve në infrastrukturë tek disa kategori të caktuara....(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “E Diela me Koha Ditore”)