Policët kufitarë dhe doganierët i zhvillojnë diskutimet e fundit, pak minuta para se të nisë zyrtarisht aplikimi i regjimit të ri në targat e automjeteve, në pikëkalimin kufitar në Jarinjë.
Nga e hëna të gjitha automjeteve që hyjnë nga Serbia në Kosovë dhe anasjelltas do t’u vendosen letërngjitëse në targa, sipas marrëveshjes së arritur në Bruksel, e cila i dha fund bllokadës disa ditore në Jarinjë e Bërnjak.
Një kamion nga e diela është duke pritur për të hyrë në Kosovë. Është ndër të parët afrohet për të futur brenda territorit të Kosovës.
Fillimisht atij i mbulohen simboli dhe mbishkrimi “Republika e Serbisë”.
E njëjta procedurë aplikohet edhe për ngasësit e veturave, ku njëra prej tyre tha se u vonua për punë.
“Nuk mendoj asgjë (për vendimin). Po vonohem për punë...”, ka thënë ajo.
E, qytetarët tjera kanë mendime të ndryshme sa i përket zgjidhjes që doli si kompromis mes palëve.
“Procedura ka qenë e thjeshtë, porse është dashur që të vihej deri këtu duke kaluar nëpër tollovi të madhe. Kjo nuk është mirë për asnjërën anë”, tha një qytetare serbe nga Rashka.
shpejtë, lehtë...por nuk më pëlqen, vetëm po bëhet tollovi kot, pa nevojë. Gjithandej ka tollovi”, u shpreh një shofer tjetër kamioni.
Në sinkron me palën kosovare, edhe policët kufitarë të Serbisë nisën aplikimin e masës së re.
Simboli RKS iu mbulua edhe kamionit të parë që nga Kosova kaloi në territorin serb.
Përveç letërngjitëseve, ngasësve u jepet edhe një udhëzues për përdorimin e tyre.
Me rritjen e qarkullimit të automjeteve në orët e pasdites u shtuan edhe radhët në pikëkalime.
Por nuk kanë qenë aq të gjata sa ato nga ana e Serbisë.
Në pritje të zbatimit të vendimit, gjatë vikendit Serbia nuk ka lejuar futjen e makinave në drejtim të Kosovës. Sipas asaj që kanë thënë të cilët erdhën në këmbë deri afër kufirit, kolona ka qenë e gjatë rreth tri kilometra.
Shteti serb ka vazhduar t’i pajisë qytetarët kosovarë me letra të thjeshta si zëvendësim i dokumentit të identifikimit të cilin nuk e njeh fqinji verior.
“Në rregull ishte, dy-tre minuta m’i dhanë këto, ashkë nuk pagova. Thuaj kryeministrit respekt veç edhe këtë le ta heqë. Edhe kjo e ka rendin me na u heq dhe gjithçka është në rregull. Me këto pritshim kah gjysmë orë, tash po i shqyej. Shpesh herë u dashke me jep edhe para për me i marrë këto”, ka Blerim Brahimaj, qytetar nga Istogu. Ai është ankuar në letrën që Serbia vazhdon t’i pajisë kosovarët që shërben si dokument identifikimit në vend të letërnjoftimit.
Në orët e hershme të mëngjesit afër pikëkalimit kanë patrulluar pjesëtarë te KFOR-it, të cilët sipas marrëveshjes për dy javë do ta bëjnë sigurimin e zonës.
Nuk kanë munguar as pjesëtarët e EULEX-it, të cilët gjatë ditës vizituan pikëkalimin në Jarinjë.
Policia kufitare dhe KFOR-i vazhdojnë të qëndrojnë edhe në pikat statike rreth dy kilometra në brendësi të Kosovës, në zonën ku protestuesit serbë qëndruan për gati dy javë.
Nga qendra e Leposaviqit aty tani është vendosur edhe Stacioni Policor për Mbikëqyrjen e Kufirit.
Policët kufitarë që janë të pajisur edhe me armë të gjatë vëzhgojnë përreth brezit kufitar.
E, angazhimi i tyre rritet kur zonën e viziton Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla. Përveç bisedës së zhvilluar me pjesëtarët e policisë, ministri dhe policët fotografohen afër pikës kufitare.
Sipas Sveçlës, gjithçka është duke u zhvilluar sipas parashikimeve teksa ka folur për kushtet e policëve në veri dhe zbatimin e marrëveshjes.
“Tashmë është dita e parë kur kemi filluar implementimin e marrëveshjes së arritur në Bruksel. Edhe pika e dytë e kësaj marrëveshje është duke u zbatuar në përpikëri. Çdo veturë që futet në Republikën e Kosovës dhe është e emetuar në Republikën e Serbisë i nënshtrohet regjimit të stikersave ashtu sikur edhe veturat e Republikës së Kosovës kur kalojnë Serbi i nënshtrohen këtij regjimi”, ka theksuar Sveçla.
“Jam i interesuar të shoh edhe kushtet e policisë së Kosovës duke qenë që angazhimet i kanë shtesë dhe kemi zotime se edhe nevojat e tyre duhet të plotësohen. E njëjta është edhe në Jarinjë, tash këtu vizitova stacionin e ri të Policisë së kufirit i cili dorën në zemër ka nevojë për investime shtesë, të cilat do të bëhen ditëve në vijim dhe po ashtu takova zyrtarët tanë policor të cilët kanë angazhime të duhura, të cilët motivin e vullnetin e kanë maksimale që të gjitha detyrat t’i plotësojnë”.
Sipas Ministrisë së Punëve të Brendshme, pas 8 tetorit ngasësit e veturave me targa serbe pa letra ngjitëse do të gjobiten nga Policia e Kosovës.
Marrëveshja e Brukselit i dha fund bllokadës disa ditore të protestuesve serb të cilët kishin vendosur edhe mjetet e rënda. Kjo pasi qeveria nisi reciprocitetin në targa, duke i pajisur me tabela prova automjetet nga Serbia. Por tani gjithë çfarë ka mbetur nga protesta janë mbetjet e ushqimeve e lëndët djegëse.