Disa shkolla në Komunën e Shtimes gjatë periudhës së fundit kohore po përballen me mungesë të ujit të pijshëm si pasojë e disa defekteve të vazhdueshme që po ndodhin në rrjetin e ujësjellësit. Me telashe më të mëdha po përballet Shkolla Profesionale në Shtime, Gjimnazi “Naim Frashëri”, shkolla “Emin Duraku” dhe shkolla fillore “Abdullah Shabani” në fshatin Carralevë.
Rreth kësaj çështje është debatuar edhe në mbledhjen e fundit të Kuvendit Komunal në Shtime. Kuvendarët kanë kërkuar furnizim të rregullt të ujit pasi që edhe prindërit kanë shprehur shqetësime.
Muhamet Ademaj, kuvendar nga radhët e Aleancës Kosova e Re, ka thënë se institucionet përkatëse duhet të angazhohen rreth kësaj çështje.
Sabri Çerkini, drejtor në Kompaninë së Ujësjellësit Rajonal “Prishtina” në Shtime, ka thënë se në disa vendbanime ka telashe me furnizim shkaku i defekteve teknike.
“Tek objekti administrativ i ujësjellësit e kemi një pus dhe një sistem të pompimit që furnizohet pjesa e epërme dhe dy shkolla, aty bëhet edhe klorizimi, mirëpo i kemi pasur disa telashe që nuk ka funksionuar disa ditë, por është rregulluar”, ka thënë Çerkini.
Sipas tij, kompania varet nga niveli qendror pasi që ditë me parë nuk ka funksionuar sistemi i klorit në këtë pus dhe nuk ka pasur pjesë rezervë derisa është rregulluar sistemi i vjetër i klorit.
“Ne nuk kemi pasur guxim ta lëshojmë ujin pa klor derisa i kemi rregulluar sistemet e vjetra. Ndërkaq në Carralevë kemi problem sepse aty është djegur pompa kryesore dhe për momentin nuk kemi pompë. Sa i përket shkollës në këtë fshat aty gjendet një burim natyror dhe ka mundësi të furnizohen nga ai burim derisa të zgjidhet problemi. I kemi bërë kërkesat tona në nivelin qendror e tash po presim derisa të vijë pompa e re dhe menjëherë brenda ditës e rregullojmë”, ka sqaruar Çerkini.