Disa familje në qytezën e Shtimes prej nëntë muajsh jetojnë pa energji elektrike, meqë në shtëpitë, që ua ndërtoi Qeveria, nuk u sigurua qasje në rrjet. Institucionet nuk u kanë bërë zgjidhje, ani se vazhdimisht kanë kërkuar ndihmë.
Familja e Arben Osmanit siguroi kulmin mbi kokë para nëntë muajsh, por në ditën kur hyri në shtëpinë e re u përball me një problem jetese që vazhdon ta përcjellë. Shtëpia, që i është ndërtuar në Shtime me financim të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, ende nuk ka qasje në energji elektrike.
“Pa rrymë si pa sy. Besoni që i bëra nëntë muaj që jam pa rrymë. Katastrofë, gjendja e rëndë si nga ana e pastërtisë, si nga ana e fëmijëve për pastrim, si nga ana e rrobave për pastrim është shumë e rëndë”, ka thënë Osmani.
Pa energji elektrike janë edhe tri familje të tjera, të cilave Ministria ua ka ngritur shtëpitë.
Familja Osmani i përket komunitetit ashkali dhe ndonëse me kushte të rënda ekonomike dhe me disa fëmijë të vegjël, institucionet nuk i kanë bërë zgjidhje deri tash.
“Të qëndrosh në Burg të Dubravës, atje ka rrymë dhe janë kushtet krejt. Unë nuk po e di a jam duke jetuar në Burg të Dubravës apo jam duke jetuar në vetmi. Sidoqoftë unë kam kërkuar nga KEDS-i prej 5 muajsh për të kërkuar ndihmë sepse 350 metra e kam largësinë. Këta po më thonë e ke afër tensionin e lartë dhe duhet ta blej një trafo që kushton 13 apo 14 mijë euro e unë nuk i kam kushtet sepse jetoj me një social”, ka shtuar kryefamiljari.
Mexhide Osmani ankohet se shkaku i mungesës së rrymës, me shumë vështirësi po e përgatit edhe ushqimin për fëmijët.
“Shumë është e vështirë, nuk po mundem pa rrymë, po bëhen nëntë muaj që jemi në këtë gjendje. Gjumin nuk po e bëjmë siç duhet”, ka treguar ajo.
Në Komunën e Shtimes nuk kanë treguar nëse do të bëjnë një zgjidhje për familjet.
Kryetari Qemajl Aliu nuk u është përgjigjur pyetjeve të KOHËS përkitazi me këtë rast.
E, disa nga anëtarët e Kuvendit Komunal i kanë vizituar së fundmi këto familje.
Besnik Seferi, asamblist i Vetëvendosjes, ka thënë se është shqetësuese që institucionet nuk kanë ndërmarrë veprime deri tash.
“Na ka shqetësuar fakti shumë që në këtë shekull dhe në këtë kohë të ketë probleme të tilla me energji elektrike, andaj u kemi bërë thirrje edhe Kuvendit Komunal dhe institucioneve përgjegjëse që sa më parë të bëhet zgjidhje për këto familje, pasi që nuk është shqetësim vetëm për ta, por për të gjithë ata që e shohin një rast të tillë në komunën tonë”, ka thënë Seferi.
KEDS-i, kompani përgjegjëse për distribucionin e energjisë, nuk ka treguar arsyet që i ka lënë të katër familjet pa qasje në rrjet.
E, derisa të ndërrojë mendje, familjet skamnore do të mbeten në terr.
Ky artikull është në dispozicion për t’u ritransmetuar nga mediume të tjera, duke e cituar KOHËN si burim.