Arbëri

Dialogut i mungojnë strukturimi dhe temat për të cilat pajtohen palët

Dialogu - Kurti - Vuçiq

Janë zbehur pritjet se mund të arrihet shpejt një marrëveshje gjithëpërfshirëse mes Kosovës dhe Serbisë, megjithëse një takim tjetër është paralajmëruar më 25 korrik. Sipas analistëve, në mungesë të strukturimit të dialogut, palët mund të hedhin ide të reja, porse sipas tyre do të jetë vështirë të shmangen obligimet që Kosova ka marrë përsipër nga dialogu i kaluar

Përpjekja për t’iu shmangur obligimeve nga dialogu i mëhershëm nëpërmjet propozimit të temave të reja po konsiderohet i vështirë. Ndërsa është paralajmëruar takimi i radhës më 25 korrik, ende nuk është caktuar agjenda. Në Qeverinë e Kosovës dhe në Zyrën e emisarit të Bashkimit Evropian për dialogun nuk kanë treguar për temat që pritet të diskutohen.

Sipas analistëve, aktualisht ka mungesë të strukturimit dhe të temave për të cilat pajtohen të dyja palët në dialog.

“Prandaj edhe është krijuar kjo hapësirë për Qeverinë Kurti që të iniciojnë apo shfaqin disa ide të reja gjatë dialogut, ndërsa në anën tjetër duket se presidenti Vuçiq insiston në themelimin e Asociacionit, ndërsa ana kosovare po tenton që të evitojë themelimin e tij, duke prezantuar tema të reja në dialog”, ka thënë Xhambazi. “Mirëpo, në Kosovë kemi edhe një presion të ri nga ambasadat e huaja, përkatësisht Ambasada britanike dhe ajo e Shteteve të Bashkuara, të cilat në dy deklarata ditë më parë thanë se Kosova duhet ta themelojë Asociacionin e komunave serbe, siç është ratifikuar edhe në Kuvendin e Kosovës”.

Para shkuarjes në Bruksel, kryeministri Albin Kurti ka takuar të hënën kryetarin e Partisë Për Veprim Demokratik, Shaip Kamberi, i cili është edhe shef i Grupit parlamentar “Lugina e Bashkuar – SDA” në Kuvendin e Serbisë. Sipas komunikatës, në takim është diskutuar për çështjen e të drejtave të shqiptarëve në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc dhe në viset e tjera në Serbi.

“Në takim u diskutua për të drejtat që i kanë shqiptarët përmes Këshillit Nacional Shqiptar, si edhe rrudhjen e tyre nga një aktgjykim i Gjykatës Kushtetuese të Serbisë, nga janari i vitit 2014. Kryeministri Kurti dhe z. Kamberi diskutuan edhe për takimin e 15 qershorit në Bruksel, për dialogun e ardhshëm ndërmjet Kosovës dhe Serbisë mbi statusin e marrëdhënieve ndërmjet dy shteteve. Temë e bisedës ishin edhe dy samitet e liderëve të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor, të mbajtura këtë muaj në Tiranë dhe në Vjenë”, thuhet në komunikatë.

Çështja e Luginës u riaktualizua në vitin 2018, kur ish-presidenti Hashim Thaçi lansoi idenë për bashkëngjitjen e kësaj pjese me Kosovën, sipas plebishitit të vitit 1992. Madje, Thaçi, pas një takimi të përbashkët me politikanët e Luginës, i pati kërkuar legjislaturës së kaluar të Kuvendit që ta miratojë një rezolutë, sipas së cilës do të jetësohej kërkesa e tyre. Por, ky propozim i Thaçit nuk ishte mbështetur nga asnjëra prej partive në Parlament. Ideja e Thaçit është parë si eufemizëm për shkëmbim të territoreve me Serbinë. Beogradi zyrtar prej vitesh ka aspirata që Kosovës t’ia shkëpusë veriun e populluar me shumicë serbe.

Takimi i 15 qershorit në Bruksel nuk prodhoi asnjë rezultat pasi katër çështjet e propozuara nga kryeministri Kurti i refuzoi pala serbe, që insiston në zbatimin e marrëveshjeve të mëhershme, përfshirë atë për themelimin e Asociacionit.

Kurti propozoi që gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor të avancojnë CEFTA-n në SEFTA (South-East European Free Trade Agreement) sipas modelit të EFTA-EEA, pra marrëveshje çfarë Lihtenshtajni, Norvegjia dhe Islanda kanë me BE-në.

Propozimi i dytë ishte që Kosova dhe Serbia menjëherë ta nënshkruajnë një marrëveshje të përbashkët të paqes, duke u zotuar se nuk do ta sulmojnë njëra-tjetrën. Ndërkaq pas njohjes së ndërsjellë midis Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, është propozuar reciprocitet bilateral.

Për çështjen e të pagjeturve e të zhdukurve me dhunë, Kurti ka kërkuar që të largohet Veljko Odaloviq nga pozita për çështjen e të pagjeturve nga lufta e fundit.

Me gjithë rëndësinë e këtyre temave, Xhambazi thotë se do të jetë vështirë të shmanget presioni ndërkombëtar për themelimin e Asociacionit.

mendoj se mund të kemi shmangie të temave, sepse kjo është përgjegjësi e Qeverisë Kurti që do ta ketë përsipër në dialog. Mirëpo, ajo çka mund të ofrojë është tejkalimi i këtyre krizave, në qoftë se nuk themelohet Asociacioni njëetnik atëherë si do të vazhdohet tutje. Mendoj se Qeveria Kurti duhet ta ketë të qartë se çfarë dëshiron të propozojë në zëvendësimin e zgjidhjeve apo do të ketë Asociacion monoetnik, siç janë dakorduar më herët qeverisjet e kaluara”, ka theksuar ai.

Para takimit me Vuçiqin, kryeministri Kurti javën e ardhshme do ta ketë një takim me presidentin e Francës, Emannuel Macron. Mes të tjerash, temë diskutimi do të jetë edhe dialogu me Serbinë.

Ushtruesi i detyrës së kryetarit të PDK-së, Enver Hoxhaj, i ka dërguar një mesazh kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, para takimit të këtij të fundit në Paris këtë javë me presidentin e Francës, Emmanuel Macron.

Hoxhaj ka kritikuar Kurtin, duke thënë se java e kaluar “shënoi mjerimin politik të Qeverisë”.

“Java e kaluar shënoi mjerimin politik të kësaj qeverie, që me cirkuset e tij diplomatike e manifestoi Albin Kurti. Në vend të njohjes nga Serbia, në Vjenë ai kërkoi mossulmimin nga ajo. Në vend se të zotohet për zbatimin e Marrëveshjes së Washingtonit dhe forcimin ekonomik të vendit, mohoi ligjshmërinë e saj. Meqë këtë javë Kosovën e pret një tjetër takim i rëndësishëm dhe i vështirë në Paris, uroj që Albin Kurti të ketë reflektuar mbi marrëzitë e tij politike të ditëve të fundit e mjerimin anarkist dhe të sillet me përgjegjshmëri shtetërore e institucionale”, ka shkruar Hoxhaj në “Facebook”.

Zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu, deklaroi javën e kaluar se dokumenti i Washingtonit është i njëanshëm dhe se nuk e ka vlerën e natyrën juridike të një marrëveshjeje pasi nuk është votuar në Kuvend. Si argument ka përmendur edhe kohën e nënshkrimit të këtij dokumenti, duke thënë se ishte qeveri pa legjitimitet. Ndaj këtyre deklaratave reaguan partitë opozitare, që kanë kërkuar seriozitet në raport me partnerët ndërkombëtarë.

Qeveria nuk ka treguar nëse do të ketë nismë për shfuqizimin e marrëveshjeve të përmendura nga Kurti.

Në programin qeverisës nuk përmendet zhbërja e marrëveshjeve, por vetëm thuhet se ato do të trajtohen për të parë shkallën e përmbushjes dhe ndikimin e tyre.