Arbëri

Dialogu të kornizohet në tema dhe afate

Dialogu - Kurti - Vuçiq

Shumicës së marrëveshjeve nga dialogu teknik që vazhdojnë të jenë në bllokadë, nuk u është dhënë zgjidhje as në takimin e fundit mes grupeve teknike. Palët kanë fajësuar njëra-tjetrën për moszbatimin e ujdive, teksa ka munguar pajtimi edhe për temat që mund të diskutohen në takimin Kurti-Vuçiq. Njohës të rrethanave thonë se dialogu duhet të kornizohet në tema dhe afate në mënyrë që ai të jetë produktiv

Asnjë pajtim nuk u arrit në takimin e fundit në Bruksel, në nivel të grupeve teknike mes Kosovës dhe Serbisë. Derisa pala kosovare ka paraqitur marrëveshjet e pazbatuara nga Serbia, kjo e fundit ka fajësuar Prishtinën për mosthemelimin e Asociacionit.

Mungesa e dakordimit rreth marrëveshjeve të kaluara dhe temat që synohet të shtrohen kanë zbehur gjasat për epilog pozitiv në takimin Kurti-Vuçiq, i paralajmëruar të mbahet në fund të korrikut.

Analisti Dritëro Arifi thotë se kjo qasje është e qeverive të kaluara, megjithëse zyrtarë të BE-së tani nuk i po i referohen si dialog mes Prishtinës dhe Beogradit, por mes “Kosovës dhe Serbisë”.

“Problemi i Qeverisë Kurti dhe të tjerave që e kanë bërë vazhdimisht është se duhet t’i kornizojmë tematikën dhe kohën. Çka i bie kjo? Ta kemi një kornizë tematike, pesë apo gjashtë, por që dihet se tema e gjashtë do të jetë njohja reciproke dhe aspekti kohor deri kur, sepse po bëhet viti i dhjetë që po bisedojmë thuajse për të njëjtat tema dhe ky është gabim strategjik që po e bën Qeveria e Kosovës”, ka thënë Arifi.

“Ne nuk mund të imponojmë tema, por të paktën me Bashkimin Evropian duhet të dakordohemi cilat janë ato tema, që do të diskutohen deri në fund të njohjes reciproke dhe kur është afati kohor. Këto dy gjëra nëse nuk i bëjmë do të vazhdojmë ndoshta edhe njëzet vjet në të njëjtën formë”.

Në takimet dyditore në Bruksel, zëvendëskryeministri për dialog, Besnik Bislimi, ka thënë t’i kenë ngritur marrëveshjet e pazbatuara nga Serbia.

“Vërejtje për marrëveshjet në lidhje me hapat e deritanishëm të Serbisë, për shembull për marrëveshjen për menaxhimin e integruar të kufirit, njohjen e diplomave, lirinë e lëvizjes, pastaj marrëveshjen e fusnotës, pasi kemi parë që pala serbe nuk i ka përmbushur obligimet e saj”, ka thënë Bislimi.

Delegacioni i Kosovës fillimisht ka prezantuar analizat e veta para ekipit të të dërguarit të posaçëm të BE-së për dialog, Miroslav Lajçak, ndërsa të mërkurën ka marrë pjesë edhe në një takim me delegacionin e Serbisë, me lehtësimin e BE-së.

Ndërkaq shefi i delegacionit të Serbisë, Petar Petkoviq, ka përsëritur akuzat që tashmë Serbia i parashtron në secilin takim për dështimin e Kosovës në themelimin e Asociacionit.

"Ne u kemi thënë atyre se Asociacioni është kusht mbi kushtet nëse duam të ecim tutje. Asociacioni nënkupton realizimin e të gjitha të drejtave të qytetarëve serbë, sepse incidente të shumta janë vetëm provë se sa i nevojshëm është formimi i tij”, ka thënë Petkoviq.

Rol në zbatimin e disa preja marrëveshjeve ka edhe misioni i OSBE-së, veçmas ato që ndërlidhen me integrimin e serbëve në institucionet e Kosovës.

Kryetarja e përgjithshme e OSBE-së, njëherësh ministre e Punëve të Jashtme e Suedisë, gjatë vizitës në Prishtinë ka kërkuar konstruktivitet prej palëve në zbatimin e marrëveshjeve.

“Kur është fjala për procesin aktual të dialogut ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, është proces i dialogut i lehtësuar nga BE-ja dhe mendoj se ka mundësi të adresojë problemet afatgjate dhe kontribuojë në stabilitetin e përgjithshëm të rajonit. OSBE e ka mbështetur zbatimin e marrëveshjeve në fushat të cilat janë në mandatin e OSBE-së për t’u marrë me to. Unë vazhdoj të besoj fuqishëm se ka efekte pozitive në këtë dialog dhe shpresoj të vazhdojë të jetë konstruktiv”, ka theksuar ajo.

Misioni i OSBE-së vazhdon të jetë neutral karshi statusit të Kosovës. Por sipas Ann, vizita e saj është dëshmi për fokusin që kanë në Kosovë.

“Si organizatë ne jemi neutrale ndaj statusit, këtu po flas si kryesuese në detyrë e OSBE-së. Si ministre e Jashtme e Suedisë, ju e dini që ne e kemi njohur Kosovën qe një kohë të gjatë, e shihni jam këtu në dy role të ndryshme. OSBE vazhdimisht është përpjekur të kërkojë pjesëmarrjen e përfaqësuesve të ekspertëve nga institucionet e Kosovës në takimet e OSBE-së dhe ia ka dalë të mundësojë këtë pjesëmarrje në shumë raste. Mendoj se bashkëpunimi konstruktiv është kyç në këtë aspekt”, ka theksuar ajo.

Nga 17 marrëveshje të dialogut teknik, vetëm tri prej tyre janë zbatuar plotësisht. Është Marrëveshja reciproke për njohjen e policave të sigurimit të automjeteve, Marrëveshja për mbledhjen e të hyrave doganore, si dhe Marrëveshja për njohjen reciproke të certifikatave ADR.

Zbatimi i plotë i marrëveshjes për urën Ibrit ende nuk ka ndodhur, megjithëse punimet rreth rivitalizimit të saj kanë përfunduar. Ato kishte marrë përsipër t’i kryente Bashkimi Evropian. Përveç problemeve politike, problem ka dalë përcaktimi i kufirit administrativ mes Komunës së Mitrovicës së Jugut dhe asaj të Veriut, që është pjesë e pakos së marrëveshjes për lëvizjen e lirë. Edhe pse me Ligjin për kufijtë administrativë Suhodolli i përshkruhet Mitrovicës Jugore, udhëheqja komunale e veriut pretendon se kjo lagje duhet t’u takojë atyre.

Themelimi i Asociacionit ka qenë kërkesa kryesore e Serbisë prej vitit 2013 kur është nënshkruar e ashtuquajtura Marrëveshja e Parë për Normalizimin e Marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.

Deri tani janë shkelur edhe afatet kur do të duhej të hapej pika e përbashkët e kalimit kufitar në Merdare, sipas Marrëveshjes për Menaxhimin e Integruar të Kufirit (IBM). Pala serbe ka refuzuar që të bartet tek objekti i ri i administratës në mënyrë që të bëhet demolimi i pjesës së vjetër dhe ndërtimi i infrastrukturës së re. Ndërtimi i objekteve të përhershme të IBM-it ishte konsideruar e një rëndësie së veçantë për shkak të benificioneve që do të kishin qytetarët nga të dyja shtetet. Ajo do të siguronte një prani të balancuar në shërbimet përkatëse, siç janë - Policia, Doganat, kontrollet fito-sanitare.

Ndërsa ka munguar një vlerësim i marrëveshjeve të deritashme, Brukseli rinis dialogun edhe me Qeverinë e re Kurti. Pas takimit të parë më 15 qershor, i radhës është paralajmëruar në fund të këtij muaji. Për takimin mes Kurtit e Vuçiqit, zëvendëskryeministri Bislimi ka thënë se agjendën do ta diskutojnë javën e ardhshme me emisarin për dialog, Miroslav Lajçak.