Në kohën kur janë kthyer tensionet mes Kosovës e Serbisë, pas kërcënimeve me bojkot e deklaratave të zyrtarëve serbë që mohojnë krimet e luftës, Brukseli do t’i rikthejë palët në tryezën e negociatave në javën e dytë të shtatorit. Zyrtarë të BE-së kanë thënë se janë në kontakt për temat dhe agjendën, teksa kanë kujtuar se çdo mohim i ngjarjeve të ndodhura në vitet ‘90 është në kundërshtim me vlerat e Bashkimit Evropian dhe projektin e integrimit të Ballkanit Perëndimor.
Mes toneve kërcënuese e deklaratave që mohojnë krimet nga lufta e fundit, Kosova dhe Serbia do t’i rikthehen dialogut të Brukselit në javën e dytë të shtatorit.
Fillimisht, paralajmërimin e ka dhënë emisari për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, duke thënë se është në komunikim me palët për caktimin e agjendës.
Në Zyrën e Kryeministrit nuk kanë treguar për temat që synojnë t’i ngrenë pas zhvillimeve të fundit, me arsyetimin se ato nuk janë konfirmuar ende. Sipas zëdhënësit të Qeverisë, takimet e radhës priten të mbahen gjatë javës së dytë të shtatorit.
“Takimet e radhës bilaterale dhe trilaterale në kuadër të procesit të dialogut, në të cilat do të marrë pjesë zëvendëskryeministri Bislimi, priten të mbahen gjatë javës së dytë të shtatorit. Për temat dhe agjendën e takimit, të cilat nuk janë konfirmuar ende, do t’ju njoftojmë me kohë”, ka thënë zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu.
Takimi u paralajmërua pasi serbët shpërthyen me akuza ndaj institucioneve e Kosovës.
Shkas u bë konfirmimi i dënimit për deputetin e Listës Serbe, Ivan Todosijeviq, i cili e kishte quajtur trillim masakrën e Reçakut. Por me tone të njëjta ka folur edhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, duke thënë se deputeti serb u dënua se e tha të vërtetën për Reçakun.
“Një serb nga veriu i Kosovës dhe Metohisë, Ivan Todosijeviq, u dënua me dy vjet burg vetëm se tha të vërtetën. Të vërtetën për Reçakun, të vërtetën për gjithçka që i ndodhi popullit serb. Në mënyrë brutale dhe të vrazhdë është shkelur e drejta për opinion të lirë dhe gjykim të drejtë, të cilën e nënshkruam me shqiptarët dhe BE-në në Bruksel”, u deklarua Vuçiq.
Serbët kërcënuan edhe me bojkot dhe pamundësi të mbajtjes së zgjedhjeve lokale në veri.
Të pyetur rreth këtyre deklaratave, zyrtarë të Bashkimit Evropian kanë thënë se mohimi i ngjarjeve nga e kaluara është në kundërshtim me vlerat e BE-së dhe projektin e integrimit të Ballkanit Perëndimor.
“Ne theksojmë fuqishëm se çdo mohim ose revizionizëm i ngjarjeve të ndodhura gjatë konflikteve në Ballkanin Perëndimor në vitet 1990 është në kundërshtim me vlerat e Bashkimit Evropian dhe projektin e integrimit të Ballkanit Perëndimor në BE. Ne u bëjmë thirrje të gjithëve të përmbahen, të tregojnë respekt për viktimat dhe të punojnë për një vlerësim të sinqertë dhe të mirëfilltë të së kaluarës. Rajoni ka nevojë për pajtim, stabilitet dhe normalizim të marrëdhënieve”, ka thënë Peter Stano, zëdhënës i BE-së.
Përfaqësues të shoqërisë civile thonë se deklaratat e fundit të zyrtarëve serbë janë skandaloze dhe nuk i kontribuojnë një dialogu konstruktiv.
“Instituti i Kosovës për Drejtësi i ka bërë thirrje edhe Bashkimit Evropian që në kuptim të marrëveshjeve për drejtësi të jenë më të matur gjatë reagimeve të tyre, për arsye se mund të ndikojnë dhe të shtyjnë edhe në deklarata të kësaj natyre, të cilat e mohojnë edhe një masakër të këtij niveli siç ishte masakra e Reçakut. Për këtë arsye, ritheksoj se mohimi i një ngjarjeje të tillë, përveçse skandaloz për familjet dhe shtetin e Kosovës, domosdoshmërisht se do duhej të paraqitej si alarm edhe te bashkësia ndërkombëtare që deklaratat të tilla të mos lejoheshin apo të paktën të dënoheshin nga ana e akterëve ndërkombëtarë në raport me përfaqësuesit e Republikës së Serbisë”, është shprehur Gëzim Shala nga IKD-ja.
Krahas dënimit të gjuhës së zyrtarëve serbë, zyrtarë të BE-së thanë se Kosova e shkeli marrëveshjen e vitit 2013 në rastin e Todosijeviqit.
Por, Qeveria e Kosovës e ka quajtur të paprecedent dhe ndërhyrje në drejtësi deklaratën e zyrtarit të BE-së, duke thënë se nuk ka pasur shkelje të marrëveshjeve.