Arbëri

Dialog nën tensione, palët larg marrëveshjes

Dialogu

Foto: Arkiv

Negociatat e rinisura në Bruksel mes Kurtit dhe presidentit të Serbisë, Vuçiq, nuk prodhuan asnjë rezultat. U nënshkrua vetëm një dokument, përmes të cilit u zhbllokuan rrugët që çojnë drejt pikave kufitare në Jarinjë e Bërnjak. Pati rikthim të ideve për ndryshim kufijsh e insistim të palës serbe për themelimin e Asociacionit, që vazhdon të jetë nyja kryesore rreth dialogut

Tensionet në veri, tonet kërcënuese e deklaratat që mohojnë krimet e luftës eklipsuan dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.

Vendosja e reciprocitetit në targa ia ndërroi rrjedhën dialogut të Brukselit që rinisi në fillimvit me qeveri të re, por me tema të ricikluara.

Mjetet e rënda ushtarake që mund të shiheshin nga ana e Kosovës i aktivizoi Serbia përreth kufirit, derisa protestues serbë me trupat e tyre dhe mjete të rënda bllokuan rrugët që çojnë drejt pikave kufitare në Jarinjë e Bërnjak.

Serbia dramatizoi edhe me luftë nëse ndërkombëtarët nuk ndërhyjnë në zgjidhjen e çështjes së targave.

Situata provokoi një ekspres marrëveshje për targat, e cila i dha fund bllokadës disaditore në veri. Në sinkron me tërheqjen e barrikaduesve, Qeveria pranoi t’i tërheqë njësitë speciale nga veriu për t’u lënë vend pjesëtarëve të KFOR-it.

Ishte edhe dokumenti i vetëm që u nënshkrua në Bruksel gjatë 2021-s, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara.

Qëndrimet e betonuara të palëve rreth agjendës dhe modaliteteve të marrëveshjes finale zbehën optimizmin për arritjen e një marrëveshjeje të shpejtë.

Dialogu me Serbinë vazhdon të përbëjë çështjen kryesore në politikën e jashtme, pavarësisht insistimit të kryeministrit se e ka vetëm prioritet të katërt.

Kurti iu përgjigj pozitivisht Bashkimit Evropian për t’u ulur në tryezën e negociatave, por atyre nuk iu parapriu zotimi për dialog me serbët e Kosovës e hartim të një platforme.

Mungoi edhe një rivlerësim i marrëveshjeve nga dialogu i mëhershëm, megjithëse shefi i Qeverisë u ankua se po ia marrin shumicën e kohës. Mes tjerash, përmendi Marrëveshjen për Asociacionin, Marrëveshjen për Fusnotën, marrëveshjet për gjykatat e Universitetin paralel në Veri të Mitrovicës.

“Pjesa më e madhe e punës dhe energjisë sime në dialog është në zhbërjen e dëmit që keni shkaktuar ju. Marrëveshjen për Asociacionin, Marrëveshja për Fusnotën, marrëveshjet për gjykatat e Universitetin paralel në Veri të Mitrovicës, hapjen e çështjes së statusit, krijimin e diskursit për shkëmbime territoriale e marrëveshje të tjera të dëmshme ju na i latë trashëgim”, kishte deklaruar Kurti në seancën e 19 majit në Kuvend.

Por Qeveria nuk ka asnjë nismë për shfuqizimin e marrëveshjeve të përmendura nga Kurti.

As në programin qeverisës nuk përmendet zhbërja e marrëveshjeve, por vetëm thuhet se ato do të trajtohen për të parë shkallën e përmbushjes dhe ndikimin e tyre.

Në takimin e parë me Vuçiqin pas votimit të Qeverisë, Kurti hodhi katër propozime.

Propozoi që gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor të avancojnë CEFTA-n në SEFTA. Propozimi i dytë ishte që Kosova dhe Serbia të nënshkruajnë një marrëveshje të paqes me zotimin se nuk do ta sulmojnë njëra-tjetrën. Ndërkaq pas njohjes së ndërsjellë midis Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë u propozua reciprocitet bilateral.

Për çështjen e të pagjeturve, të zhdukurve me dhunë, Kurti kërkoi që të largohet Veljko Odaloviq nga pozita e udhëheqësit të delegacionit serb. Asnjëri prej tyre nuk u pranua nga Serbia duke bërë që takimi të dështojë.

Diskutimet për kufijtë

Paqartësitë iu shtuan dialogut pas publikimit të dokumenteve jozyrtare, sikurse ai nga Sllovenia që fliste për ndryshim kufijsh.

Në Slloveni, Kroaci dhe Bosnjë-Hercegovinë u raportua se kryeministri slloven, Janez Jansha, pak muaj para se të marrë kryesimin e Bashkimit Evropian, ia ka dërguar një “non-paper” presidentit të Këshillit Evropian, Charles Michel, ku angazhohet për rivizatim të kufijve. Aty përfshihet edhe ndarja e Kosovës.

Kryeministri Kurti në disa raste ka përsëritur se projekti për ndryshimin e kufijve ka dështuar, por ideja nuk ka vdekur.

Por opsionet e tilla u përjashtuan nga emisari i BE-së për dialogun dhe përfaqësuesi amerikan për Ballkanin, Mat Palmer, të cilët realizuan vizita të përbashkëta në Prishtinë e Beograd.

Në një intervistë ekskluzive dhënë KOHËS, Lajçak e Palmer konfirmuan bashkëpunimin transatlantik për t’i çuar palët drejt një marrëveshjeje finale. Për SHBA-në, marrëveshja nënkupton njohjen e ndërsjellë, ndërsa për BE-në hapjen e rrugës së anëtarësimit të Kosovës.

Por jo më larg se në fillim të këtij viti, Lajçak ishte shfaqur i ashpër me zyrtarët amerikanë të cilët i kritikonte për moskoordinim në dialogun Kosovë-Serbi.

Madje Lajçak gjatë një bashkëbisedimi me ambasadoren e Gjermanisë në SHBA kishte deklaruar se nuk synon t’i çojë palët drejt një ujdie sikurse ajo e 4 shtatorit të vitit të kaluar, së cilës ia pati numëruar edhe defektet.

Image
Në një intervistë ekskluzive dhënë KOHËS, Miroslav Lajçak dhe Matthew Palmer konfirmuan bashkëpunimin transatlantik për t’i çuar palët drejt një marrëveshjeje finale. Për SHBA-në, marrëveshja nënkupton njohjen e ndërsjellë, ndërsa për BE-në hapjen e rrugës së anëtarësimit të Kosovës

Obstruksionet

Më shumë se tetë vjet janë mbushur që nga nënshkrimi i marrëveshjes së parë mes Kosovës dhe Serbisë, e cila ende nuk është zbatuar plotësisht.

Gjashtë pikat e para nga 15 sosh flasin për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

Kjo vazhdon të jetë kërkesa kryesore e serbëve që u tentua të ngrihet në të gjitha takimet e zhvilluara në Bruksel. Pas tensioneve në veri, Serbia kërcënoi me veprime të njëanshme në drejtim të themelimit të Asociacionit, por që deri tani kanë mbetur në nivel të vizatimit të logos.

Shtytje kërkesës së Serbisë i dha emisari i BE-së ku në disa raste e bëri të qartë se nuk mund të ketë normalizim të marrëdhënieve pa zbatimin e marrëveshjes për Asociacionin. Kritika BE-ja ka dhënë edhe për mënyrën e interpretimit të vendimit të Gjykatës Kushtetuese, që ka gjetur shkelje në marrëveshjen e vitit 2015, duke kërkuar që Asociacioni të miratohet sipas marrëveshjes së parë. Asociacioni përplasi Kurtin me shefin e diplomacisë evropiane, Borrell në mbledhjen e Këshillit të Stabilizim-Asociimit në Bruksel.

“Nuk pajtohem me juve që Gjykata Kushtetuese e bën të pamundur implementimin e Asociacionit. Më vjen keq kryeministër, por më duhet t’ju kërkoj vazhdimisht implementimin e kësaj marrëveshjeje”, i tha Borrelli Kurtit.

Bazat e themelimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe janë vënë në vitin 2016 nëpërmjet draftstatutit që asnjëherë nuk është bërë publik. Krahas tij, në ish-qeverinë Mustafa ka qarkulluar edhe dekreti si dhe sqarimet shtesë për aktgjykimin e Kushtetueses, dokumente këto që për herë të parë i publikoi KOHA. Por draftstatuti nuk ishte prezantuar asnjëherë në Bruksel për shkak të refuzimit të serbëve, të cilët nuk e duan Asociacion sipas Kushtetutës dhe aktgjykimit të vitit 2015.

Kundërthëniet rreth Asociacionit

As Qeveria aktuale nuk ia ka shuar përfundimisht shpresat serbëve për ta pasur Asociacionin e tyre në Kosovë. Por ka shfaqur qëndrime kundërthënëse sa i përket zbatimit të marrëveshjes për Asociacionin. Në intervistat e kryeministrit për mediat e huaja është përjashtuar mundësia e implementimit të Asociacionit. Kurti ka thënë se nuk do të lejojë të përsëritet Bosnja në Kosovë dhe se marrëveshjet për këtë mekanizëm, përfshirë atë të vitit 2013, tani kundërshtohen nga të gjithë liderët e shtetit.

Njësoj janë deklaruar edhe presidentja e vendit, Vjosa Osmani, dhe ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla.

Por ndryshe veprohet në dokumentet e miratuara nga ekzekutivi të cilat derivojnë nga marrëdhënia kontraktuale me Bashkimin Evropian.

Mbështetur në Programin Kombëtar për Zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit (MSA) 2021-2025, i miratuar në tetor, Ekzekutivi ka shfaqur përkushtim në zbatimin e të gjitha marrëveshjeve.

Aty përmendet edhe marrëveshja për themelimin e Asociacionit/Bashkësisë së Komunave me Shumicë Serbe, ku Qeveria thotë se do të veprohet sipas Kushtetutës dhe vendimit të Gjykatës Kushtetuese.

“Në dhjetor 2015 Gjykata Kushtetuese ka nxjerrë një aktgjykim lidhur me Marrëveshjen për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe. Qeveria e Kosovës gjithnjë do të veprojë në përputhje të plotë me Kushtetutën e Kosovës dhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese”, thuhet në program.

Marrëveshja e parimeve për Asociacionin e nënshkruar në gusht të vitit 2015 ishte shpallur antikushtetuese. Por Kushtetuesja në asnjë pikë nuk e ka rrëzuar Asociacionin teksa ka rekomanduar që përmirësimet të bëhen me rastin e draftimit të statutit, sipas marrëveshjes së vitit 2013.

E në zyrën e zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi pas njërit prej takimeve të Brukselit patën deklaruar se çështjen e Asociacionit e marrin seriozisht kur Serbia t’i ketë shpërbërë strukturat paralele në Kosovë, të cilat i mban gjallë në fushën politike, ekonomike, të arsimit e shëndetësisë.

Themelimin e Asociacionit me shuarjen e strukturave paralele e patën ndërlidhur edhe qeveritë e kaluara. Kjo evidentohet në raportet e ish-kryenegociatores Edita Tahiri, të cilat flasin për marrëveshjet që janë në pritje të zbatimit.

Në anën tjetër Serbia është fajësuar se ka bllokuar marrëveshjet për energji, diploma dhe kadastra. Ka penguar rivitalizimin e plotë të Urës së Mitrovicës dhe rivitalizimin e rrugës kryesore në Mitrovicën Veriore, shpërbërjen e komunave paralele serbe, ka sabotuar zbatimin përfundimtar të marrëveshjes për shuarjen e "mbrojtjes civile", përkatësisht çështjen e objekteve për institucionet e Kosovës ku ish-anëtarët e mbrojtjes civile janë të punësuar.

Dykuptimësia konstruktive është elementi që vazhdon ta shoqërojë dialogun e Brukselit, ku palët i interpretojnë marrëveshjet sipas versionit të tyre. Ndërkaq BE-ja në rolin e ndërmjetësuesit të këtij procesi, vetëm ka njoftuar për takimet e mbajtura, përmes komunikatave për media, por nuk i ka interpretuar marrëveshjet. Kjo ka prodhuar paqartësi dhe mungesë transparence.

Petkoviqi përqesh Bislimin

Me ndarje dekoratash për presidentin e Serbisë nga territori i Kosovës, serbët iu kundërpërgjigjën deklaratave të zyrtarëve kosovarë rreth shuarjes së strukturave ilegale. Me rastin e 30-vjetorit të Komunës së Zveçanit, Vuçiqi, që u nderua me çmimin “Qytetar nderi”, siguroi bashkëkombësit e tij se “derisa t’i ecë fjala, flamuri i Serbisë do të valojë në Zveçan”.

E vartësi i tij Petar Petkoviq e ka përqeshur zëvendëskryeministrin e Kosovës, Besnik Bislimi, duke thënë se në dialog ishte më i vogël se njëfarë lulëkuqeje.

Përplasje mes palëve shkaktoi edhe konfirmimi i dënimit për Ivan Todosijeviqin, i cili e kishte quajtur trillim masakrën e Reçakut. Edhe Brukseli tha se u shkel marrëveshja e drejtësisë për shkak të përbërjes së panelit që ia konfirmoi dënimin Todosijeviqit. Por, sipas interpretimit të juristëve, nuk ka pasur shkelje pasi marrëveshja nuk i referohet nacionalitetit, por komunave në veri.

Por, Ministria e Drejtësisë e ka quajtur të paprecedentë dhe ndërhyrje në drejtësi deklaratën e BE-së.

Përplasjet për arkivat e UÇK-së

Reagime të shumta nxiti çështja për të cilën u negociua në Bruksel e që parasheh hapjen e të gjitha arkivave në Kosovë e Serbi. Përmendja e UÇK-së në kontekst të dokumenteve që mund t’i ketë arkivuar për periudhën e luftës e pas saj, bëri që opozita ta akuzojë Qeverinë se ia hapi dyert Serbisë për t’i futur duart edhe aty. Drejtues të arkivit kanë mohuar se brenda institucioneve të tyre ka dokumente sekrete rreth UÇK-së, derisa, sipas tyre, më herët ka hallakatur edhe EULEX-i.

Marrëveshja tjetër që kishte synim normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi nëpërmjet normalizimit ekonomik mbetet ende larg së zbatuari.

Derivat i atij dokumenti ka qenë edhe një raport i fizibilitetit nga Departamenti, i cili ka sugjeruar rrugën që duhet ndjekur për shfrytëzimin e përbashkët të Liqenit të Ujmanit. Por Qeveria e Kosovës nuk ka dhënë një qëndrim përkitazi me këtë raport.

Në prag të skadimit të pikës tjetër - moratoriumit që ia ndalon Kosovës aplikimin në organizata ndërkombëtare, Departamenti Amerikan i Shtetit inkurajoi palët që ta vazhdojnë atë. Partia që udhëheq Qeverinë e kishte kritikuar ish-Qeverinë për heqjen dorë nga forcimi i subjektivitetit ndërkombëtar.

Në pritje të marrëveshjes përfundimtare shterpësia në aplikime dhe shtimin e njohjeve po vazhdon edhe me Qeverinë aktuale.