Dhjetëra persona me aftësi të kufizuar në Ferizaj kanë mbetur pa asistentë, shkaku se Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve ua ka ndërprerë pagesat, me arsyetimin se shëndeti i tyre është përmirësuar. Derisa këta persona ankohen se nuk po mund të dalin as nga shtëpitë e tyre pa përcjellës, autoritetet kompetente potencojnë se kjo çështje është e rregulluar me ligj
Agron Rrahmani e ka të vështirë ta ngasë këtë karrocë pa ndihmën e dikujt.
Telashet më të mëdha i has tek hyn e del nga banesa, si dhe gjatë përdorimit të tualetit.
Por Rrahmani është në mesin e dhjetëra paraplegjikëve dhe tetraplegjikëve, të cilëve Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve ua ndërpreu pagesat për asistentë dhe përcjellës.
Tek flet për arsyet, ai shpjegon se komisioni pensional në kuadër të Ministrisë i kishte thënë se pasi që është i fortë nga duart, pagesa nuk mund t’i vazhdohet.
“Unë kam problem në qasje, ma kanë ndaluar përcjellësin, unë kur të hipi në karrocë, bashkëshortja ime duhet të dalë në korridor me pritur dikë, sepse edhe gruan e kam me aftësi të kufizuara. Shteti duhet të marrë përgjegjësi ta paguajë dikë për përkujdesje, e jo me ma ndalë përcjellësin. Gruaja del aty te lifti, kur të zbret dikush i thotë: ‘Hajde vendosma burrin në karrocë”, ka thënë Agron Rrahmani- qytetar.
Ndërprerja e pagesave ka nxitur edhe reagimin e shoqatës “Hendifer”, që u ndihmon rreth 1 mijë e 700 personave me aftësi të kufizuara. Në këtë shoqatë flasin për vështirësitë me të cilat përballet kjo kategori.
“Këtyre nuk u është përmirësuar gjendja shëndetësore, këtyre veçse u keqësohet gjendja shëndetësore tani e tutje. Përndryshe, përmirësim nuk ka tek këta. Nuk e di pse ai komision e vlerësoi para pesë vitesh që kanë të drejtë për asistentë, e tash nuk kanë të drejtë për asistentë”, ka thënë kryetarja e Shoqatës “Handifer”, Fazlie Bungu.
Ankesat që i drejtohen kësaj shoqate rreth ndërprerjes së pagesave janë të përditshme.
“E kemi edhe një rast me paralizë Cerobrale që unë e di, por ndoshta ka edhe më shumë raste e që as para 5 vitesh nuk e ka marrë me përcjellës e nuk e merr as tani. Çka është me rëndësi, që ajo nuk ka mundësi as në karrocë të ulet e lëre më të bën ndonjë veprim tjetër. Duhet patjetër personi tjetër ta pastrojë, ta ushqejë, ajo nuk i kontrollon as nevojat fiziologjike”, ka thënë Bungu.
Për t’iu gjetur zgjidhje këtyre personave, “Hendifer” ka angazhuar disa vullnetarë.
“Si aktiviteti më i ri ka qenë me dalë në terren me iu ndihmua njerëzve me nevoja të veçanta, që nuk e kanë pasur përkrahjen e familjeve. Përndryshe, i ndihmojmë me punët e shtëpisë dhe gjithçka që kanë nevojë ata”, ka thënë Prentina Rama, vullnetare në “Handifer”.
Në Ministrinë e Punës potencojnë se çështja e shoqëruesit për këtë kategori është e rregulluar me ligj dhe se për të vendosë komisioni mjekësor “që është autonom në vendimmarrje”.
“Çdo palë e pakënaqur ka të drejtë ligjore që të bëjë ankesë në instancat përkatëse, duke filluar nga komisioni mjekësor me tjetër përbërje e deri në gjykatë”, shkruhet në përgjigjen e kësaj ministrie.