Pasi u raportua se Kroacia ka arrestuar një çift - një pilot të saj në KFOR dhe të dashurën e tij serbe nga Kosova - nën dyshimet për spiunazh të Kosovës te Serbia, të mërkurën në mbrëmje mediat kroate kanë publikuar detaje të reja.
Sipas raportimeve, piloti në të kaluarën kishte kaluar filtrat e sigurisë në autoritetet kroate. RTL ka shkruar se Ministria e Mbrojtjes e Kroacisë, ajo e Punëve të Brendshme dhe Zyra e Kryeministrit kanë qenë në dijeni për rastin tash e një kohë.
Gruaja serbe nga Mitrovica e Veriut ishte prezantuar si punonjëse e një organizate gjermane. Ajo dyshohet se kishte marrë informata nga ushtari kroat lidhur me lëvizjet e KFOR-it dhe se ato i ka përcjellë në Serbi. Të dy u arrestuan në fund të korrikut. Të mërkurën u raportua se të dy janë marrë në pyetje nga Prokuroria. Akuzohen për katër vepra penale.
E mediumi kroat “index.hr” ka shkruar se ushtari ka mohuar fajin dhe ka thënë se dikush po përpiqet ta kurthojë. Siç ka thënë ai para autoriteteve, “edhe e dahsura e tij ka qenë viktimë”.
Siç ka shkruar ky medium, gruaja nga Kosova kishte udhëtuar shpesh drejt Kroacisë.
Ndërkaq “vecernji.hr” ka shkruar se serbja ka pasur lidhje edhe me organizata të tjera ndërkombëtare, përfshirë ato të sigurisë.
Rasti ka nxitur reagime të shumta në Kroaci. “Është problem serioz i sigurisë. Do të shohim çka do të nxjerrin hetimet”, ka thënë Arsne Bauk, shef i Komisionit për Mbrojtje në Parlamentin e Kroacisë.
“Në kohëra të tilla, ne kemi një qëllim, të gjithë, pavarësisht nga cila parti jemi. Kemi një qëllim, që është siguria e të gjithë qytetarëve tanë, e të gjitha misioneve që i kemi”, ka thënë Sandra Bençiq, deputete në këtë komision.
Shqetësuese i ka vlerësuar raportimet për spiun potencial në Forcën Ajrore Kroate edhe deputeti Igor Peternel. Ai ka thënë se kjo bën që situata e sigurisë në Kroaci “të jetë shumë në dyshim”.
