Arbëri

Dështon ujdia disapalëshe për menaxhimin e rrjetit të ujësjellësit në Shtërpcë

Komuna e Shtërpcës prej vitesh përballet me telashe në rrjetin e ujësjellësit. Një marrëveshje për investime, e arritur midis CDI-së zvicerane dhe Komunës, po cilësohet si e dështuar, pasi që për më shumë se katër vjet nuk ka gjeneruar asnjë investim. Për më tepër, tashmë edhe i ka skaduar afati

Shtërpcë, 13 shkurt – Komuna e Shtërpcës dhe fshatrat përreth tash e disa vjet po përballen me telashe në furnizimin me ujë të pijshëm, sistem ky që menaxhohej nga strukturat paralele.

Për ta përmirësuar gjendjen, disa vjet më parë kjo komunë, së bashku me kompaninë e ujësjellësit rajonal “Bifurkacioni” dhe organizatën zvicerane CDI kishin nënshkruar një memorandum bashkëpunimi për investime dhe për menaxhimin e ujësjellësit. Por deri më tani asnjë lëvizje nuk është bërë në këtë drejtim.

Ankesa lidhur me marrëveshjen, afati i së cilës tashmë veçse ka skaduar, janë shprehur nga Komuna e Shtërpcës.

Drejtori për Shërbime Publike në këtë komunë, Sinisha Buduriq, ka thënë se palët ishin pajtuar qysh në tetor të 2015-s që nga CDI-ja të bëheshin investime në secilin vendbanim dhe që pastaj të menaxhohej nga kompania “Bifurkacioni”, porse marrëveshja ka dështuar.

“Komuna e Shtërpcës më 20 tetor 2015, me kompaninë rajonale ‘Bifurkacioni’ ka nënshkruar memorandum për marrjen e të gjithë ujësjellësve në Komunën e Shtërpcës, me mbështetjen e CDI-së dhe të Këshillin ndërministror të Qeverisë së Kosovës, të cilin e përfaqësonte z. Afrim Laiqi. Memorandumi është nënshkruar për 4 vjet, deri më 2020. Kemi pasur disa takime lidhur me marrjen e rrjetit të furnizimit të ujit dhe ishim në rrugë të mbarë. U dakorduam që në secilën lagje të komunës sonë, nga ana e CDI-së, të investohen mjete të caktuara, ashtu që furnizimi me ujë të përmirësohej dhe që pas kësaj, ujësjellësi t’i kalohej nën menaxhim kompanisë rajonale ‘Bifurkacioni’”, ka thënë Buduriq për KOHËN. Sipas tij, sot e kësaj dite asnjë cent nga ana e CDI-së nuk është investuar në ujësjellës, ndonëse ky ishte kusht i memorandumit të nënshkruar.

“Kurrë më përfaqësuesit e CDI-së nuk janë paraqitur në Komunën e Shtërpces. Ky ishte problemi, thjesht jogatishmëria e CDI-së për të kryer atë që është dakorduar. Kësisoj, memorandumit i skadoi afati. Mendojmë se me një qasje serioze të akterëve kompetentë, Komuna e Shtërpcës mund të bëhet pjesë e kompanisë rajonale ‘Bifurkacioni’, për të cilën gjë ne jemi të gatshëm dhe të vullnetshëm që të nënshkruajmë memorandum të ri, ashtu që qytetarët të merrnin shërbime më cilësore të furnizimit me ujë”, ka thënë ai.

Në Kompaninë Rajonale të Ujësjellësit në Ferizaj kanë thënë se ka pasur kërkesa nga Komuna e Shtërpcës për ta menaxhuar ujësjellësin, pasi që shpeshherë ndodhin defekte të mëdha në rrjet.

“Ne për momentin e kemi Ferizajn, Komunën e Kaçanikut dhe atë të Hanit të Elezit, sipas marrëveshjes i kemi nën mbikëqyrje, ndërkaq Komuna e Shtërpcës mbetet akoma në situatën siç ka qenë. Edhe përkundër vullnetit të mirë që e kanë ata dhe ne, por për shkak të punimeve që nuk kanë përfunduar, sipas informatave që kemi kanë mbetur aty. Në momentin që fillojnë apo kryhen ato punime ne si kompani jemi të gatshëm t’i marrim nën menaxhim”, ka thënë Nazif Asllani, drejtor në kompaninë rajonale të ujësjellësit “Bifurkacioni” në Ferizaj.

Ndërkaq Astrit Vokshi, drejtor në CDI-në zvicerane, nëpërmjet një përgjigjeje për KOHËN me anë të telefonit, ka thënë se pas nënshkrimit të marrëveshjes është kuptuar se investimet në Shtërpcë nuk kanë qëndrueshmëri dhe as bazë ligjore, teksa “Bifurkacioni” asokohe menaxhohej direkt nga Komuna e Ferizajt.

“Ata e kanë pasur njëfarë sistemi paralel aty, struktura paralele, shërbime publike që ne nuk kemi mundur të punojmë me ata aty se është e ndaluar. Dhe për të gjitha këto probleme ne nuk kemi mundur të investojmë, sepse nuk kemi mundur të garantojmë siguri, dhe ata nuk kanë dashur të integrohen. Krejt këto telashe janë shkaktuar dhe përfundoi afati i implementimit të projektit”, ka theksuar Vokshi.

Ai ka bërë të ditur se meqenëse “Bifurkacioni” ka kaluar nën menaxhim të institucioneve qendrore, do të diskutohet mundësia e investimeve të reja në Shtërpcë.