Në Universitetin e Prishtinës ka dështuar në fazë pilotimi projekti me të cilin synohej të evidentohej në mënyrë elektronike pjesëmarrja e profesorëve, asistentëve dhe studentëve në ligjërata e ushtrime. Në UP e mohuan këtë, por vizita në fakultete dhe aplikacioni që e kanë të instaluar studentët e dëshmojnë të kundërtën
Ka dështuar të zbatohet në Fakultetin e Mjekësisë projekti me të cilin synohej të mbahej evidencë për pjesëmarrjen e personelit dhe studentëve në procesin e studimeve.
Para dyerve të amfiteatrove e sallave janë vendosur tabela me QR kod, që përpara se të hynin në ligjërata a ushtrime duhej të skanoheshin nga profesorë, asistentë e studentë, nëpërmjet aplikacionit të SEMS që e kanë të instaluar në celularë. Por, disa tabela tashmë janë larguar.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoStudentët thonë se bojkotuan projektin, nën arsyetimin se në shumë hapësira mungon qasja në internet.
“Tash nuk e kemi, nënshkruhemi në lista. Ne i kemi bërë, por më pas kur e pamë që duhet të përdorim 3G për të pasur çdo herë ofertën, i kemi treguar profesorëve dhe e kemi bojkotuar”, ka thënë një student
Ndryshe nga studentët, në rektoratin e UP-së thonë se sistemi funksionon.
“Sistemi i evidentimit me QR kode, i nisur në vitin 2024 si pilot-projekt në Fakultetin e Mjekësisë dhe i zgjeruar më tutje në njësitë e tjera akademike, është funksional dhe për të punuar me të përdoruesit duhet të kenë internet dhe telefona që mund të lidhen me internet. Nuk është vënë komplet në funksion për shkak të disa hapësirave të pambuluara me internet, kryesisht në katet përdhese”, thuhet në përgjigjen e Rektoratit të UP-së.
Por, Rektorati përgënjeshtrohet nga njoftimi që shfaqet në aplikacionin SEMS, te pjesa për ta skanuar QR kodin. Aty shfaqet mesazhi se moduli është në përditësim.
Në kompaninë që zbaton projektin dhe as në Fakultetin e Mjekësisë nuk kanë kthyer përgjigje në lidhje me dështimin në procesin e evidentimit të pjesëmarrësve në ligjërata e ushtrime.
E, në Rektorat kanë mohuar implikimet financiare për këtë projekt.
“Projekti i evidentimit të pjesëmarrjes dhe mbajtjes së orëve mësimore me anë të QR kodeve nuk ka pasur kosto financiare shtesë për Universitetin e Prishtinës. Projekti është zbatuar nga kompania ‘UniSoft’, që mirëmban dhe zhvillon Sistemin Elektronik të Menaxhimit të Studentëve (SEMS), në kuadër të kontratës aktuale”, thuhet në përgjigjen e Rektoratit.
Në Fakultetin e Mjekësisë profesorët kanë shprehur ankesa së fundmi edhe për numrin e vogël të studentëve që marrin pjesë në ligjërata e ushtrime.