Arbëri

Dështon mbledhja e jashtëzakonshme e KK-së në Lipjan shkaku i zhvillimeve politike në vend

Subjektet opozitare PDK, AAK dhe Nisma Social Demokrate para pak ditësh kanë kërkuar nga Kuvendi që të mbahet një mbledhje e jashtëzakonshme për të debatuar rreth gjendjes në sektorin e arsimit.

Mirëpo, në këtë mbledhje e cila është thirrur që të mbahet këtë të premte, nuk kanë marrë pjesë asnjë kuvendar me arsyetim të gjendjes së rëndë politike në nivel të vendit pas arrestimeve të krerëve të UÇK-së nga Gjykata Speciale.

Kryesuesi i KK-së në Lipjan, Daut Azemi, ka thënë se ditë më parë ka pranuar një kërkesë nga 11 anëtar të Kuvendit nga opozita për një seancë të jashtëzakonshme për të debatuar rreth gjendjes në sektorin e arsimit, mirëpo në këtë mbledhje nuk kanë marrë pjesë opozita të cilët e kërkuan këtë mbledhje.

“Unë si kryesues i KK-së sipas ligjit e kam ftuar këtë mbledhje, ndërkohë një orë para se të filloi mbledhja e kam pranuar edhe një shkresë tjetër nga tre shefa të grupeve për anulimin e kësaj mbledhje me arsyetimin për shkak të veprimeve të Prokurorisë së Dhomave të Specializuara nga Gjykata Speciale”, ka thënë Azemi.

Sipas tij, kërkesa e opozitës ka ardhur me vonesë dhe nuk kanë mundur t’i njoftojnë të gjithë anëtarët.

“Ndoshta një mbledhje tjetër rreth kësaj teme nuk mund të thirret për arsyeje se ne kemi qenë të gatshëm duke i përfillur ligjet dhe po ashtu e falënderoj edhe drejtoreshën e arsimit e cila e ka përgatitur informatën e kërkuar nga anëtaret e Kuvendit, mirëpo mbetet në përgjegjësinë e tyre mosprezenca e tyre në këtë mbledhje”, ka thënë Azemi.

Në anën tjetër, në një shkresë të cilën e kanë dorëzuar opozita të premten në mëngjes në Kuvend, kanë kërkuar anulimin e mbledhjes së jashtëzakonshme për shkak të zhvillimeve të fundit politike në vend. Në kërkesën e opozitës për anulimin e kësaj mbledhje midis të tjerash thuhet se shefat e grupeve nga PDK, AAK dhe Nisma Social Demokrate janë konsultuar me të gjithë kuvendarët dhe janë pajtuar që mos të mbahet kjo mbledhje.

“Zhvillimet e fundit nga veprimet e prokurorisë të dhomave të specializuara nga Gjykata Speciale kanë krijuar një situatë të rëndë për vendin, prandaj kërkojmë anulimin e mbledhjes deri në një kërkesë të re, për një debat tjetër”, thuhet midis të tjerash në kërkesën e kuvendarëve në Lipjan.

Image