Arbëri

Dështimit të vendimmarrjes në Kuvend i kontribuon edhe LVV-ja

Bojkoti opozitar është duke lënë pasoja në punën e trupave parlamentare. Në mungesë të një deputeteje të Vetëvendosjes dhe për shkak të mospjesëmarrjes në votim nga opozita, ka dështuar mbledhja e Komisionit Parlamentar për media, duke mos pasur mundësi të votohet as rendi i ditës. Kryesuesi i Komisionit u shpreh se me këtë ritëm të punës deputetët nuk i meritojnë mëditjet

Mbledhja e Komisionit Parlamentar për Media, në të cilën u ftuan për raportim përfaqësues të Komisionit të Pavarur për Media (KPM), ka dështuar të martën si pasojë e bojkotit të opozitës. Ndonëse prezentë, tre deputetët opozitarë nuk i dhanë mbështetje as rendit të ditës, miratimi i të cilit mbeti peng edhe i një vote të një deputeteje të Vetëvendosjes, e cila mungoi në mbledhje.

Mospjesëmarrja e opozitës në votim nxiti polemika, pushtet-opozitë.

Ligjvënës të Vetëvendosjes e kritikuan qasjen e partive opozitare, sidomos të Partisë Demokratike, meqë, sipas tyre, rendi i ditës i mbledhjes së Komisionit ka qenë edhe kërkesë e PDK-së.

“Unë vetëm një pyetje e kam: nuk e di pse po merrni pjesë edhe në Komisione edhe në seanca nëse as nuk merrni pjesë në votim, as në rend të ditës. Nuk e di arsyen pse vini”, ka thënë Fitim Haziri, deputet i Vetëvendosjes.

Por deputeti i PDK-së, Mërgim Lushtaku, u kundërpërgjigj duke thënë se qëndrimi i tyre politik për të mos marrë pjesë në votim është i ditur tash e disa javë. Kësisoj, ai ka thënë se nuk është dashur të thirrej mbledhja nga kryesuesi i Komisionit pa u siguruar për kuorumin vendimmarrës e mbarëvajtjen e mbledhjes së komisionit.

“Ju e dini që e kemi bërë publike që nuk marrim pjesë në votim. Ju si mazhorancë është dashur ta bëni kuorumin”, është shprehur ai.

E kryetari i Komisionit, Valon Ramadani, është shprehur se me këtë bojkot nuk arsyetohen mëditjet e deputetëve.

“Në këtë diskutim të cilin e keni kërkuar bashkë me ne, nuk merrni pjesë për ta votuar as rendin e ditës. Në anën tjetër nënshkruani dhe merrni mëditje. Kjo nuk është e drejtë”, ka thënë Ramadani.

E sa i përket të drejtës së deputetëve në mëditje, ka polemizuar deputeti i LDK-së, Agim Veliu. Deklarimin e deputetëve të pushtetit në Komision ai e ka parë si presion për ta dirigjuar opozitën se si ta bëjë punën e saj.

“Nëse mendoni që është e padrejtë diçka, na ofro argumente se pse nuk është e drejtë. Kjo që ju po insistoni ta disiplinoni opozitën, që opozita të bëjë çka të doni ju, nuk mundeni me e arritë”, është shprehur Veliu.

Si pasojë e bojkotit të opozitës dhe e mungesës së të gjithë deputetëve të pushtetit, mbledhja e Komisionit është shtyrë për të premten.