Arbëri

Dëshmitari i masakrës së Reçakut thirrje Prokurorisë: Hajdeni për dëshmi se po vdesin dëshmitarët

Muhamet Bilalli

Muhamet Bilalli e ka të vështirë t’i përshkruajë pamjet që i ka parë më 16 janar të 1999-s në fshatin Reçak të Shtimes. Ish-pjesëtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës është një nga pak dëshmitarët e gjallë, që kanë parë krimet që forcat serbe kishin kryer më 15 janar të atij viti kur vranë 45 civilë në këtë fshat.

Në një rrëfim për “60 Minuta” në KTV, në 27-vjetorin e masakrës, Bilalli ka thënë se Reçaku nuk kërkon lëmoshë, por se gjithmonë ka kërkuar vetëm drejtësi. E këtë ka thënë se institucionet e Kosovës duhet të punojnë me urgjencë për ta arritur. Bilalli ka alarmuar se dëshmitarët po plaken e po vdesin.

“Edhe pse jemi 27 vjet pas, për ne kujtimet janë shumë të freskëta. Mund të them se po e kujtoj sikur të jem atë natë. Kanë qenë shumë të rënda”, ka thënë ai fillimisht duke treguar se më 15 janar nuk e kanë ditur se janë kryer masakra, por se kanë menduar se bëhet fjalë vetëm për luftime.

Bilalli kishte arritur të hynte në fshat tek një ditë më pas. Ai ka treguar se më 15 janar në mbrëmje ka parë ushtarë të vrarë e të plagosur. Por deri në atë momente ka pasur informatë vetëm se ka edhe të vrarë të tjerë e se të mbijetuarit janë dërguar në burg. Por ai ka thënë se mesazhin e parë të asaj që ka ndodhur në të vërtetë e ka kuptuar me të hyrë në fshat.

“Kam takuar një kushëri që më ka treguar dhe menjëherë kam nisur të ngjitem kodrës. Të parin që e kam pa ka qenë person pa kokë... Bacin Banush... e në atë lugun përpjetë e dinë krejt mediat se çka kanë maru aty”, ka thënë ai tek e ka vazhduar rrëfimin nën emocione. “Herën e parë kam filluar të shkoj grykës, por nuk kam mundur ta bëj ballë të ngjitem në atë tmerr. Jam kthyer e pas një ore më ka dhënë Zoti forcë e kam shkuar nga fillimi deri në mbarim. S’kisha mujt me besu as sot pas 27 vjetësh... më duket ende... Nuk e di qysh ka mundur të ndodhë ajo masakër... Qysh kanë mujt me e ba. Të pritet koka, të nxirren organet...”

Bilalli ka thënë se ende i ka të freskëta pamjet e të masakruarve nga mosha 12-13 vjeç e deri tek më të moshuarit, ata mbi 80. Sipas tij, identifikimi ishte i lehtë edhe pse ka pasur kufoma të shkatërruara. Bilalli tutje ka thënë se vetëm dy ditë para masakrës, bashkëfshatarët kishin ngrënë darkë bashkë. “Kur më kujtohet sot... më duket befasi... të gjithë ishin të buzëqeshur e të disponuar edhe pse e kanë ditur se çfarë rreziku e kanë”, ka treguar ai.

Sipas tij, në këtë fshat ka pasur rezistencë të madhe dhe kjo ka qenë një prej arsyeve përse ka pasur veprim të tillë nga Serbia. I ka quajtur të shenjtë ushtarët që kanë luftuar në këtë zonë.

Bilalli ka thënë se komandanti i njësisë, komandant Qopa, ka përgatitur të gjitha dëshmitë, prej kush e ka udhëhequr operacionin e deri te mbërritja se si kanë hyrë forcat serbe. Bilalli ka treguar se ky komandant ka qenë dëshmitar në Hagë kundër Millosheviqit, por se më nuk ka pasur ftesa.

Bilalli është shprehur i revoltuar me institucionet e drejtësisë.

“Të them tash pas 27 vjetësh se si dëshmitar i kam parë të gjitha... kjo është shumë e rëndë. Sepse nuk është punuar për ta. Se nuk është vënë drejtësia në vend. Nuk është marrë askush. Kurrë... as si pjesëtar i UÇK-së, e as si individ a qytetar i Kosovës, nuk kam besuar që do të vijë të formohet shteti, institucionet, e të mos ketë sektor që merret me krimet e luftës e të vihen kryerësit e këtyre veprave para drejtësisë. Fshati Reçak nuk kërkon lëmoshë... çdo herë ka kërkuar vetëm drejtësi, e sidomos kur dihen kryerësit e veprave. S’ka ndodhur asgjë fshehurazi, por në sytë e botës”, ka thënë ai.

Edhe pse të vonuar, Bilalli e ka vlerësuar ngritjen e aktakuzës në mungesë ndaj 21 personave për masakrën e Reçakut. Megjithatë, ai ka apeluar që hetuesia të shkojë sa më shpejt në Reçak për të marrë dëshmitë. Sipas tij, janë më shumë se 15 dëshmitarë që ende kanë mundësi të japin dëshmitë e tyre.

“Kur jemi tek aktakuza, një pjesë e dëshmitarëve na kanë vdekur. Po mbesim gjithmonë e më pak. Edhe babai im që ka qenë i plagosur nuk është më. Edhe këta që kanë mbetur po na vdesin”, ka thënë ai.

Bilalli ka shprehur dyshime në drejtësi, por ka thënë se kjo mund të arrihet po që se veprohet tash me urgjencë. Ai ka thënë se ka dëshmitarë që edhe po hezitojnë të japin më dëshmitë për shkak se për 27 vjet kanë hasur në vesh të shurdhër.

Bilalli është skeptik se vetë mund ta presë drejtësinë.

“Nuk besoj që do ta pres. Dihen raportet që i kemi edhe po që se të gjithë dënohen. E kemi menduar se bashkësia ndërkombëtare mund të na afrojë pak. Shteti duhet të merret me ta që të obligohen për zbardhjen e krimeve të luftës. Nuk është vonë për t’i dorëzuar kryerësit. Krim quhet gjithë. Për mua ka qenë gjenocid”, ka deklaruar Bilalli.

Bilalli ka thënë se Kosova ka dëshmi të mjaftueshme që ta akuzojë Serbinë.

“Kasapi i Ballkanit i ka pasur 82 dëshmitarë e presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, në Hagë 350. Nuk e di se ku po shkojmë, kur kemi dëshmi e dëshmi që ta akuzojmë okupatorin. Na kanë masakruar, na kanë pre, na kanë gri nëpër shpia. Më dhimbset ajo popullatë sepse ishin të vetëdijshëm për rreziqet e asnjë nuk u tremb. Askush s’ka dëshirë të vdesë, por me ato rreziqe që i kanë parë, asnjë s’ka ikur nga fshati. Kam pasur shumë biseda me ta. Më 13 janar 1999 më kanë thënë ‘s’kemi ku të shkojmë le të na vrasin e të na masakrojnë’”, ka theksuar ai.