Deri në një vit presin pacientët e Spitalit të Gjakovës për heqjen e perdes së syrit në repartin e Oftalmologjisë. Në spital thonë se dy nga arsyet kryesore të krijimit të kësaj liste janë mungesa e një aparature moderne si dhe operimi me vetëm një mjek specialist. KOHA ka pyetur SHSKUK-në për këto probleme të spitalit, por ky institucion nuk ka ofruar përgjigje.
Deri në dymbëdhjetë muaj është lista e pacientëve në pritje për heqjen e perdes së syrit në repartin e Oftalmologjisë në Spitalin e Gjakovës.
Për pritjet për t’iu nënshtruar këtij intervenimit operativ për largimin e kataraktit ka treguar nën kushte anonimiteti një paciente.
“Më kanë shtuar në listën e pritjes para diku dy muajsh. Më kanë thënë se duhet me prit në radhë me arsyen se nuk jam rast urgjent”, ka thënë pacientja.
Këto të dhëna për Spitalin e Gjakovës figurojnë edhe në dokumentin që KOHA ka siguruar nga SHSKUK-ja mbi patologjitë dhe kohën mesatare të pritjeve për kryerjen e shërbimeve të ndryshme.
E ushtruesi i detyrës së drejtorit ekzekutiv i spitalit, Hilmi Shala, ka dhënë dy arsye për krijimin e listës së pritjes.
“Mungesa e aparaturës së quajtur PHACO përmes së cilës kryhen operacionet e kataraktas me laser një metodë bashkëkohore ndërsa në spitalin tonë kryhen me metodën klasike në mungesë të kësaj aparature. Arsyeja e dytë është se në spitalin tonë është vetëm një mjek specialist Oftalmolog”, ka thënë Shala.
Sipas Shalës, që nga shtatori, spitali është angazhuar për të larguar listat e pritjes.
“Jemi angazhuar që të sigurohet kjo aparaturë sa më shpejt dhe të hiqet lista e pritjes. Kemi synime si menaxhment që deri në fund të vitit 2023 në Spitalin tonë të mos ketë listë të pritjes për asnjë shërbim”, ka shtuar ai.
KOHA ka pyetur SHSKUK-në se kur planifikohet të furnizohet spitali me aparaturë moderne dhe për mundësitë e angazhimit të oftalmologëve të QKUK-së në Gjakovë porse nuk ka marrë përgjigje.
Muaj më parë KOHA ka raportuar se për realizimin e këtij intervenimi ka mbi 1 mijë e 100 pacientë që janë në pritje deri në gjashtë muaj edhe në Klinikën e Oftalmologjisë në QKUK.
Përveç heqjes së perdes së syrit, lista të pritjes në QKUK ka edhe për shërbime të tjera.