Arbëri

Deri në 60 për qind humbje e ujit në Ferizaj shkaku i ndërtimeve në rrugë

Punimet e vazhdueshme në objekte banesore dhe në infrastrukturë rrugore në qytetin e Ferizajt shpeshherë po shkaktojnë defekte në rrjetin e ujësjellësit dhe atë të kanalizimit.

Kjo çështje ka nxitur reagimet e Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit “Bifurkacioni”, derisa qytetarët me ditë të tëra po mbesin pa ujë.

Në kompaninë e ujësjellësit kanë thënë se Komuna duhet t’i kushtëzojë operatorët me riparim të dëmeve që i shkaktojnë gjatë punimeve, derisa ata pajisen me leje ndërtimore nga ky institucion.

Nazif Asllani, drejtor i kësaj kompanie, ka thënë se sipas raporteve humbjet e ujit shkojnë deri në deri në 60 për qind.

“Për çdo ditë kemi ndërtime në qytetin tonë dhe çdo prishje e shtëpive të vjetra ekzistuese dhe ndërtimi i banesave të reja po na shkakton një humbje të madhe të ujit. Kjo për shkak se as punëkryesi nuk po mundet ta evidentojë se ku gjendet gypi i ujit dhe derisa po kryhet sanimi i defektit normalisht po kemi humbje të ujit. Edhe punimet e shumta që po bëhen në qytet si nënkalimet etj. kanë shkaktuar telashe”, ka thënë ai.

KOHA ka provuar të marrë deklaratë nga ndërtues të objekteve banesore, por ata nuk kanë pranuar të flasin.

E në Komunë përgjegjësinë ia kanë hedhur kompanisë “Bifurkacioni”, me arsyetimin se ajo duhet ta mirëmbajë rrjetin e ujësjellësit dhe atë të kanalizimit.

“Nuk jepet asnjë leje ndërtimore pa pëlqimin e “Bifurkacionit”, kompania e cila e mirëmban rrjetin e ujësjellësit dhe të kanalizimit dhe nëse ka defekte në këtë drejtim atëherë përgjegjës janë ata që kanë dhënë pëlqim nëpër një pjesë ku do të bëhet ndërtimi dhe mund të ketë defekte. Por siç e dimë ne gjatë kësaj periudhe defekte më shumë se një ditë, dy apo tre ditë nuk ka pasur”, ka thënë Lulzim Aliu, drejtor për Urbanizëm në Komunën e Ferizajt.

Drejtori Aliu ka thënë se aty ku punohet mundësitë për defekte të janë të mëdha, andaj Komuna nuk ka shënime të sakta se kah janë të vendosur gypat e ujësjellësit dhe të kanalizimit brenda qytetit të Ferizajt.