Arbëri

Deri në gjashtë muaj pritje në Oftalmologji për heqje të perdes së syrit

Për largimin e perdes së syrit, në Klinikën e Oftalmologjisë, në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës të evidentuar në listë të pritjes janë mbi 1 mijë e 100 pacientë. Disa prej tyre i kanë thënë KOHËS se për operimin e kataraktit kanë pritur edhe deri në gjashtë muaj. Oftalmologu Mentor Gorani ka theksuar se fjala është për rastet që nuk janë urgjente, teksa ka pranuar se lista të gjata të pritjes ka edhe për shërbime të tjera

Mbi 1 mijë e 100 pacientë figurojnë në listë të pritjes së Klinikës së Oftalmologjisë për t’iu nënshtruar intervenimit kirurgjikal për heqjen e kataraktit.

Oftamologu Mentor Gorani e pranon se në këtë klinikë, pacientët detyrohen të presin deri në gjashtë muaj për ta bërë heqjen e asaj që njihet si perde e syve.

Por ai thotë se të gjitha janë raste jourgjente, teksa bën të ditur se brenda një viti kryhen deri në 2 mijë e 500 intervenime të tilla.

“Lista e pritjes me kohë është zvogëluar dhe momentalisht ka të bëjë me numrin e pacientëve të cilët kanë nevojë për me u operu prej perdes, respektivisht kataraktit. Dua të cek se bëhet fjalë jo për ato raste që janë urgjente, domethënë janë elektive dhe numri i tyre është përafërsisht rreth 1 mijë e 125 pacientë, të cilët janë në listë të pritjes në Klinikën e syve. Me një kohëzgjatje rreth pesë deri në gjashtë muaj përafërsisht është koha mesatare e pritjes së këtyre pacientëve për realizimin e këtij intervenimi”, ka thënë Gorani.

Për pritje prej gati gjysmë viti në Klinikën e syve, në kushte anonimiteti, ka treguar edhe familjari i një pacienti që pak muaj më parë iu nënshtrua këtij intervenimi.

“Familjarin tim e kanë shtuar në listë të pritjes. Ka pritur rreth gjashtë muaj. Pastaj e lajmëruan katër ose pesë ditë përpara për t’i kompletuar analizat, në mënyrë që të lajmërohet në datën e caktuar në klinikë. Pastaj është hospitalizuar, e ka hapur historinë dhe të nesërmen është operuar”, ka thënë për KOHËN familjari i një pacienti.

E pacientja Dashurie Salaj, që i është nënshtruar operimit nga gjakderdhja në sy dhe katarakti, ka thënë se për intervenimin ka pritur dy javë.

“Kam pritur dy javë. Kam bërë 36 gjilpëra këtu te doktori, kam bërë shtatë herë laser, vuaj prej diabetit, jam me sëmundjen e sheqerit qe 30 vjet”, ka thënë Salaj.

Oftalmologu Gorani ka theksuar se lista të pritjes ka edhe për disa shërbime të tjera që ofrohen në Klinikën e syve në QKUK.

“Kemi operacionet e strabismus, ku numri është përafërsisht 22, po flas me statistika shumë të freskëta, me 12.9.2023, tek operacionet e strabismus, ku koha mesatare e pritjes është dy deri në katër muaj. Kurse për intervenimet, respektivisht për operimet e tjera, lista e pritjes është një javë deri në dy muaj, varësisht prej përgatitjes së pacientit, domethënë sëmundjet e retinës, prozac, dacriocistite, keratoconus apo operacione të tjera; teriumi, ectropion, entropiumi apo glaukomat jourgjente, respektivisht të gjitha urgjencat kryhen në afatin sa më të shpejtë të mundshëm”, ka thënë Gorani.

KOHA ka raportuar për lista të gjata të pritjes për marrjen e shërbimeve edhe në klinika të tjera të QKUK-së.

E ato ishin temë diskutimi edhe në një nga mbledhjet e Bordit Drejtues të Shërbimit Spitalor Klinik e Universitar, gjatë të cilit është shprehur kërkesa që listat e pritjes të raportohen në vazhdimësi, të digjitalizohen dhe të krijohet një plan veprimi në mënyrë që do të zvogëlonte ato.