Arbëri

Deri 16 fish më shtrenjtë SHSKUK-ja bleu pajisje për të paralizuarit

Shërbimi Spitalor Klinik Universitar nuk e ka respektuar udhëzimin administrativ, kur ka blerë pajisje ndihmëse për personat paraplegjikë e tetraplegjikë. Ka pajisje që i ka blerë dyfish më shtrenjtë sesa lejohet me udhëzim administrativ, e 16 fish më shtrenjtë se që ato mund të porositen në tregun online. E, Bordi Drejtues i SHSKUK-së të enjten ka kërkuar të auditohet procesi i prokurimit për 4 mijë e 250 pajisjet për të paralizuarit. E ka bërë këtë, pas pyetjeve të KOHËS për diferencat në çmim

Një bastun i thjeshtë, që në tregun online kushton nga 3 deri në 6 euro, Shërbimi Spitalor e Klinik Universitar (SHSKUK) e ka blerë për 98 euro.

Ky çmim është dyfish më shtrenjtë sesa çmimi maksimal i përcaktuar me udhëzim administrativ, e 16-fish më shtrenjtë sesa që mund të porositet online.

Sipas udhëzimit për pajisjet që ofrohen falas për personat paraplegjikë dhe tetraplegjikë, për një shkop mund të shpenzohen 10 deri në 50 euro. Pavarësisht kësaj, SHSKUK-ja i bleu 50 sosh me origjinë kineze, me çmim 98 euro për copë. 

Pagoi 3.920 euro më shumë se minimumi, e 2.400 euro më shumë se maksimumi i lejuar. Për bastun SHSKUK-ja nuk përmendi asnjë specifikë në dosjen e tenderit.

Çmimi i Udhëzimit Administrativ është tejkaluar për disa herë edhe në blerjen e 6 produkteve të tjera. 

Produkti ‘Shëtitore statike’ është blerë 150 euro copa, 50 euro më shumë sesa maksimumi i përcaktuar. Në faqet online ky produkt shitet nga 13 deri në 50 euro. 

Sipas ekspertit të prokurimit në organizatën ‘Demokraci Plus’, Ardit Dragusha, SHSKUK-ja me kontraktimin e këtyre produkteve, përtej çmimeve të përcaktuara në udhëzim administrativ, e ka keqpërdorur buxhetin publik.

“Udhëzimi administrativ është akt nënligjor, është i detyrueshëm, dhe në këtë rast SHSKUK-ja, si autoritet kontraktues, i referohet këtij udhëzimi administrativ dhe të njëjtën kohë nuk e respekton. Në këtë rast ndodh vetëm një shkelje e aktit nënligjor, shkelje ligjore edhe ndodh një keqpërdorim i buxhetit publik. Në asnjë prej pozicioneve nuk është dashtë me u tejkalu vlera e përcaktuar me këtë udhëzim administrativ, se aty vlera nuk është një vlerë, domethënë varion prej minimale në maksimale. Brenda këtyre dy vlerave mund të bëhet kontraktimi i tyre, është dashur të bëhet”, ka thënë Dragusha.

KOHA prej nëntë ditësh ka dërguar pyetje në SHSKUK, lidhur me tejkalimin të çmimeve të përcaktuara me udhëzim administrativ, por nuk ka marrë përgjigje.

E në kompaninë kontraktuese thanë se ofertuan në përputhje me vlerën e parashikuar nga SHSKUK-ja.

“Të gjitha çmimet e ofertuara janë brenda vlerës së parashikuar të kontratës dhe vlerës referente të çmimeve të tregut, duke i marrë parasysh karakteristikat dhe sasitë e secilit produkt. Sa i përket krahasimit tuaj të çmimit të shkopit i cili ka kushtuar 98 euro, ne ju sqarojmë se marrë parasysh karakteristikat e ofruara për këtë shkop, i njëjti është brenda çmimeve të tregut, duke marrë parasysh kostot e prodhimit, importit, transportit dhe distribuimit. Sa i përket dallimit të çmimit me udhëzimin administrativ, ju sqarojmë se vlera e ofertës sonë është brenda vlerës së parashikuar të kontratës nga vetë Autoriteti Kontraktues”, thuhet në një përgjigje të shkruar të kompanisë “Madekos”.

KOHA ka raportuar javë më parë se si 4 mijë e 250 pajisjet e kontraktuara nga SHSKUK-ja një vit më parë, në vlerë gati 6.5 milionë euro, ende nuk janë shpërndarë te personat paraplegjikë e tetraplegjikë.

Në SHSKUK nuk kanë dhënë qasje në dokumentet lidhur me procedurat e prokurimit dhe kontraktimit të këtyre produkteve. Për këtë KOHA ka adresuar ankesë tek Agjencia për Informim dhe Privatësi.

E, pas raportimit të KOHËS për mosshpërndarjen e 4.250 pajisjeve për personat paraplegjikë e tetraplegjikë dhe interesimit për diferencat në çmim gjatë kontraktimit, Bordi Drejtues i Shërbimit Spitalor e Klinik Universitar ka kërkuar auditim të brendshëm për këtë proces të prokurimit. 

Auditimi është kërkuar pas pyetjeve të KOHËS për çmimet dhe pas kërkesës për qasje në dokumente zyrtare lidhur me këtë proces, gjë që është refuzuar.

“Në kuadër të përkushtimit të vazhdueshëm të Bordit Drejtues, për rritjen e efikasitetit, transparencës dhe llogaridhënies në punën e SHSKUK-së, kërkojmë nga Njësia e Auditimit të Brendshëm të realizojë një auditim të përgjithshëm të inicimit dhe zhvillimit të procesit të prokurimit të pajisjeve për personat paraplegjikë dhe tetraplegjikë”, thuhet në kërkesën e Bordit.

Në pyetjet që i janë dërguar, nga Bordi nuk kanë treguar pse kjo kërkesë nuk është bërë në mbledhjet e deritashme, por vetëm pas interesimit të KOHËS e as pse nuk është lejuar qasja në dokumente zyrtare. 

Gjatë javës, ndonëse KOHËS iu lejua qasja në dokumentet e SHSKUK-së, në lidhje me vendosjen e çmimeve për njësi, një gjë e tillë iu pamundësua më pas, me arsyetimin e zyrtarit për prokurim se nuk e posedon një dokument të tillë. 

E, drejtori i Financave në QKUK, Enver Gashi, në emisionin “Konfront” në KTV, ditë më parë deklaroi se nuk ka vonesë në shpërndarje dhe se gjithçka po ecën sipas planifikimit.