Arbëri

Dërgohen në komision disiplinor pesë zyrtarë që dyshohet se manipuluan me listat e konkursit në Arsim

Këshilltarët e KK-së në Lipjan gjatë ditës janë përplasur mjaftë shumë me ekzekutivin e komunës duke debatuar rreth shpalljes së rezultateve nga drejtoria komunale e arsimit për një vend të punës nën dyshimin se atë e ka përfituar një militant i LDK-së i cili nuk ka qenë fare pjesë e konkursit. Ndërkohë Komuna e pati anuluar këtë vendim pas inicimit të rastit në Policinë e Kosovës. Për këtë ngjarje ditë më parë ka raportuar koha.

Kryetari i Komunës Imri Ahmeti, në mbledhjen e sotme të KK-së, ka njoftuar se për të gjithë anëtarët e komisionit në këtë konkurs ka iniciuar komision disiplinor për të dhënë përgjegjësi për gabimet e bëra në konkursin e arsimit.

Image

“Ka pasur një gabim teknik, në vend se të del lista e të pranuarve, është dalë lista e aplikantëve dhe unë e kam anuluar komplet. E gjithë komisionin e kam dërguar në komision disiplinor dhe le të japin llogari për këtë gabim teknik”, ka thënë Ahmeti. Ai ka shtuar se komuna ka trashëguar shumë probleme të tilla nga ish qeverisja e PDK-së, por që nuk ka dashur t’i bëj publike ato.

Por, me deklaratat e Ahmetit nuk janë pajtuar aspak opozita. Lumturie Bytyqi- Hasani, nga PDK-ja, ka thënë se ato që kanë ndodhur nga ish qeverisja e kaluar para shtatë vjetësh është dashur që ekzekutivi t’i drejtohet organeve të drejtësisë.

“Ne jemi këtu për t’i zbuluar padrejtësitë dhe manipulimet që po i bëni në emër të qytetarëve, andaj ne po merremi me të tashmen por jo me të kaluarën. Në konkursin e fundit aty është publikuar një listë me një emër që ai person nuk ka qenë pjesë e intervistës me shkrim dhe as me gojë dhe ky është skandal. E, konkursi është anuluar pasi që është bërë mediatik dhe duhet ta pranoni këtë fakt”, ka thënë Hasani.

Ndërkaq, Nazmi Krasniqi, nga PDK-ja ka thënë se kryetarët e komunave kanë dëshirë t’i shikojnë listat e kandidatëve nëpër konkurse sepse dikush mund ta takoi kryetarin dhe të interesohet për atë çështje.

“Te çështja e konkursit ka qenë një gabim drastik. Intervistat e kandidatëve për fat të keq janë lojë e madhe në krejt Kosovën. Por të pranohet një kandidat që s’ka qenë fare pjesë e konkursit, kjo nuk ka ndodhur në ish qeverisjen e kaluar, por kryetar merr masa ndaj atyre dhe mos e përdor më asnjëherë pushtetin e kaluar sepse kanë kaluar 7 vjet dhe ju nuk duhet të bëni aso gabime”, ka kritikuar Krasniqi.

https://www.koha.net/kosove/242287/kandidati-hap-rast-ne-polici-komuna-anulon-shpalljen-e-rezultateve/?fbclid=IwAR3UudgUtyikk7GJ-uSL4cr-XNpA8X9uzQxlUfB03rY8LRtvcxY3ALu57GI