Arbëri

Deputeti Zemaj përfshihet në incident fizik, kërkon falje publike

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Armend Zemaj

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Armend Zemaj

Foto: Alban Bujari

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Armend Zemaj, është përfshirë në një incident fizik me një qytetar të premten. Policia e Kosovës ka thënë se palët e përfshira në incident po intervistohen. 

Rasti ka ndodhur gjatë një interviste me gazetarin Astrit Gashi, i cili ka bërë të ditur se për rastin është lajmëruar edhe Policia e Kosovës, që ka marrë pamjet e xhiruara nga kamera.

Policia ka konfirmuar se palët e përfshira janë intervistuar.

“Sot rreth orës 15:00 është pranuar informata për një konflikt fizik në sheshin ‘Ibrahim Rugova’ në Prishtinë. Lidhur me incidentin palët e përfshira janë duke u intervistuar në polici. Për detaje shtesë do t’ju njoftojmë me kohë”, thuhet në njoftim.

Ndërkaq Zemaj ka kërkuar falje për rastin. Ai ka thënë se reagimi që ka bërë nuk ia përfaqëson bindjet personale e as parimet si deputet.

“Sot gjatë një interviste publike ndodhi një situatë e pakëndshme, për të cilën ndjej keqardhje të sinqertë. Një qytetar, nuk e di a ishte e rastit apo me qëllim të caktuar, këtë do e vërtetojnë policia, më ofendoi dhe më provokoi verbalisht me fjalë të papranueshme, para medias dhe gazetarit që ishim në intervistë. Në atë moment reagova në mënyrë të vetëmbrojtjes në afekt, gjë e cila nuk përfaqëson as bindjet e mia personale, as parimet që unë përfaqësoj si deputet dhe si anëtar i Lidhjes Demokratike të Kosovës. Në këto raste sulmi dhe fyerjesh të ulëta, sigurisht do duhej të ruaja qetësinë dhe dinjitetin në çdo rrethanë dhe pavarësisht provokimit, i cili nuk me ka ndodhë kurrë gjatë karrierës sime, dhuna, në çfarëdo forme, nuk është përgjigje e drejtë. Për këtë veprim, shpreh keqardhje dhe kërkoj falje publike”, ka shkruar ai në Facebook.

Në fund ai ka thënë se e respekton çdo person për mendime a kritika. Ka thënë rasti duhet t’i shërbejë si mësim.

“Kam respekt të plotë për çdo person, për çdo mendim dhe çdo kritikë, pavarësisht se sa e ashpër mund të jetë ajo, e imja është te mos reagoj me emocione. Andaj duhet të më shërbejë si mësim për të qenë më i durueshëm dhe më i përmbajtur në çdo situatë. Faleminderit të gjithëve për mirëkuptimin”, ka përfunduar Zemaj.

Version të ngjarjes ka dhënë edhe avokati Liridon Kutllovci, që është prezantuar si mbrojtës i qytetarit me të cilin Zemaj u përfshi në incident fizik. Sipas tij, qytetari i është drejtuar Zemajt me fjalët: “Të gjithë jeni njësoj, vetëm gënjeni”. Kutllovci ka thënë se ky reagim i klientit të tij ka ndodhur si pasojë e frustrimit qytetar për gjendjen politike e ekonomike në vend.

Kutllovci ka thënë se sulmi ka ndodhur nga Zemaj, pa provokim tjetër prej qytetarit.

“Në vend që deputeti të ruante qetësinë dhe etikën që i takon një përfaqësuesi të Kuvendit të Republikës, ai (Zemaj) është kthyer dhe i është drejtuar qytetarit me fjalët fyese: “Gënjen nëna dhe Gruaja juaj”. Ky fjalor i papranueshëm është përdorur në prani të bashkëshortes së qytetarit. Pas rreth 20 sekondash, deputeti Armend Zemaj e ka sulmuar fizikisht klientin tim me grusht, pa asnjë provokim tjetër nga ana e tij. Klienti im ka reaguar në mënyrën më të moderuar të mundshme, pa ushtruar asnjë formë dhune dhe menjëherë ka thirrur policinë, duke demonstruar vetëpërmbajtje dhe respekt për rendin ligjor”, ka shkruar ai në një komunikatë për media.

Kutllovci ka thënë se do të ndërmarrë të gjitha veprimet ligjore “në mënyrë që ky rast të mos mbetet pa përgjegjësi dhe që dinjiteti i qytetarit të mbrohet plotësisht”.

Ndërkaq partia e Zemajt, LDK-ja ka thënë se bëhet fjalë për sulm ndaj deputetit.

“Lidhja Demokratike e Kosovës dënon ashpër sulmin e papranueshëm të ndodhur sot gjatë një interviste publike, ku deputeti i LDK-së, z. Armend Zemaj, jo vetëm që është ofenduar dhe provokuar verbalisht, por edhe është përballur me sulm fizik ndaj tij. Ky akt është i papranueshëm dhe përbën cenim të drejtpërdrejtë ndaj sigurisë personale të një përfaqësuesi të zgjedhur të popullit e të LDK-së dhe ndaj vetë integritetit të institucioneve demokratike të vendit”, thuhet në një reagim të premten.

Kjo parti ka shprehur solidaritet me deputetin e saj, ndërsa ka thënë se sulmi është cenim i dinjitetit institucional dhe kulturës demokratike.

Zemaj ka qenë edhe ministër i Shëndetësisë në Qeverinë Hoti. Ndërkaq si deputet ka siguruar postin në pesë mandate.