Arbëri

Deputetët presin që Kushtetuesja të sqarojë nëse Kuvendi mund të konstituohet pas afatit 30-ditor

Ka dështuar edhe përpjekja e së martës për konstituim të Kuvendit, pa u hedhur në votim formimi i komisionit për votimin e fshehtë për kryeparlamentar. Seanca, e cila ka zgjatur rreth tri minuta, është ndërprerë pas ndërhyrjes së deputetes së PDK-së, Ganimete Musliu. Vazhdimi i radhës është caktuar për të premten teksa të shtunën përfundon afati kushtetues për konstituim. Partitë politike presin që deri të shtunën Gjykata Kushtetuese të sqarojë nëse funksionalizimi i legjislaturës së re mund të ndodhë edhe pas afatit të përcaktuar prej 30 ditësh

As të martën nuk është konstituuar përbërja e re e Kuvendit. Përpjekja e 51-të për zgjedhjen e kryeparlamentarit ka përfunduar pa rezultat, pasi që seanca është ndërprerë pa u hedhur në votim formimi i komisionit për votimin e fshehtë. 

Shkak i ndërprerjes është bërë deputetja e Partisë Demokratike (PDK), Ganimete Musliu, së cilës i është ndalur dy herë fjala nga kryesuesi i seancës, Avni Dehani, pasi që nuk ka bërë propozimet për anëtarë komisioni, ashtu siç i është kërkuar.

“I bëj lutje zotit Dehari, nëse të ka mbetur pak moral njerëzor”, ka thënë Musliu, para se kryesuesi Dehari të kërkojë që zëri në mikrofonin e foltores së Kuvendit të ndalet.

Pas kësaj Dehari ia ka dhënë edhe një herë mundësinë për të propozuar anëtarin nga radhët e PDK-së për këtë komision, por Musliu e ka përdorur njëjtë foltoren dhe sërish i është ndalur mikrofoni. 

Në shenjë proteste, Musliu e ka penguar Deharin që ta kryesojë seancën duke ia pamundësuar që të flasë në mikrofonin e tij tek ulësja e kryeparlamentarit. Për pasojë, Dehari e ka ndërprerë seancën dhe e ka caktuar vazhdimin e radhës për të premten. 

Edhe pas ndërprerjes së vazhdimit të 51-të të seancës, deputetët të cilët u përkasin subjekteve politike që në mandatin e shkuar kanë qenë në opozitë, kanë qëndruar në sallë dhe kanë shprehur kritika për bllokadën në Kuvend. E për këtë përgjegjësinë ia kanë faturuar Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), parti që ka dalë fituese në zgjedhjet e 9 shkurtit.

“Kjo nuk është thjesht krizë politike, ky është turp kombëtar. Zonja Haxhiu, a nuk të vjen turp që Kosova mbahet peng nga ti, që për muaj të tërë nuk arrite t’i marrësh votat për kryetare të Kuvendit”, ka thënë deputetja e PDK-së, Kosovare Murseli.

Kritika ka shprehur edhe deputeti i Lidhjes Demokratike (LDK), Krenar Xhaferi.

“Kosova nuk u çlirua për të pasur një pushtet që nuk e duron mendimin ndryshe. Ajo u çlirua për të ndërtuar një republikë që askush nuk është mbi ligjin dhe debatin”, ka thënë ai.

E kritikat deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Time Kadrijaj, i ka adresuar te kryeministri në detyrë, Albin Kurti.

“Për 6 muaj njeriu që e konsideron veten si baba i kombit, me 48 deputetë nuk mundet t’i sigurojë edhe 13 deputetë për ta bërë konstituimin e Kuvendit dhe formimin e Qeverisë. Zoti e bekoftë këtë popull dhe e ruajtë prej Albin Kurtit”, është shprehur Kadrijaj.

Institucionet e reja nuk janë themeluar, ndonëse të hënën bëhen katër muaj nga certifikimi i rezultateve të zgjedhjeve të 9 shkurtit.

E të shtunën e 26 shkurtit përfundon afati i caktuar nga Gjykata Kushtetuese, për përmbylljen e seancës konstituive. Me aktgjykimin e 26 qershorit, Kushtetuesja ka përcaktuar se legjislatura e nëntë duhet të konstituohet brenda afatit 30-ditor. Por akterë politikë presin që deri të shtunën kjo instancë të japë sqarime nëse Kuvendi mund të konstituohet edhe pas këtij afati. 

Kryetari i Partisë Demokratike, Memli Krasniqi, ka thënë të mërkurën se pret që brenda këtij afati Gjykata të japë sqarime në kërkesat që PDK-ja dhe LDK-ja i kanë dërguar në Kushtetuese nga fillimi i korrikut, krahas asaj të presidentes që u dërgua të martën. Presidentja Vjosa Osmani ka kërkuar nga Gjykata që t’i saktësojë pasojat që prodhohen në rast se legjislatura e nëntë nuk konstituohet brenda afatit të përcaktuar. Ajo ka kërkuar gjithashtu masë të përkohshme për pezullimin e afatit 30-ditor.

“Fatkeqësisht, aktgjykimi i fundit i Gjykatës Kushtetuese nuk e ka saktësuar se cilat janë, po e them kushtimisht, reperkusionet ose pasojat. Por nëse nuk arrijmë që ta konstituojmë brenda 30 ditëve, pikëpyetje e madhe është a kemi të drejtë ta konstituojmë në ditën e 31-të”, ka thënë Krasniqi.
Qartësi për këtë çështje pret edhe kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, i cili ka thënë se një prej pasojave do të duhet të jetë që Gjykata t’ia marrë partisë së parë të drejtën për propozimin e kryeparlamentarit, çështje kjo në të cilën ka ngecur konstituimi i Kuvendit.

“Çfarë ndodh tutje, nëse i pari nuk e shfrytëzon këtë të drejtë, kjo është e paqartë dhe këtë qartësi e presim të gjithë. Nëse i pari nuk arrin ta përdorë këtë të drejtë, do të ishte e logjikshme sikur në rastin e Qeverisë, që dikush tjetër të provojë të bëjë një gjë të tillë. T’i humbet edhe e drejta, meqenëse nuk po e shfrytëzon një të tillë në bazë vullnetare”, ka thënë Abdixhiku.

Ramush Haradinaj, kryetar i AAK-së, ka vlerësuar se pas kërkesës së presidentes Osmani për t’iu drejtuar Kushtetueses me kërkesë për interpretim lidhur me pasojat juridike që mund të lindin nëse Kuvendi i ri nuk konstituohet brenda 30-ditësh, krijohet hapësirë edhe disaditore për LVV-së.

“Pas kërkesës së presidentes Vjosa Osmani që t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese për interpretim lidhur me pasojat juridike që mund të lindin nëse Kuvendi i ri nuk konstituohet brenda 30-ditësh, krijohet hapësirë edhe disa ditë për Lëvizjen Vetëvendosje. Shpresoj se Gjykata Kushtetuese nuk do të vonojë vendimet e saj”, është shprehur ai.

E kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, e ka vlerësuar këtë kërkesë si ndihmesë në konstituimin e legjislaturës së re.

Nga e shtuna e kaluar, Lëvizja Vetëvendosje (LVV) dhe Nisma kanë bërë përpjekje për një marrëveshje politike për konstituim të Kuvendit, duke shkëmbyer oferta. 

Limaj nuk ka dhënë hollësi lidhur me ofertën që ka marrë nga Vetëvendosje, por ka thënë se pret që të ketë edhe takime të tjera.

“Kemi pasur disa takime me kryeministrin. Në tavolinë kemi opsione edhe nga Vetëvendosje, edhe nga Nisma. Më shumë kemi biseduar tema programore, tema politike, diplomatike, tema e sigurisë. Besoj që do të kemi kohë të mjaftueshme që me një vendim të Gjykatës do ta qartësojë përfundimisht, të ndihmojë këtë përbërje të parlamentit por do ta ndihmojë Kosovën edhe në të ardhmen në situata të tjera”, ka thënë Limaj, partia e të cilit ka siguruar tri mandate në Kuvend.

E tek ka folur për koalicion të mundshëm, ai ka theksuar se subjekti i tij është kundër një zgjidhjeje “gjysmake”.

“Qëndrimi i Nismës është që nuk besojmë në zgjidhje parciale. Duam shumicë qeverisëse, e cila e konstituon Kuvendin, edhe krijon qeveri. Nisma nuk do të kontribuojë në zgjidhje gjysmake, që pastaj do të shkaktonin zgjedhje. Nuk duam shumicë ‘me episoda’”, ka shtuar ai.

Por, më me nguti e presin përgjigjen në Vetëvendosje. Deputetja e këtij subjekti, Arbreshë Kryeziu-Hyseni, ka thënë se LVV-ja është optimiste për bashkëpunimin me Nismën.

“Ne po presim një përgjigje prej këtij subjekti politik. Jemi optimistë se do të kemi një përgjigje pozitive të paktën deri në fund të kësaj jave, pasi po i afrohemi datës 26 korrik, kur edhe konsumohet 30-ditëshi në aktgjykimin e Kushtetueses. Një gjë e tillë duhet të ndodhë para këtij afati, sepse e kemi obligim dhe përgjegjësi secili prej deputetëve këtu”, është shprehur ajo.

Nisma e ka kërkuar pozitën e kryeparlamentarit, e cila ka qenë pengesa kryesore për marrëveshje, meqë në Vetëvendosje kanë vlerësuar se ky post i takon asaj. 

Këtë çështje e ka komentuar edhe kryetari i PDK-së. Krasniqi ka thënë se mungesa e transparencës nga dy palët për bisedimet është dëshmi se “diçka nuk është në rregull”, teksa ka shprehur dyshime se kryetari i Nismës do të propozohet nga LVV-ja për postin e kërkuar.

“Sa i përket Fatmir Limajt, a e keni parë diku që është kandidat? E para, unë nuk besoj kurrë se do të jetë kandidat. Ia kam thënë edhe atij personalisht. Nuk e propozon Albin Kurti asnjëherë. Për këtë temë nuk besoj se do të kemi arsye për të diskutuar. Një deputet i PDK-së ka thënë se mendon që do të ishte mirë për të votuar, por PDK-ja nuk voton në mënyrë të shthurur, por sipas vendimeve partiake.

Këto janë tendenca dashakëqija. Në PDK, 24 votat janë unike”, është shprehur ai.

Në aktgjykimin e saj, Gjykata Kushtetuese nuk ka përmendur pasoja nëse Kuvendi nuk konstituohet brenda afatit prej 30 ditësh. Me gjithë 51 përpjekjet, Kuvendi nuk ka arritur të konstituohet për shkak të mosmarrëveshjeve politike. LVV-ja, si fituese e zgjedhjeve, e ka propozuar Albulena Haxhiun për kryeparlamentare, por ajo nuk ka kaluar në votim të hapur.

Në bazë të rezultatit zgjedhor, LVV-ja ka siguruar 48 ulëse në Kuvend. Kjo parti e ka përkrahjen edhe të nëntë deputetëve nga komunitetet pakicë joserbe, derisa për ta arritur shumicën e nevojshme prej 61 votash për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit dhe për votimin e Qeverisë së re, asaj i nevojitën edhe së paku katër vota. Tri prej këtyre votave i ka Nisma Socialdemokrate.

Pas LVV-së, në Kuvendin me 120 ulëse më së shumti deputetë i ka PDK-ja - 24, e pasuar nga LDK-ja që i ka 20, Lista Serbe me 9 dhe koalicioni mes AAK-së dhe Nismës, 8. Edhe 11 ulëse të tjera janë të pakicave.

Ministri në detyrë i Administrimit dhe Pushtetit Lokal dhe kryetar i Iniciativës së re Demokratike të Kosovës (IRDK), Elbert Krasniqi, ka sinjalizuar më parë se shtatë deputetë të pakicave joserbe do të votojnë për konstitutimin e Kuvendit të ri dhe një qeverie të re të udhëhequr nga Lëvizja Vetëvendosje.

Në një skenar kur Lëvizja Vetëvendosje, deputetët e Nismës dhe shtatë të pakicave do të votonin për konstituim të Kuvendit, do të duheshin edhe tri vota për finalizim të procesit me sukses.

Deri më tani deputetët e pakicave, Duda Balje, Veton Berisha dhe Adem Hoxha janë deklaruar se nuk do të ofrojnë mbështetjen pa përmbushjen e kushteve të tyre.