Legjislatura e nëntë e Kuvendit që u shpërnda një ditë më parë, i kushtoi buxhetit të shtetit rreth dy milionë euro vetëm për paga të deputetëve, asistentëve të tyre dhe për mbushje telefonash. Me gjithë shpenzimet, Kuvendi nuk prodhoi asnjë vendim që nga prilli. E, deputetët e papunë do të vazhdojnë të marrin pagë prej 2 mijë eurosh, për 12 muaj rresht.
Rreth dy milionë euro është kostoja e shpenzimeve që i është shkaktuar buxhetit të shtetit për pagat e deputetëve dhe të asistentëve të tyre, ani se legjislatura e nëntë e Kuvendit u konstituua e u shpërnda pa prodhuar asnjë rezultat.
Sipas të dhënave të Kuvendit, nga 15 prilli e deri në fund të muajit tetor, vetëm për pagat e ligjvënësve u harxhuan 1 milionë e 371 mijë euro.
E 571 mijë euro të tjera shkuan në pagua për zyrtarët e lartë personalë të deputetëve, që i kanë angazhuar t’u asistojnë në punë, edhe pse s’u doli asnjë detyrë.
“Shuma e përgjithshme e pagave për deputetët e Legjislaturës IX të Kuvendit, për periudhën prill – tetor 2025, është 1371017.46 euro. Shuma e përgjithshme e pagave për stafin mbështetës politik për periudhën prill – tetor 2025 është 571130.78 euro”, thuhet në përgjigjen e zyrës për informim të Kuvendit për KOHËN.
Kuvendi u shpërnda të enjten e me këtë u ka përfunduar mandati deputetëve. Ata do të marrin pagë edhe për 20 ditët e këtij muaji, kosto e cila nuk është e përfshirë në të dhënat e Kuvendit.
E përveç këtyre shpenzimeve, nga maji e deri në nëntor, deputetët harxhuan 15 mijë euro të tjera nga buxheti i shtetit për mbushjet e telefonave të tyre.
“Shuma e përgjithshme e shpenzimeve për mbushje të telefonisë mobile për deputetët e Legjislaturës IX të Kuvendit, për periudhën maj - nëntor 2025 është 15,008.87 euro”, thuhet në njoftim.
Melos Kolshi, hulumtues në Institutin e Kosovës për Drejtësi, shfaq shpresën që një legjislaturë të këtillë Kosova të mos e ketë më.
“Përveç që ishte e dëmshme për buxhetin e Republikës kjo ishte edhe e padobishme në bazë të përgjegjësive që Kushtetuta e Republikës i delegon deputetëve individualisht e po ashtu subjekteve në përgjithësi. Kështu që një legjislaturë e tillë urojmë që të mos përsëritet kurrë”, ka thënë ai.
Përpos këtyre shpenzime që tejkalojnë 2 milionë euro, Ligji për detyrat dhe përgjegjësitë e deputetit parasheh edhe beneficione të tjera për ligjvënësit, përfshirë edhe këta që nuk kryen ndonjë funksion për 7 muaj.
Neni 16 i këtij Ligji parasheh kompensimin kalimtar.
Kjo nënkupton që, që nga dita e përfundimit të mandatit, deputeti merr pagë bazë nga Kuvendi i në vlerë të 1914 eurove për 12 muaj të tjerë. Këtë pagë nuk mund ta marrë nëse hyn në pension apo punësohet diku tjetër.
“Deri në fillimin e realizimit të të hyrave financiare nga ndonjë burim tjetër, ose nga realizimi i pensionit, që nga dita e përfundimit të mandatit deputeti/ja ka të drejtë në pagë bazë për dymbëdhjetë (12) muaj”, thuhet në nenin 16 të këtij ligji.
Individualisht deputetët e kësaj legjislature do të marrin nga 23 mijë euro në vit po qe se nuk realizojnë të hyra financiare nga ndonjë burim tjetër përgjatë periudhës njëvjeçare.
Nga 15 prilli, ligjvënësit e kanë mbajtur një seancë konstituive, dy për zgjedhjen e Qeverisë dhe një të jashtëzakonshme, por në asnjërën prej tyre nuk kanë marrë vendime.