Arbëri

Depos së Barnave i shtohet kostoja për 164 mijë euro

depo e barnave

Kostoja për rinovimin e objektit të Depos së Barnave është rritur dy herë, nga ajo e paraparë në kontratën bazë. Ministria e Shëndetësisë ia ka shtuar kontratës fillestare mbi 164 mijë euro, në emër të punëve shtesë dhe të paparashikuara. E, institucionet nuk dinë se edhe sa do të zgjasin punët që duhej të finalizoheshin tre muaj më parë

Depoja e barnave ende nuk është finalizuar, ndonëse kontrata parashihte që punimet të kryheshin në nëntor.

Më 12 nëntor, edhe ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, tha se depoja do të funksionalizohet brenda 2025-tës.

Ndërsa dy ditë para zgjedhjeve të parakohshme, kryeministri Albin Kurti publikoi fotografi të objektit, për të cilin tha se shteti ka një depo me standarde të larta.

Ministria gjatë javës nënshkroi anekskontratën e dytë me kompaninë “Termomontimi” për punë shtesë dhe të paparashikuara, në vlerë prej 97 mijë eurosh. E para ishte nënshkruar në tetor, në vlerë 67 mijë e 677 euro.

Kontrata bazë është rreth 1.8 milion euro, ndërsa dy anekskontrata shtesë kanë shtuar koston për mbi 164 mijë euro.

Bazuar në kontratën e fundit, në punët shtesë janë përfshirë: punët e dheut dhe zhavorrit, punët e peizazhit, drenazhimi dhe kullimi i ujërave atmosferike, ndriçimi, alarmi, ventilimi dhe punët e zdrukthëtarisë.

Ndërkaq, te punët e paparashikuara: kufizimi i kubëzave, sinjalizimi i rrugës me shenjëzim, furnizimi dhe montimi i rafteve në dhomën e sigurisë, si dhe punimi i murit me knauf për ndarjen e dhomës së sigurisë.

Në Ministri arsyetuan kontratat pasuese me nevojat që u paraqitën gjatë ekzekutimit të projektit.

“Përveç kërkesës së punëkryesit ‘Termomontimi’ për punët shtesë dhe punët e paparashikuara, është dorëzuar edhe raporti me rekomandime nga kompania mbikëqyrëse ‘PMN’, lidhur me domosdoshmërinë e këtyre punëve për kompletimin e projektit”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë. “Inxhinierët e kompanisë mbikëqyrëse kanë arsyetuar secilin pozicion si të domosdoshëm, si për nga përmbajtja ashtu edhe për nga sasia e kërkuar”.

Raporti i kompanisë mbikëqyrëse që i është përcjellë KOHËS nga Ministria, ka rekomanduar aprovimin e punëve shtesë dhe të paparashikuara, por ka kërkuar që kjo të bëhet në konsultim me kompaninë projektuese, për të marrë aprovimin për ndryshimet e nevojshme.

Në Ministri thanë se nuk gjetën gjuhë bashkëpunuese me hartuesin e projektit.

“Projektuesi në fillim të ekzekutimit të punëve ka qenë bashkëpunues për përgjigje në pyetjet që i janë adresuar, por në fazat e mëvonshme të projektit nuk ka qenë edhe aq bashkëpunues, sigurisht duke i parë edhe vetë mangësitë e lëna në projektin e tij”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë.

Bazuar në raport, kompania mbikëqyrëse ka aprovuar edhe kërkesën e dytë të kompanisë punëkryese, sipas së cilës është identifikuar mungesën e asfaltit, kubëzave, trupave ndriçues, dhe ka shtruar nevojën për rritjen e sasisë së trupave gjelbërues sipas kërkesës së investitorit.

Në kompaninë punëkryese e as në atë mbikëqyrëse të punimeve nuk dhanë përgjigje lidhur me punët shtesë dhe të paparashikuara.

Sqarime se pse këto punë nuk kanë qenë të parapara në kontratën bazë nuk ofruan as në kompanitë që kanë bërë projektimin, e që është grupi i operatorëve Geoplan & Consultin group dhe Studio Hapësira.

Punimet pritet të përfundojnë brenda 30 ditëve, por aktualisht pengesë sipas Ministrisë është mbyllja e impianteve të asfaltit.