Arbëri

Dëmtohet pllaka përkujtimore në Topillë

Në pjesën e epërme të fshatit Topillë të Komunës së Shtimes, persona ende të paidentifikuar e kanë dëmtuar pllakën përkujtimore të heroit Ahmet Shtimja. Kjo ka shtyrë institucionet komunale dhe banorët e disa lokaliteteve të kërkojnë nga Policia e Kosovës zbardhjen e këtij rasti.

Institucionet komunale të Shtimes dhe banorët e disa lokaliteteve kanë denoncuar rastin e dëmtimit të pllakës përkujtimore të ish-atdhetarit, Ahmet Shtimja.

Kjo pllakë përkujtimore ishte ndërtuar me iniciativë të banorëve në vitin 2001 në fshatin Topillë, pikërisht në vendin ku ishte vrarë Shtimja, së bashku me bashkëluftëtarin e tij Rexhep Murati, në vitin 1923.

Lulzim Sahiri, shef për Informim në Komunën e Shtimes, ka kërkuar nga Policia e Kosovës ta hetojnë rastin.

“Edhe ne si institucion kemi marrë informatën për dëmtimin e pllakës përkujtimore të Ahmet Shtimes, me këtë rast kemi vënë në kontakt me Policinë e Kosovës, e cila ka dalë në terren dhe është duke i marrë të gjitha masat për hulumtimin se si ka ardhur deri te ky dëmtim i kësaj pllake përkujtimore”, ka thënë Sahiri.

Banorët dhe ndërtuesit e kësaj pllake kanë shprehur shqetësime se si pas 21 vjetësh, dikush e dëmtoi pllakën.

Në anën tjetër, Policia e Kosovës ka thënë se është në proces të verifikimit të të dhënave.

“Një qytetar dëshmitar me datën 10.11. 021 ka dhënë një deklaratë në Polici se një pllakatë guri, që mbetet të verifikohet, është dëmtuar nga një punëkryes para 3-4 muajve në fsh. Topillë. Kjo deklaratë mbetet të verifikohet, policia është në grumbullim të informacioneve dhe në koordinim me Komunën e Shtimës. Deri më tani nuk është iniciuar asnjë rast”, ka njoftuar Policia.

Si është bërë e ditur nga PK-ja, deri më tani nuk është iniciuar ndonjë rast.