Në orët e vona të së shtunës, persona ende të paidentifikuar kanë dëmtuar së paku pesë shtylla të energjisë elektrike të cilat furnizojnë një gurthyes në fshatin Shalë të Komunës së Lipjanit.
Ditë më parë KOHA ka raportuar derisa banorët dhe këshilli i këtij fshati kanë mbledhur rreth 200 nënshkrime për ta kundërshtuar nisjen e operimit të këtij gurthyesi. Madje, ditë më parë pronarëve të këtij gurthyesi i është djegur edhe një makineri nga persona ende të paidentifikuar. Pas dëmtimit të shtyllave elektrike, KOHA ka provuar, por nuk ka arritur të dielën të marrë një deklaratë nga Policia e Kosovës. Por burime të KOHES kanë thënë se Policia është duke i intervistuar disa persona me qëllim që sa më shpejtë të zbardhet rasti i dëmtimit të shtyllave të energjisë elektrike.
KOHA ka kontaktuar me njërin nga përfaqësuesit e këtij gurthyesi, Xhafer Gjota, i cili ka thënë se është shqetësuese se si po pengohet një biznes i cili posedon të gjitha dokumentacionet prej vitesh.
“Është shumë shqetësuese për neve si biznes pasi që para disa ditësh më është djegur makineria (bateri) i cili më ka kushtuar 120 mijë eurosh, kurse gjatë mbrëmjes të së shtunës janë dëmtuar pesë shtylla të energjisë elektrike nga persona të pandërgjegjshëm. Kërkojmë nga organet e drejtësisë që të merren më me seriozitet me rastin tonë dhe të zbardhen padrejtësitë që po na bëhen neve si biznes”, ka thënë Gjota.
Ai ka shtuar se me kohë e ka njoftuar Policinë e Kosovës për disa kërcënime nga banorët e fshatit.
Kujtojmë se n peticionin e banorëve të Shalës, të cilin e ka siguruar KOHA, midis të tjerash thuhet se “Qytetarët e Shalës nuk do ta lejojnë vendosjen e gurthyesit në grykë të Shalës sepse vendosja dhe operimi i gurthyesit në këtë vend , do t’i shkakton dëme të mëdha qytetarëve të këtij lokaliteti, për fakton se gryka e Shalës është arterie kryesore për shëndetin dhe jetën e qytetarëve. Operimi i gurthyesit ndikon në ndotjen e ajrit, ndotjen e ujit të pijshëm dhe rrezikohen objektet e banimit”, thuhet midis të tjerash në një shkresë të banorëve.
Ndërkohë, këshilli i fshatit Shalë nëpërmjet një komunikate ka njoftuar se para disa ditësh nga qytetarët është ngritë një shqetësimi rreth fillimit të punimeve të një gurthyesi në grykë të Shalës. “Këshilli ka filluar të merr masa ligjore, duke bërë peticion me arsyetimin kundër vendosjes së gurëthyesit në atë lokacion, për shkak se konsiderojmë, se do të dëmtohemi, sepse edhe me ligj nuk plotësohen kriteret për operim të gurthyesit në lokacionin në fjalë. Peticioni është dorëzuar në organet lokale dhe ato qendrore nga të cilat kemi kërkuar që të verifikojnë se a plotësohen kriteret ligjore për të operuar gurthyesi në këtë lokacion”, thuhet në njoftimin e Këshillit., duke shtuar se do të vazhdojnë të bashkëpunojnë me organet përgjegjëse në këtë rast. “Këshilli distancohet nga çdo akt i dhunshëm! Ju bëjmë thirrje të gjithë atyre që dëshirojnë t'i bashkohen peticionit në fjalë, le të lajmërohen te këshilli i fshatit”, thuhet në shkresën e Këshillit të Shalës.
Ndërkohë, ditë më parë pronari i kompanisë “Shala SH.P.K” Feim Hoxha, në një intervistë për KOHEN pati thënë se prej 2011-s është i pajisur me licencë dhe ka operuar në këtë lokacion deri më 2016, ndërkohë për shkak të kushteve ekonomike e kishte ndërprerë operimin. “I pajisur me licencë jam prej 2011 deri më 2025, pra të gjitha dokumentet i kemi në gjendje të rregullt. Mirëpo prej 2020-s e kemi bartur licencën në një firmë tjetër në mënyrë që mos të paguajmë dy herë taksa. Tash kemi filluar ta rrethojmë vendin sepse nuk mund të bëhen minime pa e kryer këtë punë, mirëpo ka ndodhur një ekses i vogël këtu, jemi duke pritur nga organet e Policisë që ta zgjidh këtë problem. Pra, jemi të pajisur me të gjitha dokumentet dhe i plotësojmë të gjitha kriteret për të operuar”, pati thënë Hoxha.
{gallery}