Urës së drunjtë që i shërbente banorëve të lagjes “Makolli” në fshatin Marec për të kaluar në asfalt, i kanë mbetur vetëm gjurmët. Vërshimet kanë marrë me vete atë, duke vështirësuar qarkullimin banorëve të pesë shtëpive të kësaj lagjeje.
Edhe rruga që kalonin me vetura është dëmtuar, duke e bërë pothuajse të pamundur kalimin në asfaltin, i cili po ashtu është dëmtuar rëndë nga reshjet e fundit.
Edhe pse ka rënë paksa niveli i ujit, ata thonë se nuk mund të kalohet vetëm me vetura malore.
Sahit Makolli, banor i kësaj lagjeje, ka thënë se ka dy muaj që ka ardhur nga Gjermania në pushime në vendlindje tregon se nga vërshimet për dy javë kanë qenë të bllokuar, por që edhe tani kanë vështirësi të qarkullojnë.
“Këto improvizime i ka bërë FSK-ja vetëm për t’i bërë të kalueshme. Kanë vështirësi për të kaluar, sidomos kerret moderne, veç me ato malore. Te ne duhet me kerr malor se ndryshe nuk mundesh”, ka thënë Makolli.
Vërshimet e ditëve të fundit kanë shkatërruar rrugën Marec – Krilevë, e cila po ashtu shërben për 130 minatorët që shkojnë në vendin e punës në Minierën e Artanës.
Ata thonë se për dy javë kanë mbetur pa punë, shkaku që rruga ka qenë e pakalueshme dhe se tani është bërë një improvizim nga FSK-ja për ta bërë atë të kalueshme.
Kadri Llapashtica, minator i Minierës së Artanës, thotë se rruga ka pësuar dëme të mëdha duke fajësuar institucionet edhe për cilësinë e rrugës.

“Dëmet janë katastrofale, është dëmtuar për së tepërmi, kjo do të duhej që të fillonte nga fillimi të shtrohet, të bëhen urat si duhet, se kanë shti gypa të kanalizimit, nuk ka efekt kjo, sepse ne jemi rritur këtu sepse e njohim këtë vend. Me ndodhë ndonjë rast veç me ardh me helikopter se ndryshe s’mundesh”, ka thënë Llapashtica.
Ndërsa, minatori tjetër Flamur Mehmeti, tregon se si janë bllokuar javën e kaluar shkaku i vërshimeve.
“Problemi i parë vështirësi kemi pasur se të shtunën kemi mbetur në 5 të mëngjesit kemi mbetur të bllokuar deri sa u ardhë ndihma e shpejtë. As Komuna e askush nuk interesohet në këtë rrugë, e që dallaveret ma të mëdha po bahen me rrugë e që është hera e dytë që ne po mbesim të bllokuar”, ka theksuar ai.
Ndërsa Medina Braha, Drejtoreshë për Shërbime Publike në Komunë të Prishtinës, ka thënë se kanë dalë në teren dhe kanë konstatuar se gjendja e rrugës ka qenë e pakalueshme.
“Ne kemi dalë në terren, kemi konstatuar gjendjen e rrugës në fshatin Marec dhe e kemi përcjellë te Drejtoria për Investime Kapitale për intervenim dhe se tani varet nga ata se çfarë kontratash aktive kanë”, ka thënë Braha.
Vërshimet e fundit kanë bërë dëme të shumta në shumë komuna. Edhe pse ende nuk ka një përllogaritje për këto dëme, Qeveria ka ndarë një fond prej 1 milionë eurosh për t’i mbuluar ato.