Gjatë ditëve të fundit ish-objekti i shkollës fillore “Besim Rexhepi” në fshatin Komgllavë të Ferizajt është bërë vend takim i grupeve të të rinjve për ta shfrytëzuar për dukuri negative.
I gjithë objekti është demoluar, ndërkaq janë vjedhur kabllot e energjisë elektrike, inventari e gjësende të tjera. Ndërkohë, për këtë çështje këshilli i fshatit ka njoftuar Komunën, por edhe Policinë e Kosovës. Prej kohësh objekti është jashtë përdorimit pasi që Komuna e kishte ndërtuar një objekt të ri të shkollës. Në Komunën e Ferizajt kanë thënë se është sugjeruar Këshilli i fshatit për të mbajtur mbledhje dhe për të vendosur se çfarë të bëjnë me objektin në mënyrë që ai të rrënohet apo të rinovohet për ndonjë projekt të caktuar.
Përfaqësuesi i fshatit Komogllavë, Skender Mehmeti, ka thënë për KOHËN se Këshilli i fshatit ka mbajtur takime, por ende nuk kanë mundur të takohen edhe me banorët derisa një pjesë e madhe gjenden jashtë shtetit. Sipas tij, komuna duhet të krijojë siguri për objektin derisa të merret një vendim i Këshillit. “Objekti është vjedhur e demoluar, ndërkohë e kemi njoftuar edhe Policinë e Kosovës, ndërkohë si Këshill i fshatit jemi munduar të mbajmë mbledhje me të gjithë banorët, por ka qenë e pa mundur shkaku që shumë prej tyre gjenden jashtë shtetit. Ndërkaq ne si Këshill kemi propozuar që ky objekt i shkollës që ka një sipërfaqe mjaftë të madhe të rinovohet dhe të destinohet për një shtëpi të kulturës, për një bibliotekë dhe për një stacion të Policisë pasi që fshati jonë gjendet afër rrugës regjionale në drejtim të Kaçanikut dhe shumë fshatra përreth e frekuentojnë rrugën tonë”, ka thënë Mehmeti.
Sipas tij, është shqetësuese si objekti po shfrytëzohet nga grupe të të rinjve dhe ndërkohë janë vjedhur kabllot, inventari e gjësende të tjera.
“Ky objekt tashmë është bërë vend takim i grupeve të të rinjve për dukuri negative, prandaj kërkojmë nga të gjitha institucionet përkatëse të marrin ndonjë vendim për mbrojtjen e këtij objekti derisa këshilli i fshatit të mbajmë takimet me banorët e lagjeve”, ka thënë Mehmeti.
Ndërkaq, Driton Ismajli banor i këtij lokaliteti ka thënë se Komuna duhet ta rinovojë objektin dhe ta destinojë për një shtëpi të kulturës.
“Janë këto pamje të shkollës që tregojnë veprimet e kryera nga njeriu. Pra, është kjo shkolla e cila është
shndërruar në një pamje trishtimi e mllefi. Përgjatë 77 vjetëve kjo shkollë ka shërbyer për të nxjerrë kuadro të ndryshme profesionale në periudha shumë të vështira, dhe të kujtohet se sa me zell e mund është ndërtuar kjo shkollë që e mbanë emrin e dëshmorit Besim Rexhepi, dhe ta shikosh se me sa fanatizëm është shkatërruar të lenë pa koment”, ka thënë Ismajli.
Sipas tij, është edhe më shqetësuese të shikosh gjendjen se si janë dëmtuar mirënjohjet, flamujt dhe
librat e shkollës.
“Është turp që familja e dëshmorit Besim Rexhepi ta shohë në gjendje të tillë shkollën që e bart emrin e birit të tyre”, ka thënë Ismajli.
Në anën tjetër, Afrim Llabjani, drejtor i Arsimit në Komunën e Ferizajt, ka thënë për KOHËN se pas ndërtimit të objektit të ri të shkollës fillore, kanë kërkuar nga Këshilli i këtij fshati për të vendosur se çfarë dëshirojnë të bëjnë me ish-objektin, mirëpo deri më tash nuk kanë marrë përgjigje.
“Ne si Komunë e kemi parë se ky objekt i vjetër nuk i plotësonte kushtet për procesin mësimor, ndërkohë e kemi ndërtuar objektin e ri të shkollës në mënyrë që nxënësit të kenë kushte sa më të mira dhe moderne për procesin mësimor. Megjithatë, ne në këtë fshat kemi planifikuar ta ndërtojmë një çerdhe për fëmijë, prandaj kemi kërkuar nga këshilli i fshatit t’i shqyrtojnë mundësitë për renovim të këtij objekti apo për ndërtim të ri, megjithatë ky objekt i vjetër nuk i plotëson standardet për çerdhe sepse tashmë e dimë se si duken hapësirat dhe renditja e çerdheve”, ka thënë Llabjani.
Sipas tij, Komuna nuk ka pasur mundësi financiare të paguajë roje fizike për këtë objekt, prandaj është kërkuar nga banorët që të vendosin sa më shpejtë për të ardhmen e këtij objekti.
“Ne si komunë jemi të gatshëm të bëjmë investime në këtë fshat ashtu siç kemi bërë edhe në fshatra të tjera, prandaj sugjerojmë sërish këshillin e fshatit Komogllavë që të mbajnë takime me banorët dhe të vendosin për të ardhmen e këtij objekti me qëllim që ai mos të demolohet më shumë dhe mos të shfrytëzohet për dukuri negative”, ka shtuar Llabjani.
{gallery}