Arbëri

Demolohet ish-objekti i çerdhes publike në qendër të Kaçanikut

Prej më shumë se një viti, ish-objekti i çerdhes publike në qendër të Kaçanikut është demoluar. Atë po e shfrytëzojnë grupe të rinjsh për dukuri të ndryshme negative.

Këshilltarët e Kuvendit Komunal nga opozita pas vizitës që kanë bërë aty kanë kërkuar përgjegjësi nga ekzekutivi për mosmirëmbajtje.

Sipas tyre, pas ndërtimit të objektit të ri të çerdhes, institucionet komunale kishin tentuar ta jepnin në shfrytëzim objektin e vjetër pa i respektuar procedurat ligjore nëpërmjet Kuvendit, mirëpo një gjë e tillë u kishte dështuar.

“Siç po e shihni edhe vet është një pamje skandaloze, e turpshme. Mendoj se një pushtet serioz nuk do ta lejonte një objekt publik të bije në këtë gjendje. Ose duhet të rrënohet urgjentisht ky objekt ose duhet të fillohet të mirëmbahet”, ka thënë Ekrem Raka-Asamblist i pavarur ne KK të Kaçanikut.

“Është shqetësim sepse si objekt ka qenë dhe është shumë i mirë, duhet cek se para se të mbyllet 2-3 vjet më herët është bërë renovim, i është ndërruar qatia gati komplet i janë ndrruar dyert dhe dritaret. Këto para kanë shkuar kot”, ka thënë Ekrem Kyçyku, Asamblist nga LVV-ja.

Kryetari i Kaçanikut, Besim Ilazi, ka sqaruar se objekti është në një kontest gjyqësor, për shkak se ish-drejtoresha e çerdhes e kishte dhënë objektin në shfrytëzim pa i respektuar procedurat.

“Ne e kemi bërë një ankesë pranë Gjykatës në Kaçanik, megjithatë është një vendim i Gjykatës i cili na ka parandaluar të veprojmë diçka më tutje për shkak se e kemi një masë të përkohshme dhe deri të zgjidhet ky kontest ligjor ne jemi të pamundur për të vepruar në atë objekt”, ka thënë ai.

Ilazi ka kërkuar nga Gjykata që sa më shpejt të merret një vendim lidhur me këtë kontest, pasi që Komuna sipas Planit Zhvillimor Komunal ka ndarë 50 mijë euro për ta nisur ndërtimin e një parku për qytetarët në këtë parcelë publike.