Arbëri

Demi: Subvencionimi i 90 mijë familjeve të cenueshme për energji, tregues se varfëria po rritet

Agron Demi

Agron Demi ka thënë se mbi 25 për qind e familjeve në Kosovë rezulton se janë në gjendje financiare që shteti t’ua subvencionojë faturat

Foto: Driton Paçarada

Themeluesi i Institutit “Atlas”, Agron Demi, ka thënë se varfëria është në rritje në Kosovë, po që se merren për bazë të dhënat e ministrit në detyrë të Financave, Hekuran Murati, për numrin e familjeve të cenueshme që kanë pranuar subvencionin e faturave të energjisë elektrike.

Gjatë ditës, Murati njoftoi në Facebook se 90 mijë familje të cenueshme kanë pranuar subvencionin e faturave të energjisë elektrike. Ai ka thënë se programi mbulon periudhën gjashtëmujore të dimrit (tetor-mars). E Murati ka premtuar se nëse Vetëvendosje fiton edhe një mandat për të qeverisur, ndër 5 vendimet e para do të jetë rikthimi i masës për subvencionim të faturave të atyre që kursejnë rrymën. Sipas tij, në të kaluarën me këtë masë ishin mbështetur mbi 200 mijë familje.

Bazuar në këto shifra, Demi ka thënë se mbi 25 për qind e familjeve në Kosovë rezulton se janë në gjendje financiare që shteti t’ua subvencionojë faturat. Ai ka kujtuar se në regjistrimin e popullsisë vitin e shkuar kanë dalë të jenë rreth 353 mijë familje. Si rrjedhojë, sipas Demit, ky është sinjal i rritjes së varfërisë në Kosovë në raport me vite më herët.

“Qenkan mbi 90 mijë familje të cënueshme që paskan mar subvencione për faturat e energjisë, ashtu siç deklaroi Ministri i Financave. Familje e cenueshme nënkupton familje e varfër ose në kufi të varfërisë. Sipas regjistrimit të fundit të popullsisë në Kosovë janë regjistru 353 mijë familje. Pra 25.5% janë në situatë financiare që duhet me ua subvencionu faturat. Matja e fundit e varfërisë në Kosovë është ba me 2017 dhe ka qenë 17%. Prej atëherë e kemi përjetu pandeminë e krizën me çmime por nuk kemi pas regjistrim të varfërisë. Kjo që po e konstaton MFPT është tregues se varfëria është në rritje, ashtu siç është në shumë vende pas pandemisë”, ka shkruar Demi në Facebook.

Kriteret kryesore për të përfituar nga kjo masë janë që familjet të kenë të ardhura deri në 150 euro për anëtar e të mos kenë pasuri të paluajtshme me më shumë se 100 mijë euro vlerë.