Arbëri

PDK: Ata që zgjodhën krizën, dështuan. Ne që zgjodhëm Kushtetutën, fituam

memli

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka thënë se vendimi i Gjykatës Kushtetuese e ka vërtetuar se LVV-ja e ka mbajtur peng Kuvendin duke e bllokuar “qëllimisht dhe në mënyrë të planifikuar funksionalizimin e tij për interesa të ngushta pushteti”.

Siç ka thënë ai, gjykata konfirmoi se bllokada e LVV-së ishte antikushtetuese dhe e dëmshme për shtetin.

“Kosova nuk mund të ecë përpara me institucione të paralizuara dhe me rregulla të shkelura sipas tekave të pushtetit. Prandaj, le të jetë ky një mësim i qartë për të gjithë, e veçanërisht për ata që nuk kanë ditur kurrë ta respektojnë shtetin: Kosova ka nevojë për institucione funksionale dhe për lidership që respekton rregullat, jo që i shkel ato për pushtet. Ne do të jemi gjithmonë në anën e Kushtetutës dhe të qytetarëve. Ky vendim është fitore për rendin kushtetutes, për Kuvendin dhe për qytetarët e Republikës së Kosovës. Ata që zgjodhën krizën, dështuan. Ne që zgjodhëm Kushtetutën, fituam”, ka shkruar ai në Facebook.

E, deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Blerta Deliu-Kodra, ka thënë se Gjykata Kushtetuese dha verdiktin që e prisnin.

Kushtetuesja ka vendosur që deputetët e Kuvendit të Kosovës duhet të zgjedhin kreun e ri të organit ligjvënës përmes votimit të hapur dhe brenda 30 ditëve. Në njoftimin e publikuar të premten thuhet se Kushtetuesja ka përcaktuar që kandidati i njëjtë mund të votohet vetëm deri në 3 herë dhe se të gjithë deputetët duhet të marrin pjesë në votim.

“Kishim të drejtë TËRË KOHËN: Qeverisja e Albin Kurtit, përmes Avni Deharit, ka shkelur Kushtetutën në secilën seancë që nga 1 maji. Detyruan votim të fshehtë dhe na mohuan të drejtën për votë të hapur për kryetar Kuvendi”, ka shkruar Deliu-Kodra në Facebook.

Ajo ka thënë se ky është një dështim i rëndë institucional dhe mungesë totale respekti ndaj ligjit dhe demokracisë.

“Kosova meriton udhëheqje me përgjegjësi dhe respekt për Kushtetutën, jo shkelje të qëllimshme e të përsëritura!”, ka shkruar ajo

Lexo përditësimet tjera
kusht.

Vendimi i Kushtetueses mirëpritet nga ish-opozita, pushteti hedh akuza ndaj Gjykatës