Dy zyrtarë të Ministrisë së Punëve të Jashtme kanë paraqitur dorëheqjet në javën kur ministrja Gërvalla tha se është duke shqyrtuar ligjshmërinë e emërimeve nga qeveritë e kaluara. Njëra është ish-ambasadore, e cila u largua nga MPJ-ja për shkak të degradimit në pozitë. Shkeljet të cilat ia atribuoi qeverive të kaluara, po i vazhdon njësoj edhe ministrja aktuale. Përfitues të pozitave dhe gradave janë zyrtarët që kanë lidhje me partinë në pushtet
Një valë dorëheqjesh ka nisur në Ministrinë e Punëve të Jashtme pak ditë pasi ministrja Gërvalla paralajmëroi shfuqizimin e vendimeve të paligjshme. Derisa të emëruarit e qeverive të kaluara i kanë paraqitur dorëheqjet, ka vazhduar ngjitja e atyre që kanë lidhje me partinë që tani është në pushtet.
Zana Rudi, e cila ka qenë ambasadore në Panama, të martën është larguar nga MPJ-ja. Këtë e ka konfirmuar vetë Rudi, por ka mohuar se largimi ka të bëjë me paralajmërimin e ministres.
“Nuk ka të bëjë me paralajmërimin. Unë kam hyrë me konkurs dhe kam pasur një situatë tjetër. Ministrja ka qenë korrekte me mua kur jam takuar me të. Vendimi për dorëheqje ka ardhur si pasojë e shkeljeve të shumta të bëra nga MPJD që kanë të bëjnë me lehonitë e mia, trajtim jo të duhur dhe diskriminues e të kundërligjshëm të zhvilluar ndaj meje që nga kthimi nga pushimi i lehonisë, përkatësisht nga data 11.10.2021, duke më degraduar në pozitë”, ka thënë ajo.
“Unë kam pasur vendim në nivel të drejtoreshës dhe me t’u kthyer nga pushimi pa pagesë, të cilin e kam marrë me rastin e lindjes së fëmijës tim, unë degradohem duke ma dhënë pozitën e zyrtares së lartë”.
Rudi ka paralajmëruar se të drejtën e vet dhe kompensimin do ta kërkojë tek institucionet përkatëse në vend.
Edhe Artan Behrami ka dhënë dorëheqje të parevokueshme të mërkurën nga pozita e udhëheqësit të divizionit për media, por me funksion të përkohshëm “Zyrtar i Lartë për Diplomaci Ekonomike”. Por Behrami, që ka shërbyer si këshilltar për media i ish-presidentit Thaçi, ka paraqitur arsye tjera. Ai largimin e ka arsyetuar me, siç ka thënë, “shkatërrimin që po iu bëhet sukseseve të deritashme të MPJ-së”.
“Ju dështuat të ndërtoni vizionin mbi të arriturat 13-vjeçare në politikën e Jashtme, që ishin suksese edhe të partnerëve strategjikë të Kosovës, në krye me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ju po dështoni në politikën e jashtme, në mungesë të përvojës, të vizionit në diplomaci dhe të aftësisë për të lexuar momentumet gjeopolitike. Në vend të tyre, ju krijuat rregulla paralele, të padëgjuara në politikën e Jashtme të Kosovës, duke e përdorur diplomacinë jo si mekanizëm i përfaqësimit të interesave të qytetarëve në botë, por për shërimin e paranojave dhe luftimin e armiqve personalë”, thuhet mes të tjerash në letrën e Behramit.
Ligjshmëria e këtyre emërimeve dhe të tjerave është duke u shqyrtuar nga ministrja aktuale.
Por shkeljet të cilat ia atribuoi qeverive të kaluara po i vazhdon njësoj edhe Gërvalla. Përfitues janë zyrtarët që kanë lidhje me partinë në pushtet.
Drejtori i Akademisë Diplomatike, Behar Isma, së fundi është emëruar edhe zëvendëssekretar i Ministrisë së Punëve të Jashtme. Behar Isma është bashkëshorti i Vjosa Isma, e cila është kryetare këshilltare komunale nga radhët e Vetëvendosjes në Rahovec.
Me gjithë mungesën e bazës ligjore, vitin e kaluar Isma u sistemua në MPJ nga ish-Ministria e Diasporës.
“KOHA” ka raportuar se Isma vjen nga një pozitë shumë e ulët që nuk mund të konsiderohet ekuivalente me postet që mbanë tani. Nga koeficienti 8, ai është ngritur në koeficientin 16.
Kjo ka nxitur edhe reagimin e Shoqatës Sindikale që ka kërkuar ndërhyrjen e Agjencisë Kundër Korrupsion.
Janë edhe disa raste tjera në emërime dhe gradime që Agjencia i ka në shqyrtim për shkak të pretendimeve për shkelje ligjore.
Pas raportimeve të shumta për parregullsitë brenda Ministrisë së Punëve të Jashtme, ministrja Gërvalla nëpërmjet rrjeteve sociale premtoi kthimin e diplomacisë në binarë të ligjshmërisë.
Gërvalla në “facebook” paralajmëroi miratimin e rregullores që mundëson sistemimin e zyrtarëve të Ministrisë së Diasporës, por nuk tregoi edhe për vendimet që tashmë janë marrë.
Fuzionimin e rregullon ligji për organizimin dhe funksionimin e administratës shtetërore dhe agjencive të pavarura, ndërsa më me detaje procesin e definon rregullorja për standarde të organizimit të brendshëm. Sipas kësaj rregulloreje, prej momentit që bashkohen ministritë duhet të nisë procesi për sistematizimin e vendeve të punës.
Ministrja Gërvalla foli për meritokraci dhe vendosje të ligjshmërisë në dhënien e gradave.
Por, “KOHA” raportoi javën e kaluar se së paku tetë diplomatë ministrja i gradoi në mënyrë selektive, duke shpërfillur edhe rekomandimet e Komisionit përkatës.
Dosjet e tyre në kuadër të shpalljes së shtatorit të vitit të kaluar ishin shqyrtuar me urgjencë dhe të njëjtit janë emëruar në pozita të ndryshme. Në mesin e tyre ka që kanë përfituar jashtëligjshëm në qeveritë e kaluara.