Arbëri

Deçani nderon babanë që ecte çdo ditë 20 kilometra me të birin me sindromën Down

Deçani nderon babanë që ecte çdo ditë 20 kilometra me të birin me Sindromën Down

Sadri dhe Azem Neziraj (Foto: Komuna e Deçanit)

Komuna e Deçanit ka organizuar të mërkurën një ecje simbolike nën moton “Hapave të Sadriut dhe Azemit”, në nderim të një prej rrëfimeve më prekëse të dashurisë prindërore dhe fuqisë së familjes.

Ecja nisi nga rrethrrotullimi te “Liridoni” në Carrabreg në orën 11:00 dhe përfundoi në qendër të Deçanit.

Ngjarja i kushtohet Sadri Nezirajt, babait që për vite me radhë ka ecur çdo ditë me të birin Azemin, i cili ka sindromën Down. Gjestet e përditshme të Sadriut janë kthyer në simbol të dashurisë së pakusht dhe përkushtimit prindëror, duke prekur zemrat e shumë qytetarëve në gjithë Kosovën.

Sadri Neziraj vdiq më 13 korrik.

“Hapat e tij ishin forcë për dikë, sot janë frymëzim për të gjithë”, thuhet në njoftimin e komunës.

VIDEO:

E një qytetar, që i kishte kërkuar komunës të organizonte ecjen në nderim të Sadrisë, pati rrëfyer bisedën me babanë e Azemit.

“ ‘15 kilometra i bom sot bac, përdit i bëjm qekaq, kanihere djali po ka qejf me ecë ma shumë e i bëjm 20’ më tha para tre ditësh baci Sadri”, rrëfeu qytetari.

Qytetarët e Deçanit po mbledhin fonde për t'i dalë në ndihmë familjes së Sadri Nezirajt /KOHA
FOTO: KOHA