Mesazh mirëseardhjeje në territorin e Serbisë u dërgon operatori MTS të gjithë atyre që kalojnë përreth zonës së Manastirit të Deçanit e që kanë numër të IPKO-s. Derisa qytetarët që kanë pranuar mesazhe nga operatori serb kanë ngritur shqetësime për sigurinë e tyre, institucionet relevante nuk kanë ofruar sqarime për frekuencat serbe në Deçan.
Ndërhyrjet e Serbisë brenda Kosovës po bëhen edhe nëpërmjet objekteve fetare.
Edhe pse nuk është zonë kufitare, ndryshim frekuencash mes operatorëve ndodhin brenda një perimetri të shkurtë, sapo futesh në njërën prej zonave serbe të mbrojtura në Kosovë.
që frekuentojnë zonën përreth manastirit të Deçanit qe disa ditë janë duke pranuar sms nga operatori serb MTS, i cili Kosovës i referohet si territor i Serbisë.
Një mesazh i tillë u shfaq edhe tek ekipi i KOHËS me te hyrë në zonën në Manastirit.
Referencë për marrjen e këtyre shërbimeve në Kosovë është operatori IPKO.
Aty jepen udhëzime se si të shfrytëzohen tarifat roming gjatë qëndrimit në Deçan. Në mënyrë që interneti të funksionojë, sugjerohet që manualisht të zgjidhet IPKO-ja si dhe për pakot mujore të vizitohen dyqanet e këtij operatori.
“Në rast të ndonjë urgjence gjatë qëndrimit tuaj në Serbi, kontakto numrin 112”, thuhet në mesazh.
Ndërkaq qytetarët janë shprehur të shqetësuar dhe habitur me prezencën e operatorit serb në numrat e tyre.
“Ka pasur shqetësime apo reagime por nuk e kam ditur derisa e kemi vërtetuar dje, pasi ishim në Restorant gryka në Deçan edhe dy djemve të mi u vijnë mesazhet që japin me kuptu se kemi hyrë në territorin e Serbisë. Për ne kjo paraqet një shqetësim ngase e dimë se jemi në Deçan e jo në një territor tjetër. Mesazhi vjen prej IPKO-s, si operator qe vepron në këtë terren”, ka thënë Adem Lushaj.
Ai ka shtuar se për këtë janë njoftuar edhe institucionet e sigurisë.
“Dje sapo e kemi marrë mesazhin jemi munduar t’i njoftojmë institucionet e sigurisë. Shpresojmë që autoriteti rregullativ, ARKEP-i apo kushdo që janë, duhet të kenë më tepër dijeni rreth kësaj. Kjo mund ta cenojë sigurinë kombëtare ngase me të vërtetë është diçka e pakuptueshme që të na thuhet në zonë të Deçanit ‘mirësevini në Serbi’ apo gjëra tjera që janë në mesazh. Nëse ka ndonjë marrëveshje të fshehtë që popullata nuk e dinë është çështje tjetër dhe këtë mund ta dinë vetëm politikanët e nivelit të lartë në Kosovë”.
“KOHA” ka pyetur të enjten në IPKO nëse ka marrëveshje specifike me operatorin e serb, por ata nuk kanë ofruar përgjigje.
Autoriteti Rregullativ i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (ARKEP) është organi rregullator i cili zbaton dhe mbikëqyrë kornizën e përcaktuar nga ligji për Komunikime Elektronike. As ata nuk kanë dhënë sqarime për prezencën e frekuencave të operatorit serb në Deçan.
Në vitin 2015, Kosova dhe Serbia kanë nënshkruar marrëveshjen për telekomunikacionin. Mes tjerash, thuhet se rregullatorët po ashtu do të inkurajojnë dhe lehtësojnë procesin e interkonjeksionit dhe marrëveshjes për romingun mes operatorëve mobilë të të dy anëve me qëllim të reduktimit të kostos për qytetarët.
“Rregullatorët në të dy anët do të pajtohen mbi aranzhimet teknike për të harmonizuar përdorimin e spektrit për GSM dhe për sinjal televiziv, përfshirë transmetimet digjitale tokësore, me qëllim të sigurimit të ofrimit të ndërsjellë e të pashkëputur të shërbimeve në bazë të parimeve të ITU-së dhe të shmangies së ndërhyrjeve të dëmshme mes shërbimeve”, thuhet në marrëveshje.
Por secila palë zotohet të mos e mbulojë me qëllim kufirin administrative të palës tjetër.
Ndërhyrjet e Serbisë brenda Kosovës janë trajtuar në takimet e fundit në Bruksel, në kuadër të grupeve teknike. Zëvendës/kryeministri për dialog, Besnik Bislimi ka prezantuar një liste me ndërhyrjet e shtetit serb në politikë, siguri, arsim, shëndetësi, ekonomi dhe financa.
Serbia ka shprehur pretendime që statusin e kishave në Kosovë ta avancojë duke e ngritur si çështje edhe në kuadër të dialogut të Brukselit.
Pretendimet e Kishës Ortodokse Serbe dhe Beogradit zyrtar për trashëgiminë kulturore në Kosovë, u rikthyen muajve të fundit pasi Manastiri i Deçanit u përfshi nga organizata “Europa Nostra” në listën e shtatë monumenteve më të rrezikuara evropian.
Për shkak të kundërshtimeve të Manastirit u ndërprenë edhe punimet në ndërtimin e rrugës që lidh Deçanin me Plavën. Edhe një aktgjykim i vitit 2016 i Gjykatës Kushtetuese për pronat e Manastirit të Deçanit, ka nxitur reagimin e Beogradit zyrtar por edhe ndërkombëtare. Nëpërmjet tij, i njihet e drejta e pronësisë Manastirit të Deçanit mbi 24 hektarë tokë.
Por Komuna e Deçanit deri tani ka refuzuar që t’i kalojë ato në pronësi të Kishës, megjithë kërkesat e QUINT-it dhe përfaqësuesve të BE-së.
Emisari special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, dhe zëvendës ndihmës sekretari amerikan i Shtetit, Matthew Palmer, gjatë vizitës në Kosovë takuan edhe patriarkun e ri të Kishës Ortodokse Serbe, Porfirije.
