Arbëri

Deçanasit presin që përgjegjësit për dëmet në Grykë të Deçanit të vihen para drejtësisë

Pas vendimit të Supremes, tri hidrocentralet e kompanisë “Kelkos” në Deçan janë jashtë funksionit. Krahas këtij vendimi, edhe Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës ka nxjerrë vendim për pezullimin e lejeve mjedisore dhe atyre ujore për këto hidrocentrale deri në një vendim përfundimtar të Gjykatës

Deçan, 7 nëntor - Turbinat e tri hidrocentraleve në Grykën e Deçanit janë jashtë funksionit. Vendimi i Supremes që i jep të drejtë Gjykatës Themelore për pezullimin e punës në këto hidrocentrale, ka kthyer rrjedhën natyrale të ujit në lumë.

Krahas këtij vendimi të Gjykatës Supreme, Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës ka marrë vendim për pezullimin e lejeve ujore dhe mjedisore për hidrocentralet “Belleja” “Deçani” dhe “Lumbardhi 2”.

Në vendimin që ka siguruar KOHA thuhet se pezullimi do të zgjasë deri në nxjerrjen përfundimtare të vendimit për padinë e ngritur nga Faton Selmanaj, Xhavit Kuqi dhe Muharrem Lulaj, me pretendimet për dëmet që janë shkaktuar në atë pjesë nga ndërtimi i hidrocentraleve.

Adem Lushaj nga shoqëria civile pret nga organet e drejtësisë që të merren seriozisht me dëmet që janë shkaktuar në atë pjesë.

“Është një shenjë optimizmi që drejtësia do të vendosë ashtu siç e meriton Gryka e Deçanit dhe dëmet të cilat do të bëhen në këtë grykë do të vihen në rrugën e duhur dhe kërkojmë që përgjegjësit e këtij krimi, që s’kanë emër tjetër veç kriminelë, të dalin para drejtësisë, që popullata ta dijë fajtorin dhe dëmet që kanë bërë”, ka thënë Lushaj.

Ministria vitin e kaluar kishte lëshuar leje mjedisore për dy hidrocentrale të “Kelkosit” - “Deçani” dhe “Belleja”. Por për këtë të fundit banori Muharrem Lulaj thotë se nuk e kupton se si ndodhi, pasi, siç thotë, nga 2013-a i ka paditur kompaninë, Komunën e Deçanit dhe Agjencinë e Pyjeve për ndërtim në pronën e tij.

Ai shpreson që të merret parasysh edhe padia tjetër e tij për çështjen e pronës.

“Unë e kam bërë padinë në 3 mars të 2013 në Gjykatë Supreme në Dhomë të Veçantë. Unë jam pronar i kësaj prone, dokumente kam mjaftueshëm dhe vendimin e Gjykatës Supreme e mirëpres, shpresoj që edhe Dhoma e Veçantë të japë vendim për këtë pronë”, ka thënë Lulaj.

Ai thotë se “kompania ‘Kelkos’ i ka shkaktuar dëme natyrës, e ka shkatërruar rrugën, i ka shkatërruar dy burime që janë shuar krejt, lumenjtë i ka shkatërruar dhe gjithçka ka shkatërruar në tërësi”.

Lejimin e shtrirjes së gypave për hidrocentralin “Deçani” dhe moslejimin e asfaltimit të rrugës, Lushaj i sheh më shumë politik.

“Po shihet se këtu janë ndikime politike, ku nuk lejohet asfaltimi i një rruge se gjoja është në kundërshtim me ligjin e lejohet funksionimi i hidrocentraleve që po ashtu është në kundërshtim me ligjin, do të thotë këtu është dyfytyrësi politike, shpresojmë që të gjendet zgjidhja dhe Gryka e Deçanit ta ketë bukurinë e rrallë natyrore”, ka theksuar Lushaj.

MMPHI-ja kishte themeluar një grup punues për çështjen e licencimit të hidrocentraleve, por përkundër shkeljeve që janë evidentuar, kjo ministri nuk ka treguar se si do të veprohet karshi këtyre shkeljeve.

Në këtë raport janë shqyrtuar të gjitha procedurat administrative të zbatuara për hidrocentrale, si dhe ndikimi i tyre në ujëra dhe mjedis.

Ai rekomandon që të ndërpritet operimi i të gjitha hidrocentraleve që operojnë pa leje mjedisore, si dhe të hetohen të gjithë zyrtarët për shkeljet ligjore, që kanë karakterizuar ndërtimin dhe operimin e hidrocentraleve.

Grupi punues po ashtu kërkon që të shfuqizohen të gjitha aktet e lëshuara në kundërshtim me ligjin, si dhe vendosjen e një moratoriumi për ndërtimin e hidrocentraleve të reja, deri në miratimin e planeve për menaxhimin e pellgjeve lumore.

Sa i përket HC-ve në Grykën e Deçanit, në raport thuhet se përveçqë është dëmtuar rrjedha e lumit dhe nuk është respektuar minimumi ekologjik, po ashtu kanë ndodhur shkelje ligjore në ndërtimin e objekteve të hidrocentraleve.

“Ndërtesat e dy HC (Lumëbardhi II dhe Belaja) janë ndërtuar në pronë ujore në afërsi të drejtpërdrejtë të lumit, në kundërshtim me Ligjin për ujërat (neni 48) 12, që përcakton distancën prej minimum 30 metra për ndërtimin e objekteve nga vija e plotave (ujërat 100-vjeçare)”, thuhet në raport.

Kundërligjore te këto hidrocentrale ka rezultuar të jetë edhe një marrëveshje për shfrytëzim të tokës pyjore që kompania “Kelkos Energy” kishte nënshkruar me Agjencinë e Pyjeve të Kosovës.

Sipas raportit, shpeshherë hidrocentralet kanë bërë ndërhyje në projekt pa pëlqimin e Ministrisë.

“Në HC ‘Lumëbardhi II’ janë bërë ndryshime në projekt pa pëlqimin e Ministrisë, siç kërkohet me vendim për leje ndërtimore”, thuhet në raport.

Sipas raportit, dy nga hidrocentralet e Deçanit, HC “Deçani” dhe HC” Belaja” janë ndërtuar brenda Zonës së Veçantë të Mbrojtur të Manastirit të Deçanit.

Sa u takon hidrocentraleve të Deçanit, grupi punues i ka rekomanduar Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës ta obligojë kompaninë “Kelkos Energy” që, mes të tjerash, të kushtëzohet me lëshimin e lejes mjedisore për ndërtimin e digës në liqenin në Zallin e Rupës, pasi kjo kishte qenë edhe marrëveshje në mes të investitorit dhe Komunës së Deçanit.