Keqpërdorimet me dezinfektues dhe materiale të tjera kundër COVID-19, për të cilat kishte raportuar “KOHA”, kanë qenë temë diskutimi në mbledhjen e së enjtes të Komisionit Qendror Zgjedhor. Shkak është bërë raporti i Komitetit të Auditimit, i cili ka konfirmuar shkeljet për llogari të zgjedhjeve të 14 shkurtit të vitit të kaluar. Pavarësisht mungesës së votave që gjetjet e auditorit t’i përcillen Prokurorisë, anëtarë të KQZ-së kanë paralajmëruar që t’i dërgojnë individualisht
Dallaveret e Komisionit Qendror Zgjedhor, për të cilat “KOHA” raportoi në zgjedhjet e 14 shkurtit të vitit të kaluar, kanë qenë temë diskutimi në mbledhjen e së enjtes. Keqpërdorimet me materialet dezinfektuese janë konfirmuar edhe nga Komiteti i Auditimit të këtij institucioni.
Midis polemikave të shumta, vetëm tre anëtarë kanë votuar për dërgimin e shkeljeve në Prokurori, kurse pjesa tjetër ka abstenuar. Pavarësisht kësaj, përfaqësuesit e Vetëvendosjes kanë paralajmëruar që t’i dërgojnë ato individualisht në Prokurori.
“Ajo çka është konstatuar nga Komiteti i Auditimit është se ka pasur shkelje zinxhirë prej veprimit të parë deri në veprimin e fundit. Raporti është miratuar nga Komiteti i Auditimit. Unë si kryesues i Komitetit të Auditimit kam propozuar që ky raport dhe raporti i mëparshëm në lidhje me zgjedhjet të shkojnë në institucionet hetimore, nuk kemi nxjerrë një vendim të tillë si komitet. Këtë çështje e kam diskutuar në KQZ, por këta nuk e kanë shprehur një vendim për t’i dërguar, apo jo. Por unë personalisht kam shprehur për t’i dërguar në hetuesi, pasi që ka shkelje zinxhirë në gjithë menaxhimin e atij projekti sa u përket dezinfektuesve”, ka thënë anëtari Sami Kurteshi nga radhët e Vetëvendosjes.
Edhe anëtari nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Arianit Elshani, ka thënë se nuk janë të interesuar që të lejohen keqpërdorime.
“Asnjëri nga ne nuk dëshiron që të lejojë keqpërdorime dhe duhet të procedohet tutje në hetuesi”, ka thënë ai. “Konstatuam shkelje, hajni e të gjitha. Nëse ka nevojë duhet t’i nënshtrohet edhe hetuesisë. Ne e shohim që me këto tema bëhet politikë dhe institucionet nuk arritur qasje të drejtë as kundër luftës së krimit dhe korrupsionit. Janë konstatuar shkelje procedurale”, ka thënë anëtari tjetër nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Florian Dushi. Por, kryesuesi Kreshnik Radoniqi ka deklaruar se nuk e kanë për obligim që t’i dërgojnë shkeljet në Prokurori.
“Asnjë obligim s’e kemi që t’i dërgojmë. Raportet e auditimit janë publike, mund të vijnë për t’i këqyrë policia, Prokuroria dhe kush dëshiron”, ka theksuar ai.
Ndërkaq kryeshefi i Sekretariatit të KQZ-së, Burim Ahmetaj, ka folur për veprimet që janë ndërmarrë ndaj përgjegjësve për blerjen e këtyre dezinfektuesve.
“Sekretariati ka marrë veprime, ka shtuar kontrollin e brendshëm në të gjitha hallkat nga hartimi i specifikave deri te pranimi i të gjitha materialeve. Po ashtu, ka marrë veprime edhe ndaj të gjithë stafit që ka qenë në hartimin e specifikave dhe pranimin e mallit. Veprimet sekretariati i ka marrë dhe për këtë është vepruar në masën e madhe nga auditorët e jashtëm që kanë qenë pjesë e auditimit”, është shprehur ai.
“KOHA” kishte raportuar se KQZ-ja kishte kontraktuar dezinfektues me 70 për qind alkool, kurse ishte furnizuar me sprej me 0 për qind alkool. Devijime të mëdha janë evidentuar edhe te maskat mbrojtëse dhe dorëzat. Ato kishin shkuar mbi 60 për qind të nevojave të përcaktuara nga standardi i vendosur për shpërndarjen e materialit anti-COVID. Ka edhe aktivitete të tjera prokurimi, për të cilat dyshohet se institucioni i KQZ-së është dëmtuar financiarisht për mijëra euro.
“KOHA” ka raportuar vitin e kaluar se mbi 80.000 euro është shuma që Komisioni Qendror Zgjedhor potencialisht ka humbur në dy aktivitete tenderimi, vlera e të cilëve ka qenë rreth 300.000 euro. Këto aktivitete ishin zhvilluar për llogari të zgjedhjeve të 6 tetorit të vitit 2019. Mbështetur në dosjet e tenderëve dhe në analizën e dokumentacionit, ka pasur devijim të konsiderueshëm të çmimeve të kontraktuara me çmimet e konkurrencës në tregun e lirë.
Për një laps kimik metali, KQZ-ja kishte paguar 9.30 euro. Kurse për 500 fletore me logo të institucionit, KQZ-ja ka shpenzuar 5 mijë euro. Shumë veprime të përbashkëta mes KQZ-së dhe kompanive të kontraktuara, përfshirë transaksionet, janë të padokumentuara dhe të pakonfirmuara. Prokuroria nuk u është përgjigjur pyetjeve nëse është duke i hetuar dyshimet për dallavere me tenderë.